Dhe sigurisht, teza më konspirative nga të gjitha: “Zelensky po e zgjat qëllimisht luftën, për të qëndruar sa më gjatë në pushtet”…
Kiev - Propaganda ruse po përgatitet të fokusohet tek dy çështje jetike që lidhen me Ukrainën këtë vit. Së pari, Moska po përfiton tashmë nga shqetësimet e shkaktuara në publik mbi mobilizimin e trupave të reja ukrainase përpara 2 vjetorit të fillimit të pushtimit rus.
Prioriteti i dytë, është i përqendruar tek një njeri:propagandistët e Kremlinit do të drejtojnë harxhojnë jo pak energji dhe kohë, në përpjekje për të dëmtuar legjitimitetin e presidentit Volodymyr Zelensky. Në maj të këtij viti, përfundon zyrtarisht mandati 5-vjeçar i këtij të fundit, dhe është ende e paqartë nëse zgjedhjet e reja do të mbahen në kushtet e një lufte që vazhdon.
Në dallim nga dispozitat e detajuara në Kushtetutën e Ukrainës mbi zgjatjen e mandatit të 2 dhomave të parlamentit, Rada dhe Verkhovna, gjatë gjendjes së luftës apo gjendjes së jashtëzakonshme, ka një mungesë të dukshme të udhëzimeve specifike mbi dispozitat e veçanta për postin e presidentit.
Dhe ky vakuum, lejon interpretime dhe spekulime të ndryshme, duke krijuar një mjedis ku legjitimiteti i Zelensky mund të bëhet një çështje shumë e diskutueshme. Nga njëra anë, Kushtetuta parashikon një mandat 5-vjeçar për presidentin, dhe ndërsa ana tjetër, i jep mundësi atij të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, derisa atë rol ta marrë një pasardhës i sapozgjedhur.
Duke e pranuar se hartuesit e Kushtetutës së Ukrainës, ka të ngjarë të mos kenë parashikuar skenarin e një luftë në shkallë të plotë, mund të supozohet se fryma e ligjit ka më shumë rëndësi sesa interpretimi i fjalëpërfjalshëm i tij. Por kjo nuk i hedh poshtë sfidat e mundshme për legjitimitetin publik të Zelenskit, përpara përfundimit zyrtar të mandatit të tij 5-vjeçar në muajin maj.
Kjo dobësi, do ta ekspozojë kreun e shtetit ndaj kontrolleve dhe kritikave të shtuara. Kundërshtarët e tij do të gjejnë argumente të reja për ta sulmuar në mediat sociale, duke monitoruar më nga afër veprimet e Zelensky-t dhe duke sfiduar me më shumë zell vendimet e tij.
Çdo gabim apo llogaritje e gabuar, ka të ngjarë të sjellë një kosto edhe më të madhe se më parë. Metaforikisht, rezidenca presidenciale në rrugën Bankova, do të shndërrohet në një “shtëpi prej xhami”, e ndjeshme ndaj “gurëve” që hidhen jo vetëm nga Rusia, por potencialisht edhe nga brenda Ukrainës.
Ndërsa ata që i besojnë kreut të shtetit, nuk do të flasin mbi “mungesën e legjitimitetit” të Zelensky-t, ajo që ka qenë kryesisht një mbështetje e fortë e tyre që nga 24 shkurt 2022, do të përballet me sprovat e saj më të vështira deri më sot. Imagjinoni sikur keni pasur gjithmonë një antipati të fortë personale për Volodymyr Zelensky-n.
Origjina e tij si një aktor komik që hyri në politikë ju ka mërzitur vazhdimisht. Ju votuat kundër tij në pranverën e 2019-ës, u mërzitët me fitoren e tij në zgjedhje, dhe patët një vlerësim negativ ndaj presidencës së tij deri në ditën kur ai iu kundërvu pushtimit rus. Megjithatë, ju keni vazhduar të ushqeni një antipati ndaj tij.
Dhe në pranverë të këtij viti, do të prezantoni disa teza të hartuara me kujdes që dalin nga propaganda e Kremlinit:” Zelensky nuk është më një president legjitim”, “Zelensky e ka zgjeruar në mënyrë arbitrare pushtetin e tij”, “Zelensky është bërë një Car”, “Zelensky nuk ka të drejtë
të sundojë shtetin...”.
Dhe sigurisht, teza më konspirative nga të gjitha “Zelensky po e zgjat qëllimisht luftën, për
të qëndruar sa më gjatë në pushtet”. Tani i gjendur përballë këtyre tregimeve, a nuk do t’i shfrytëzonit si një mundësi të shumëpritur, për të larë hesapet me dikë që nuk ju ka pëlqyer asnjëherë?
A nuk do të shfrytëzonit pozitat e tij të dobësuara? Ose a mund të ngriheni mbi inatet personale, të silleni me mençuri, dhe të shmangni cenimin e legjitimitetit të presidentit, duke kuptuar ndikimin e mundshëm mbi të ardhmen e Ukrainës?
Pjekuria qytetare
Që nga 24 shkurt i vitit 2022, shoqëria ukrainase është përballur me çështjen se ku përfundon kritika e lejueshme ndaj qeverisë në një kohë lufte, dhe ku fillon solidariteti i drejtpërdrejtë me armikun e jashtëm. Pranvera e këtij viti, do ta përcaktojë këtë kufi në një mënyrë tërësisht të re.
Të kritikosh vendimet e kreut të shtetit është një gjë; ndërsa të deklarosh se kreu i shtetit nuk
ka të drejtë të marrë asnjë vendim është një tjetër. Sfidimi i veprimeve specifike të ndërmarra nga presidenti aktual është një gjë; ndërsa mohimi i legjitimitetit të tij një gjë krejt tjetër.
Në rastin e parë, sulmet synojnë garantuesin e shtetit të së drejtës, ndërsa në të dytin, jo vetëm që po e sulmoni personalisht presidentin, por në analizë të fundit po e dobësoni shtetin ukrainase në mesin e një lufte brutale ndaj Rusisë. Muajt e ardhshëm, do të shërbejnë si një provë vendimtare e pjekurisë qytetare dhe përgjegjësisë politike për të gjithë kundërshtarët e Volodymyr Zelensky-t. Ato do te jenë vendimtare edhe për presidencën e tij.
Një shtëpi prej xhami
Do të ishte një marrëzi të pretendohet se për Zelensky-n nuk do të ndryshojë asgjë në pranverë të këtij viti. Presidenti dhe ekipi i tij, duhet ta pranojnë se do të vihet në pikëpyetje legjitimiteti i tij publik. Dhe kjo nënkupton gjetjen e qasjeve të reja ndaj politikës së brendshme, mënyrave të reja për të përforcuar shoqërinë ukrainase, zotërimin e metodave novatore për t’iu kundërvënë propagandës ruse, dhe eksperimentimin përmes mënyrave të ndryshme për të komunikuar më mirë me kundërshtarët e brendshëm politikë në Ukrainë. Po ashtu, kjo do të thotë se vënia në pikëpyetje e kreut të shtetit gjatë sfidave që paraqet periudha e luftës, nuk do të thotë domosdoshmërisht se dikush është armik i shtetit. Siç e thotë edhe fjala e urtë “Ata që jetojnë vetë në shtëpi prej xhami, nuk duhet të hedhin gurë ndaj të tjerëve”. /Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje