Nga Genova në Gaza: Skema e Hamasit që vepronte në emër të ndihmës humanitare
Autoritetet italiane kanë goditur një rrjet të dyshuar financiar të Hamasit në Itali, duke arrestuar nëntë persona të akuzuar për financim të terrorizmit dhe përfshirje në veprimtari me karakter subversiv. Sipas hetimeve të Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, në bashkëpunim me Digos-in e Genovës dhe Gardën e Financës, rreth 7 milionë euro të mbledhura në emër të ndihmës humanitare për popullin palestinez janë devijuar drejt Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Bashkimi Evropian dhe përgjegjëse për sulmin e 7 tetorit në Izrael dy vite më parë.
Në qendër të hetimit janë tre shoqata bamirësie me bazë në Itali: Shoqata Bamirëse e Solidaritetit me Popullin Palestinez, e themeluar në Genova në vitin 1994, një organizatë vullnetare e krijuar në vitin 2003, si dhe shoqata “La Cupola d’Oro” e hapur në Milano po atë vit. Sipas prokurorëve, këto struktura janë administruar nga Mohammad Hannoun, i konsideruar si figurë kyçe e krahut të jashtëm të Hamasit dhe në krye të asaj që hetuesit e përshkruajnë si “qeliza italiane” e organizatës. Të arrestuarit akuzohen për krijimin e një strukture të qëndrueshme me qëllim financimin e terrorizmit, përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkombëtar me rrjete të ngjashme jashtë Italisë.
Hetimi ka përfshirë bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht me autoritetet holandeze, për të rindërtuar lidhjet mes shoqatave bamirëse dhe Hamasit, si dhe rrjedhën e fondeve drejt Gazës, Territoreve Palestineze dhe Izraelit. Sipas prokurorisë, më shumë se 71% e fondeve të mbledhura janë transferuar përmes skemave të ndërlikuara bankare dhe ndërmjetësish drejt shoqatave të shpallura të paligjshme nga shteti izraelit, të lidhura drejtpërdrejt ose të kontrolluara nga Hamasi. Mes përfituesve përmendet edhe Osama Alisawi, ish-ministër në qeverinë de facto të Gazës, i cili sipas hetuesve ka kërkuar në mënyrë të përsëritur mbështetje financiare.
Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, e cilësoi operacionin si shumë të rëndësishëm dhe domethënës, duke theksuar se, pa paragjykuar parimin e prezumimit të pafajësisë, hetimet kanë zbuluar se pas iniciativave të paraqitura si humanitare fshihej mbështetje konkrete për një organizatë terroriste islamiste. Ai nënvizoi profesionalizmin e forcave të rendit dhe aftësinë e tyre për të ndjekur flukse financiare ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë një tjetër provë të nivelit të lartë të strukturave italiane të antiterrorizmit.
Nga ana tjetër, drejtuesit e prokurorisë kanë sqaruar se hetimet ndaj këtij rrjeti nuk minimizojnë në asnjë mënyrë krimet e kryera kundër popullsisë palestineze gjatë operacioneve ushtarake izraelite pas 7 tetorit 2023, për të cilat pritet vlerësimi i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Megjithatë, ata theksojnë se këto krime nuk mund të përdoren për të justifikuar aktet terroriste të Hamasit, të cilat, sipas jurisprudencës, mbeten të tilla edhe kur kryhen në kontekst konflikti të armatosur.
Sipas dosjes hetimore, Hannoun akuzohet se, për më shumë se dy dekada, ka drejtuar ose kontrolluar shoqata të ndryshme bamirësie për të vazhduar financimin e Hamasit, edhe pasi sistemi financiar kishte ndërhyrë për të bllokuar transfertat. Hetuesit flasin për një strategji të mirëstrukturuar, pjesë e një projekti më të gjerë të Hamasit për të ndërtuar qeliza operative jashtë Lindjes së Mesme, përfshirë në Itali, të afta për të siguruar fonde dhe mbështetje logjistike.
Në kuadër të hetimit janë dokumentuar edhe transfertat e shumave të mëdha nga Italia dhe vende të tjera, si Turqia, drejt Gazës, si dhe roli i bashkëpunëtorëve në Toskana dhe Milano. Autoritetet italiane theksojnë se ky rast hedh dritë mbi mënyrën se si strukturat e kamufluara si bamirëse mund të përdoren për të financuar terrorizmin ndërkombëtar, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë publike ndaj krizave humanitare. /Pamfleti
Lini një Përgjigje