Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës ka rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme dhe të pakushtëzuar të Bashkimit Evropian për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Në një postim në rrjetin social X, Von der Leyen theksoi se “Evropa vazhdon të qëndrojë pranë Ukrainës” përballë asaj që e cilësoi si “luftë agresioni të dhunshme” nga Rusia. Ajo nënvizoi se mbështetja e BE-së mbetet e fortë, si në aspektin politik, ushtarak ashtu edhe financiar.
Sipas Presidentes së Komisionit Evropian, këtë vit Ukraina do të përfitojë një paketë mbështetjeje financiare prej 28.3 miliardë eurosh, e cila synon të mbulojë nevojat urgjente ushtarake dhe të forcave të armatosura të vendit.
Gjatë bisedës telefonike u diskutua edhe për procesin e integrimit evropian të Ukrainës. Von der Leyen deklaroi se javët e ardhshme do të jenë vendimtare, duke sinjalizuar mundësinë e hapave të rëndësishëm përpara në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Bashkimi Evropian e konsideron mbështetjen për Ukrainën si një prioritet strategjik të lartë, duke theksuar se kjo mbështetje do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme, derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.
Lini një Përgjigje