Presidenti rus, Vladimir Putin ka paralajmëruar se nëse Ukraina nuk dëshiron ta zgjidhë në mënyrë paqësore konfliktin që e nisi Rusia, atëherë Moska do t’i arrijë qëllimet e saj me forcë.
Sipas mediave të huaja, për të përforcuar mesazhin e tij, presidenti rus veshi uniformën ushtarake.
Lufta e Putin kundër Ukrainës filloi kur forcat e tij nisën një pushtim në shkallë të plotë pothuajse katër vjet më parë.
Nga ana tjetër, në një reagim të fundit Zelensky deklaroi para takimit me Trump në Florida se Rusia nuk dëshiron paqe.
Zelensky akuza të forta Putinit, pak orë para takimit kritik me presidentin Trump
Pak orë para takimit të tij kritik me presidentin amerikan Donald Trump në Florida, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky akuzoi drejtpërdrejt homologun e tij rus Vladimir Putin se “nuk dëshiron paqe”, pas sulmit ajror më të gjatë të këtij viti ndaj kryeqytetit ukrainas, në një kohë kur Kievi po përpiqet të forcojë pozicionin e tij diplomatik përpara një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Sulmi ajror rus ndaj Kievit dhe zonës përreth zgjati pothuajse 10 orë, me të paktën dy të vdekur dhe 44 të plagosur, mes tyre dy fëmijë, sipas autoriteteve lokale. Forcat ajrore ukrainase njoftuan se Rusia lëshoi gjithsej 519 dronë dhe 40 raketa brenda një nate.
Sulmet goditën kryesisht infrastrukturën energjetike dhe civile, duke shkaktuar probleme serioze në furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje. Sipas ministrit Oleksii Kuleba, më shumë se 40% e banesave në kryeqytet mbetën pa ngrohje, ndërsa sirenat e alarmit ajror ranë gjatë gjithë ditës.
Zjarre shpërthyen në punishte makinash dhe pallate banimi, ndërsa të moshuarit u detyruan të evakuohen nga një qendër kujdesi, sipas shërbimeve të emergjencës së Kievit.
Lini një Përgjigje