Aktori i njohur turk Burak Çelik është përballur me një situatë të papritur ligjore, e cila e detyroi të ndërpresë pushimet familjare në Antalya dhe të kthehet menjëherë në Stamboll.
Sipas mediave turke, ndaj aktorit ishte lëshuar një urdhër ndalimi, për të cilin ai u njoftua gjatë orëve të para të ditës. Në atë moment, Çelik ndodhej në Antalya së bashku me bashkëshorten e tij, Ece Bayrak, e cila është në muajin e shtatë të shtatzënisë.
Pas marrjes së njoftimit, çifti u nis menjëherë drejt Stambollit. Për shkak të shtatzënisë së Ece Bayrak, gjatë udhëtimit u tregua kujdes i veçantë për gjendjen e saj shëndetësore.
Me të mbërritur në Stamboll, Burak Çelik zhvilloi fillimisht një takim me avokatin e tij për të shqyrtuar procedurat ligjore. Më pas, i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor, ai u paraqit në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë, ku dha deklaratën e tij para autoriteteve.
Verifikimet zgjatën për disa orë dhe, pas përfundimit të procedurave, aktori u la i lirë gjatë mbrëmjes, duke u rikthyer pranë familjes së tij.
Deri tani nuk janë bërë publike detaje mbi arsyen e urdhrit të ndalimit apo natyrën e hetimit. Edhe vetë Burak Çelik nuk ka reaguar publikisht për ngjarjen.
Aktori, me origjinë shqiptare, pritet të rikthehet në ekran në sezonin e ri televiziv me serialin "Haysiyet", pas vlerësimeve që mori për rolin e tij në "Yeraltı".
Lini një Përgjigje