TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet19 Korrik 2026, 18:22

Kreu i KLSH-së merr pjesë në homazhet për gazetarin Enrik Mehmeti: Humbje e dyfishtë për Vlorën

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i KLSH-së merr pjesë në homazhet për gazetarin Enrik

Kreu i KLSH, Arben Shehu, ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të ndarjes nga jeta të gazetarit të njohur Enrik Mehmeti, i cili u përcoll sot për në banesën e fundit mes dhimbjes së familjarëve, miqve, kolegëve dhe qytetarëve.

Në fjalën e tij, Arben Shehu shprehu respektin për gazetarët që, edhe në një moment të vështirë si humbja e një kolegu dhe miku, vijojnë të ushtrojnë profesionin me devotshmëri dhe seriozitet.

Ai e cilësoi ndarjen nga jeta të Enrik Mehmetit si një humbje të dyfishtë, fillimisht për familjen e tij dhe më pas për qytetin e Vlorës, duke e përshkruar atë si simbol të punës, sakrificës, përkushtimit dhe profesionalizmit në gazetari.

"Dua të shpreh respektin e madh për ju që edhe pse humbët mikun dhe kolegun tuaj po e vijoni punën me devotshmëri dhe seriozitet.

Enriku ishte një humbje shumë e madhe për familjen e tij, por është një humbje e dyfishtë për Vlorën.

Në radhë të parë ishte humbja e një personi i cili ishte i zoti i punës dhe sakrificave, simbol i përkushtimit gjatë gjithë këtyre viteve të pakta jete, por edhe simbol i punës së veçantë të një gazetari të lindur, një njeriu të rrespektuar.

Që pas marrjes së detyrës në krye të KLSH-së, kam pasur fatin që të punoja përkrah tij dhe më lejoni të shpreh dhimbjen time të madhe për humbjen e një njeriu që ishte në një nivel të lartë në të gjitha drejtimet.

Humbëm të gjithë një njeri i cili kishte në thelb përkushtim më të madh, atë të cilin duhet të ketë gjithësecili nga ne, përkushtimin për tu bërë krah njëri-tjetrit, për të qenë të bashkuar.

Gjatë këtyre viteve u mundua të japë mesazhin e madh që gjithësecili nga ne duhet ta zbatojë: Të përkrahim njëri-tjetrin, jeta është shumë e shkurt! Duhet të jemi vlerë për veten dhe vendin tonë!", deklaroi kreu i KLSH për mediat.

Më herët, në Teatrin "Petro Marko" në Vlorë u zhvilluan homazhet në nder të gazetarit, ku dhjetëra qytetarë, kolegë, familjarë, miq dhe përfaqësues institucionesh i bënë nderimet e fundit.

Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti tragjik me motorr në zonën e Porto-Novës, pranë Vlorës, duke lënë pas bashkëshorten, dy fëmijët dhe një trashëgimi të çmuar në gazetari.

Gjatë karrierës së tij ai raportoi nga Vlora për ngjarjet më të rëndësishme, kronikën, zhvillimet sociale dhe turizmin, duke u shquar për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, cilësi që i siguruan respektin e kolegëve dhe besimin e publikut.

Pasioni për gazetarinë e shoqëroi që në fëmijëri. Në vitin 1997, kur ishte vetëm 11 vjeç, ai iu bashkua kampit misionar "Alba" në rolin e përkthyesit, një eksperiencë që, sipas rrëfimeve të tij, ndikoi në zgjedhjen e profesionit të gazetarit.

Edhe pse prej vitesh jetonte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mehmeti nuk u shkëput kurrë nga Vlora dhe angazhimi i tij profesional. Gazetari vijoi të raportonte për zhvillimet në qytetin e lindjes, duke mbetur një zë i njohur dhe i besueshëm për publikun.

kreu i klsh arben shehu enrik mehmeti

Lini një Përgjigje