Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi nevojën që arritja e paqes në Ukrainë të shoqërohet me garanci të forta dhe të përhershme sigurie.
Këtë deklaratë udhëheqësi francez e bëri gjatë bisedës telefonike që pati, së bashku me udhëheqës të tjerë evropianë, me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili do të takohet ditën e nesërme në Shtetet e Bashkuara me Donald Trump.
Siç raportohet nga Pallati Elize, qëllimi i bisedës ishte t’i shprehej presidentit ukrainas mbështetja e Evropës dhe Kanadasë në kuadrin e bisedimeve që ai do të zhvillojë me presidentin amerikan.
Sipas njoftimit nga presidenca franceze, Franca synon të bashkëpunojë ngushtë me SHBA-në për çështjen e garancive të sigurisë, bazuar në vendimet e miratuara në kuadër të Aleancës së të Vullnetshmëve, drejtuesit e së cilës janë Franca dhe Britania.
Së fundmi, presidenca franceze thekson se evropianët duhet të marrin pjesë në të gjitha konsultimet që i shqetësojnë, ndërsa dënon sulmet e fundit ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës.
Sipas mediave të huaja, Zelensky tha se takimi i sotëm me Trump do të përqendrohet në një plan paqeje prej 20 pikash të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, si dhe në propozime të veçanta për garancitë e sigurisë së SHBA-së.
Ndërkohë, Kremlini tha se ndihmësi i lartë i Presidentit Vladimir Putin ka zhvilluar bisedime të mëtejshme me zyrtarë amerikanë në telefon dhe se Rusia është zotuar të vazhdojë me negociatat.
Rusia ka folur për "përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm" në bisedime, por nuk ka komentuar ofertën e Zelenskyt për të tërhequr trupat nga Donbasi lindor, nëse edhe Rusia tërhiqet.
Ukraina është përpjekur të sigurojë garanci nga SHBA-të si pjesë e një marrëveshjeje, dhe Zelensky ka sugjeruar që një "zonë e lirë ekonomike" e demilitarizuar është një mundësi reale për zonat e Donbasit që Rusia nuk ka arritur t'i marrë me forcë.
Të premten, Zelensky tha se kishte marrë një përditësim mbi bisedimet e fundit teknike nga negociatori i tij më i lartë, Rustem Umerov.
Ai shkroi në rrjetet sociale: “Nuk po humbasim asnjë ditë. Kemi rënë dakord për një takim në nivelin më të lartë me Presidentin Trump në të ardhmen e afërt. Shumë gjëra mund të vendosen para Vitit të Ri”.
Një takim në Shtëpinë e Bardhë midis Zelenskyt dhe Trump në shkurt, i pari pasi presidenti amerikan u rikthye në detyrë, u shndërrua në një përballje armiqësore me britma, megjithëse takimi i tyre më i fundit në Shtëpinë e Bardhë në tetor ishte shumë më miqësor.
Lini një Përgjigje