TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Mars 2023, 08:10

Zelensky fton Xi Jinping në takim, Putin fillon testet e raketave balistike

Shkruar nga Pamfleti
Zelensky fton Xi Jinping në takim, Putin fillon testet e raketave balistike
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një intervistë ekskluzive dhënë për Associated Press në bordin e një treni që e transportonte atë nga Sumy në Kiev, ftoi presidentin e Kinës, Xi Jinping në Ukrainë.

Kjo ftesë e Zelenskyt kundrejt Xi Jinping, vjen pasi ky i fundit u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, ndërsa është treguar i gatshëm edhe të ndërmjetësoje bisedime mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti ukrainas thotë se është gati që të ulet dhe të flasë me homologun e tij kinez.

"Ne jemi gati ta shohim atë këtu. Dua të flas me të. Kam pasur kontakte me të para luftës. Por gjatë gjithë këtij viti, më shumë se një viti, nuk kam pasur asnjë", tha Zelensky.

Nga ana tjetër, Moska ka hedhur akuza kundrejt Gjermanisë duke thënë se ajo është e përshirë në luftë, ndërsa i tha ‘ok’ dërgimit të tankeve Leopard në Ukrainë.

"Gjermania luan një rol aktiv në 'pompimin' e armëve në Ukrainë dhe kjo rrit përfshirjen e saj direkte dhe indirekte në luftë"”, tha zëdhënësi i Moskës, Dmitry Peskov.

Gjithashtu një stërvitje në shkallë të gjerë të Forcave Raketore Strategjike filloi sot në Rusi. Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Mbrojtjes e Moskës, e cituar nga mediat lokale, duke specifikuar se në manovra përfshihen mbi 3000 ushtarë. Stërvitja do të përfshijë veçanërisht formacionet e raketave Omsk dhe Novosibirsk, të pajisura me lëshues të lëvizshëm Yars. Manovrat do të zhvillohen në territorin e tre rajoneve të paspecifikuara ruse.

Po sot ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian do të vizitojë Moskën, ku janë planifikuar bisedime me homologun e tij rus, Serghei Lavrov.

Ndërkohë në Ukrainë pritet të mbërrijë kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi. Ai do të vizitojë centralin bërthamor të Ukrainës në Zaporizhia, i pushtuar nga forcat ruse dhe siguria e të cilit është shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar.

xi zelensky

Lini një Përgjigje