
Sot është një ditë votimesh edhe për Turqinë, ku diskutohet fati politik i Erdogan, i cili është në krye të shtetit prej dy dekadash. Sipas raportimeve të mediave të huaja, mësohet se atje ka nisur procesi i votimit. Banorët po shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e ri dhe anëtarët e parlamentit të ri të vendit. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe pritet të mbyllen në orën 17:00. ‘Aljazeera’ raporton se parashikimet dhe komentet rreth votimit janë të ndaluara deri në orën 18:00, mediat janë të lira të raportojnë vetëm për rezultatet e zgjedhjeve që vijnë nga e gjithë Turqia pas kësaj ore.
Në fletëvotimet për zgjedhjet presidenciale janë katër kandidatë. Rexhep Tajip Erdogan , 69 vjeç, në pushtet prej 20 vitesh, kandidon për rizgjedhje. Ai është kandidat i Partisë Konservatore Islamike për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Rivali i tij kryesor është Kemal Kilicdaroglu, kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP), socialdemokrate.
Turqit do të zgjedhin një president dhe parlament për një mandat pesë-vjeçar. Për të fituar presidencën në raundin e parë, një kandidat duhet të marrë më shumë se 50 për qind të votave të hedhura. Nëse asnjë kandidat nuk siguron shumicën sot, raundi i dytë do të mbahet më 28 maj. Rreth 64 milionë persona janë të regjistruar në listat zgjedhore (nga 85 milionë banorë gjithsej). Prej tyre, 3.4 milionë kanë votuar tashmë jashtë vendit. 5.2 milionë të tjerë janë të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë.
Lini një Përgjigje