Veprimet aktuale të Xi, i përshtaten shumë qartë modeli të dikurshëm të Maos. Kjo është shenjë se situata brenda Kinës është më e keqe nga sa duket së jashtmi. Për më tepër, ky model sjelljeje na paralajmëron se Xi mund të mos frenohet sot nga SHBA, pavarësisht sa koalicione formon Uashingtoni apo se sa armë i dërgon Tajvanit...
Tajvani gjendet në “një situatë të rrezikshme”. Kështu deklaroi Zyra e Çështjeve të Tajvanit në Këshillin Shtetëror të Kinës mbi republikën ishullore, menjëherë pasi presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi një paketë ndihme që përfshinte edhe Tajvanin.
E kush mund të mos bjerë dakord me vlerësimin e situatës nga qeveria kineze? Tek e fundit Xi Jinping, e ka përgatitur ushtrinë e tij për një pushtim përgjatë Ngushticës së Tajvanit dhe flet gjatë gjithë kohës për fillimin e luftës. “Guxo të luftosh!” është fraza e tij e re e preferuar.
Por ai zgjodhi të mos luftonte në shkurt, kur pati mundësinë e përsosur për ta bërë këtë. Dy peshkatarë kinezë u mbytën atë muaj, pasi u ndoqën nga roja bregdetare e Tajvanit. Në vend të sulmit, ushtria e Kinës u angazhua në disa stërvitje teatrale dhe provokuese ajrore dhe detare pranë vendit të incidentit, në ishullin Kinmen të Tajvanit.
Njëkohësisht, organet e propagandës së Pekinit ishin në funksion të plotë duke paralajmëruar dhe kërcënuar. Megjithatë në fund. Xi nuk dërgoi anijet dhe trupat e tij të zbarkonin në plazhet e Tajvanit. Dhe pikërisht qëndron enigma:udhëheqësi autoritar i Kinës flet vazhdimisht sikur do të sulmojë fqinjët dhe autorizon gjatë gjithë kohës stërvitje ushtarake.
Megjithatë lëvizjet e tij aktuale, nuk duket se synojnë të përmbushin qëllimet e tij të deklaruara. Madje veprimet e Xi janë kundër-produktive, pasi vendet në periferinë e Kinës, nga Australia në jug dhe deri në Korenë e Jugut në veri, po kundërpërgjigjen duke kërkuar mbrojtjen e Amerikës, dhe duke shpenzuar akoma më shumë për mbrojtjen.
Në fakt Xi, po nxit krijimin e koalicioneve të mëdha, të frikshme dhe të qëndrueshme kundër Kinës së tij. Për shembull në vitin 2021, Australia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja formuan AUKUS, pjesë e të cilës shumë shpejt mund të jetë edhe Japonia. Japonia dhe SHBA-ja kanë organizuar gjithashtu dy grupime joformale, JAROKUS, që përfshin Republikën e Koresë së Jugut, dhe JAROPUS me Republikën e Filipineve.
Për shkak se udhëheqësi i Kinës po angazhohet në sjellje në politikën e tij të jashtme që nuk kanë shumë kuptim - Barbara Tuchman e quan “marrëzi” qasjen kur vendet zbatojnë politika në kundërshtim me interesat vetjake - ne dimë se diçka e rëndë po ndodh në kryeqytetin Pekin.
Brenda regjimit po ndodhin trazira. Charles Burton i institutit të mendimit, Sinopsis, me qendër në Pragë të Republikës Çeke, më tha këtë javë se “një pjesë e rëndësishme e udhëheqjes ushtarake të Kinës kundërshton çdo lloj veprimi ushtarak ndaj Tajvanit”.
Ka raporte se Liu Yazhou, një ish-gjeneral i forcave ajrore kineze, i konsideruar si një nga mendimtarët kryesorë ushtarakë të vendit, u dënua me vdekje në vitin 2022 - vendim i zbuluar vetëm në fillim të vitit të kaluar - për shkak se kundërshtoi idenë e pushtimit të republikës ishullore.
Që nga ajo kohë, në ushtrinë kineze ka pasur shumë spastrime, sidomos tek Forca Raketore, e cila kontrollon pothuajse të gjitha armët bërthamore të Kinës. Vitin e kaluar, u zëvendësuan 2 drejtuesit kryesorë të Forcave Raketore. Të paktën 70 ushtarakë në këtë degë të ushtrisë, thuhet se janë zhdukur vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar.
Po në korrik të vitit të kaluar, para pushkatimeve masive, shefi i Departamentit të Tretë të Forcave Raketore kreu vetëvrasje duke u varur. Ndërsa në fund të dhjetorit, mësuam se 5 komandantë aktualë ose të mëparshëm të asaj dege, u shkarkuan nga Komiteti i Përhershëm i Kongresit Popullor Kombëtar dhe nga vetë organi më i lartë legjislativ i Kinës.
Me sa duket, janë shkarkuar edhe drejtuesit e kompanive shtetërore ushtarake më të mëdha në vend. Tre prej tyre u larguan po në dhjetor 2023, me vendim të organit më të lartë këshillues të Kinës, Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez.
Pastaj ka edhe diçka tjetër jashtëzakonisht të çuditshme:Ministri i fundit i Mbrojtjes, gjenerali Li Shangfu, i emëruar më 12 mars të vitit të kaluar, u pa për herë të fundit në publik më 29 gusht, dhe u shkarkua zyrtarisht nga detyra më 24 tetor 2023. Pasuesi i tij u emërua vetëm më 29 dhjetor.
Mandati i shkurtër - edhe pse konsiderohej si i përzgjedhuri i Xi Jinping - dhe intervali i gjatë dhe i pashpjegueshëm midis zhdukjes dhe zëvendësimit, tregon se ka pasur një përplasje të madhe me shefin e madh.
Grindja në kupolën e ushtrisë - Ushtria Çlirimtare Popullore i raporton direkt Partisë Komuniste dhe jo shtetit kinez - përputhet me lëvizjet e pashpjegueshme të personelit në nivelet më të larta të sistemit politik. Edhe më e habitshme është zhdukja e një tjetër bashkëpunëtori të ngushtë të Xi, ish-Ministrit të Jashtëm Qin Gang.
Ka zëra se ai është gjallë. Por zëra të tjerë pretendojnë se ai është ekzekutuar ose ka kryer vetëvrasje. “Zhdukjet e jashtëzakonshme nga skena të Ministrit të Jashtëm, Qin Gang, dhe të figurave të larta ushtarake, po ndodhin pa asnjë shpjegim të mundshëm”- thotë Burton, i cili dikur ka shërbyer si diplomat i Kanadasëz në Pekin.
“Shpeshtësia e tyre dhe fakti që të sapo-spastruarit kanë qenë të gjithë të lidhur ngushtë me Xi Jinping, sugjeron fillimin e një përmbysjeje politike që po del jashtë kontrollit, dhe që është e paprecedentë në historinë komuniste kineze”- shton ai.
Sigurisht, trazirat politike në kryeqytetin kinez nuk i sjellin ndonjë gjë të mirë botës. Duket sikur Xi po kopjon hap pas hapi një faqe nga manuali i heroit të tij. Mao Ce Duni, udhëheqësi i parë i Republikës Popullore, kërcënonte në shumë raste fqinjët si një mjet për të mobilizuar popullin kinez, dhe për të parandaluar sulmet nga armiqtë e tij politikë.
Maos i pëlqente të citonte të filozofin e lashtë kinez Mencius, mbi nevojën kritike që një vend të ketë patjetër një armik. Mao nuk donte luftë me Bashkimin Sovjetik në marsin e vitit 1969. Megjithatë gati provokoi një luftë tjetër në ishullin Zhenbao - sovjetikët e quajtën Damansky - pasi urdhëroi vrasjen e trupave sovjetike si një mjet për të bashkuar popullin kinez.
Veprimet aktuale të Xi, i përshtaten shumë qartë modeli të dikurshëm të Maos. Kjo është shenjë se situata brenda Kinës është më e keqe nga sa duket së jashtmi. Për më tepër, ky model sjelljeje na paralajmëron se Xi mund të mos frenohet sot nga SHBA, pavarësisht sa koalicione formon Uashingtoni apo se sa armë i dërgon Tajvanit.
Duket se udhëheqësi i Kinës po reagon kryesisht - ose ndoshta vetëm - ndaj presioneve të brendshme. Nëse kjo është e vërtetë, të tjerët nuk mund të bëjnë ndonjë gjë të madhe për të ndaluar shpërthimin e luftës së ardhshme në Azi./Përshtati Pamfleti nga “Newsweek”
Shënim: Gordon G.Chang, analist dhe autor i librave “Rënia e ardhshme e Kinës” dhe “Kina po shkon në luftë”.
Lini një Përgjigje