Nis numërimi mbrapsht për “mjeshtrin e orëve”....
Pas tetë vitesh në detyrë, pozicioni i Emmanuel Macron si president po vihet nën presion për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare ose për të dhënë dorëheqjen, teksa kriza politike në Francë përshkallëzohet.
Macron dikur e quante veten maître des horloges (mjeshtër i orëve), por kontrolli i tij i kohës nuk është ai që ishte më parë. Për herë të tretë brenda një viti, kryeministri i zgjedhur prej tij ka dhënë dorëheqjen dhe sondazhet tregojnë se pothuajse tre të katërtat e votuesve mendojnë se edhe presidenti duhet të japë dorëheqjen.
Édouard Philippe, kryeministër nga viti 2017 deri në vitin 2020 dhe tani udhëheqës i një partie aleate me Macronin, tha se duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme presidenciale sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm.
Macron u rizgjodh në prill 2022 për një mandat pesëvjeçar, por që nga zgjedhjet e parakohshme legjislative në vitin 2024, të emëruarit e tij si kryeministra nuk kanë qenë në gjendje të mbledhin shumicën parlamentare për të miratuar një buxhet.
Por me shumë gjasa, Macron do të shpërndajë parlamentin dhe nuk do të japë dorëheqjen.
Çfarë ndodhi?
Kryeministri Sébastien Lecornu njoftoi dorëheqjen e tij, vetëm pas vetëm 26 ditësh në detyrë. Disa orë më vonë ai tha se kishte pranuar kërkesën e Macron për të qëndruar edhe për 48 orë të tjera për të zhvilluar bisedimet e fundit me partitë politike lidhur me stabilitetin e vendit.
Këto ndryshime, ishin të fundit në një seri të gjatë trazirash që filluan me vendimin e Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor të vitit 2024. Rezultati ishte një parlament i varur në të cilin partnerët e qendrës së Macron humbën shumicën e tyre dhe u detyruan të kërkonin aleanca me parti të tjera.
Dorëheqja e Lecornu-së u parashikua nga Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau, udhëheqës i republikanëve.
Bëhet fjalë për borxhin e Francës
Sfida e madhe me të cilën përballen Lecornu dhe dy paraardhësit e tij ka qenë se si të trajtojnë borxhin kombëtar shkatërrues të Francës dhe të kapërcejnë përçarjet ideologjike midis partive të qendrës që mund të jenë pjesë e një qeverie.
Në fillim të këtij viti, borxhi publik arriti në 3,345 miliardë euro, ose pothuajse 114% e prodhimit ekonomik (PBB), i treti më i lartë në eurozonë pas Greqisë dhe Italisë. Deficiti buxhetor i Francës këtë vit parashikohet të arrijë në 5.4% të PBB-së.
Kryeministri francez François Bayrou humbi votën e besimit që kishte kërkuar për qeverinë e tij.
Asambleja Kombëtare e Francës votoi me 364 vota kundër 194 për ta shkarkuar nga detyra dhe për të rrëzuar qeverinë e tij pakicë.
Lecornu nuk arriti as të paraqiste një plan buxheti. Kritikat vërshuan nga të gjitha anët sapo ai prezantoi kabinetin e tij të dielën pasdite dhe deri të hënën në mëngjes, kishte vendosur që pozicioni i tij ishte i paqëndrueshëm.
Ai ia faturoi largimin e tij qëndrimit të palëkundur të partive, të cilat, sipas Lecornu "sillen sikur të kishin shumicën".
Të gjitha partitë i kanë sytë te zgjedhjet e ardhshme presidenciale në vitin 2027 dhe po përgatiten gjithashtu për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në rast se Macron shpërndan përsëri parlamentin.
Cilët janë figurat kryesore në këtë krizë?
Udhëheqësit që i kanë bërë thirrje Macronit të japë dorëheqjen për muaj të tërë janë të krahut të djathtë dhe të majtës radikale.
Marine Le Pen dhe udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella, janë gati për zgjedhje dhe e kanë refuzuar ftesën e Lecornu-së për të folur.
Jean-Luc Mélenchon i partisë së majtë radikale France Unboëed (LFI) ka kërkuar shkarkimin e Macronit, megjithëse kjo duket e pamundur. Ai mbështetet nga të Gjelbrit.
Socialistët e qendrës së majtë të Olivier Faure ishin aleatë të së majtës radikale gjatë zgjedhjeve të fundit, por kanë folur me Lecornu-n me kusht që ai të formojë një qeveri të krahut të majtë.
Pastaj është Gabriel Attal, i cili drejton partinë qendrore të Rilindjes të Macronit, por ka thënë se nuk i kupton më vendimet e presidentit.
Dhe në qendër të djathtë është Bruno Retailleau, republikanët e të cilit kanë qenë pjesë e të ashtuquajturës socle commun (platformë e përbashkët) me centristët.
Çfarë ndodh tani?
Lecornu ka qenë në diskutime të thella me përfaqësuesit e partisë dhe ka afat deri të mërkurën në mbrëmje për t'i paraqitur Macronit një "platformë veprimi dhe stabiliteti".
Ekzistojnë katër mundësi dhe asnjëra prej tyre nuk duket e mirë:
1-Nëse Lecornu arrin t’i bindë partitë e qendrës të formojnë një lloj qeverie, atëherë Macron do të jetë në gjendje të emërojë një kryeministër të ri, kushdo që të jetë ai. Lecornu ka lënë të kuptohet se nuk dëshiron ta marrë përsipër këtë detyrë, megjithëse kjo nuk është një “jo” përfundimtare.
2-Shenjat nuk janë të mira. Kur dha dorëheqjen të hënën, Lecornu tha se: “Isha gati për kompromis, por të gjitha partitë donin që pala tjetër të miratonte programet e tyre në tërësinë e tyre”. Por, Franca duhet të miratojë një lloj buxheti për vitin 2026 për të trajtuar borxhin e saj kombëtar dhe fraksionet e dinë këtë.
3-Nëse Lecornu dështon, Pallati Elize ka lënë të kuptohet se Macron do të "merrte përgjegjësi". Kjo ndoshta do të thoshte zgjedhje të reja parlamentare, të cilat do të ishin lajme të këqija për aleatët e tij të qendrës dhe socialistët, por do të përfitonin në veçanti Tubimin Kombëtar të Marine Le Pen, një parti e djathtë ekstreme. Zgjedhjet do të duhej të zhvilloheshin maksimumi 40 ditë pas shpërbërjes së parlamentit që do të thotë votim në nëntor.
4-Presidenca e Macron përfundon pas 18 muajsh, por ai po përballet me thirrje në rritje për të dhënë dorëheqjen. Ai ka refuzuar vazhdimisht zgjedhjet e parakohshme presidenciale, por kjo nuk është e përjashtuar. Ish-ministri i Macron, Benjamin Haddad, argumenton se dorëheqja e tij nuk do të kishte kuptim pasi presidenti i ardhshëm do të përballet me të njëjtin problem: "Përçarja politike do të qëndrojë".
Edhe pa një marrëveshje qeveritare, partitë mund të linin mënjanë mosmarrëveshjet e tyre në parlament dhe të arrinin në një kompromis mbi një buxhet të kufizuar. Por politika franceze nuk njihet për kulturën e saj të kompromisit.
Si po reagon Macron?
Pasi kryeministri i tij i tretë gjatë vitit të kaluar njoftoi dorëheqjen e tij të hënën, Macron bëri një shëtitje të gjatë përgjatë lumit Sena, me celularin në vesh.
Një manovër për kamerat? Ndoshta, por ishte simbolike e natyrës së vetmuar të pozicionit të tij, ndërsa përballet me disa nga zgjedhjet më të vështira të presidencës së tij dhe disa nga ish-aleatët e tij duket se po e braktisin.
Por presidenti do t’i ketë ditur prej kohësh sfidat politike që e presin dhe nuk është nga ata që dorëzohen pa luftuar ose pa një përpjekje tjetër për të stabilizuar një Francë gjithnjë e më të paqeverisur. Ekziston një ndjesi se koha mund të jetë duke mbaruar për ‘zotin e orëve’./Përshtati “Pamfleti” nga “BBC”.
Lini një Përgjigje