TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota27 Dhjetor 2025, 22:52

Nesër takimi me Trump, Zelensky merr "bekimin" e liderëve të BE

Shkruar nga Pamfleti
Nesër takimi me Trump, Zelensky merr "bekimin" e liderëve
Zelensky doke telefonuar liderët e BE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi një seri takimesh virtuale me liderë të rëndësishëm evropianë dhe të NATO-s në prag të takimit të tij të shumëpritur me Donald Trump në Florida, duke paralajmëruar një fazë vendimtare për të ardhmen e paqes në Ukrainë. Ai u shpreh se me partnerët e “grupit të Berlinit” janë diskutuar “dokumentet kryesore që do të jenë në qendër të takimit me presidentin Trump”, me fokus te siguria dhe ekonomia.

Sipas tij, “90 për qind e 20 pikave tona tashmë janë të finalizuara, sepse kemi zgjidhje”, ndërsa shtoi se “disa mund të mos i pëlqejnë, por ato ekzistojnë”. Zelensky ka konfirmuar se Ukraina do të përfitojë nga fondi i miratuar prej 100 miliardë dollarësh nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka theksuar se garancitë e sigurisë që i duhen Ukrainës “duhet të ofrohen nga SHBA dhe partnerët evropianë”.

Në mesazhin e tij pas video-konferencës me liderët evropianë dhe përfaqësues të NATO-s, ku morën pjesë figura të njohura si Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Donald Tusk, Ursula von der Leyen dhe të tjerë, Zelensky falënderoi aleatët për “bashkërendimin dhe mbështetjen” dhe tha se “do të vazhdojmë bisedën nesër, pas takimit me presidentin Trump”.

Ai u shpreh se qëllimi është ndërtimi i një qëndrimi të përbashkët, të qartë dhe të fortë, për të shmangur që Vladimir Putin të manipulojë situatën dhe të evitojë një marrëveshje reale. “Janë të domosdoshme pozicione të forta si në vijën e frontit, ashtu edhe në diplomaci, që Putini të mos ketë mundësi të shmangë një fund të drejtë dhe real të luftës”, tha Zelensky, duke shtuar se “bota ka mjaftueshëm fuqi për të garantuar sigurinë dhe paqen”.

Me këtë qëndrim të qartë përpara takimit me Trump, presidenti ukrainas po përpiqet të mobilizojë mbështetjen ndërkombëtare dhe të përforcojë kornizën e planit të paqes, duke e prezantuar Ukrainën si një palë konstruktive me propozime konkrete për zgjidhje.

 

zelensky rusia iukraina

Lini një Përgjigje