Ish-shefi i Wagner, Yevgeny Prigozhin u vra në një atentat me bombë, të organizuar nga aleati më i vjetër i Vladimir Putin. Deklarata vjen nga një oficer i inteligjencës ruse.
Prigozhin, i cili u vra kur avioni i tij u rrëzua mbi Rusi më 23 Gusht të këtij viti, nisi një kryengritje kundër Ministrisë së Mbrojtjes ruse në Qershor, pas përplasjeve të gjata mes zyrtarëve, mbi drejtimin që duhet të merrte lufta në Ukrainë.
Në atë kohë, Kremlini mohoi çdo përfshirje të mundshme në vdekjen e tij dhe i cilësoi qëndrimet e inteligjencës perëndimore mbi përgjegjësinë e Putin, si “gënjeshtra absolute”.
Tanimë është një oficer i inteligjencës ruse që thotë se një ish-oficer i KGB-së dhe aleati i vjetër i Putin Nikolai Patrushev, u mor personalisht me planifikimin e operacionit që kishte të bënte me vendosjen e një bombe poshtë krahut të avionit të Prigozhin.
Fillimisht Patrushev kishte paralajmëruar se Prigozhin ishte bërë i rrezikshëm dhe nuk po tregonte më respekt për Kremlinin pasi kishte dëgjuar një telefonatë ku ai kritikonte Putin për mungesën e furnizimeve në fushëbetejë në Ukrainë, sipas asaj që shkruan Wall Street Journal.
Pas këtij momenti, Patrushev nisi që t’i japë urdhra asistentit të tij që të niste me planifikimin e një operacioni për ta hequr qafe Prigozhinin. Po sipas Wall Street Journal, Putinit iu treguan planet dhe nuk i kundërshtoi.
Një bombë e vogël u vendos poshtë krahut të avionit të tij Embraer Legacy 600, ndërkohë që Prigozhin dhe 9 të tjerë prisnin të hipnin në të, në aeroportin e Moskës.
Të 10 personat që ndodheshin në bord mbetën të vrarë, përfshirë Prigozhin, 4 truprojat e tij, 3 anëtarë të ekuipazhin dhe 2 persona të tjerë që ishin të rëndësishëm në grupin Wagner.
Megjithatë, Kremlini i ka hedhur poshtë raportimet për përfshirjen e Patrushev duke i cilësuar ato si fantazi. “Kohët e fundit, fatkeqësisht, Wall Street Journal ka qenë shumë e angazhuar për të prodhuar ‘pulp fiction’”, tha në një reagim zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Lini një Përgjigje