TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Qershor 2024, 19:03

Viktor Orban me shpatulla pas murit; kush pritet ta zëvendësojë ‘Edi Ramën’ e Hungarisë

Shkruar nga H.David Baer

Viktor Orban me shpatulla pas murit; kush pritet ta zëvendësojë

Megjithatë, pa një kolaps të bazës dhe një përçarje të hapur në partinë e tij, është e vështirë të imagjinohet se ai Orbán do të heqë dorë vullnetarisht nga pushteti.

“Fati është një dashnore lozonjare!”, thuhet të ketë thënë Napoleon Bonaparti përpara humbjes së tij në Betejës e Borodinos përballë rusëve. “Unë e kam thënë shpesh këtë, dhe tani po filloj ta përjetoj”. Fjalë shumë të mençura që ndoshta vlejnë edhe sot për Viktor Orbán, për të cilin disa kanë thënë se vuan nga sindroma e Bonapartizmit.

Që kur fitoi zgjedhjet e vitit 2022 me një rezultat shumë të thellë, duke e dobësuar opozitën dhe qeverisur në mënyrë autoritare, ai është përballur me vështirësi në rritje, të cilat në fund i kanë sjellë edhe një kosto politike. Për herë të parë që nga ngjitja në pushtet në vitin 2010, Orbán përballet me një kundërshtar politik, ndaj të cilit s’mund të gjejë asnjë argument për ta mposhtur.

Fjala është për një ish-anëtar i rrethit të brendshëm të partisë së tij, i cili është kthyer kundër dhe ka përmbysur ekuilibrat në politikën hungareze. Fenomeni politik është 43-vjeçari Péter Magyar. Falë tij, partia e Orbán, Fidesz, pati paraqitjen e saj më të dobët në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në fillim të këtij muaji.

Rëndësia e asaj që ndodhi mund të neglizhohet, pasi Fidesz ka arritur ende të marrë përqindjen më të lartë nga të gjitha partitë, 45 për qind. Por kjo shifër, është dukshëm më e vogël se 53 për qind që mori Fidesz në zgjedhjet evropiane të vitit 2019, 51 për qind që mori në 2014-ën dhe 56 për qind në vitin 2009.

Partia e Péter Magyar, Tisza, nuk ekzistonte deri disa muaj më parë. Por në zgjedhjet e fillimit të këtij muaji, mori gati 30 për qind të votave. Asnjë parti opozitare nuk ka arritur ndonjëherë një sukses të tillë që nga ardhja e Orbán në pushtet. Këtë vit, shumica e partive opozitare nuk arritën të kalonin as pragun prej 5 për qind që duhet për të siguruar mandatet parlamentare.

Ndaj janë të rrezikuara të zhduken nga skena politike. Efekti më i menjëhershëm i ngritjes së Magyarit, ka qenë rënia e opozitës së vjetër. Kjo gjë ka shkaktuar njëfarë shqetësimi tek disa analistë, që janë skeptikë mbi kredencialet demokratike të kujtdo që vjen nga Fidesz.

Por siç e thekson analisti liberal Bálint Magyar, historia hungareze është plot me reformatorë që janë kthyer kundër sistemit nga i cili dolën. Për këtë mjafton të kujtojmë komunistët që udhëhoqën Revolucionin Hungarez të vitit 1956. S’ka asnjë mënyrë për ta ditur me siguri se çfarë do të bënte Magyar në pushtet, gjithnjë nëse kjo do të ndodhë një ditë.

Megjithatë shkatërrimi i opozitës së vjetër hungareze, ka të ngjarë të jetë një gjë e mirë. Orbán arriti të ketë dominim e thellë elektoral, pjesërisht duke imponuar një sistem zgjedhor ku fituesi i merr të gjitha, i projektuar për një sistem dypartiak për t’u zbatuar në një demokraci parlamentare shumëpartiake.

Për këtë arsye, disa parti opozitare u zvogëluan aq shumë sa u bënë joefektive. Edhe pasi opozita pranoi të bashkonte forcat për të mposhtur Orbán, egot dhe interesat konfliktuale e bënë gati të pamundur bashkëpunimin. Ato u sollën sikur Hungaria të ishte një demokraci normale, duke konkurruar me njëra-tjetrën për pushtete dhe privilegje që kishin në dispozicion brenda sistemit të Orbán.

Në këtë mënyrë, ato u bënë peng në teatrin e brendshëm politik të Orbán, duke e ndihmuar këtë të fundit në ruajtjen e fasadës demokratike, në vend se të ktheheshin realisht kundër regjimit si kritikë të vërtetë të tij. Ndaj duke e shkatërruar opozitën e vjetër, Magyar ka zhdukur nevojën e kompromiseve midis fraksioneve të tyre konkurruese.

Me një shpejtësi tronditëse, Magyar është bërë standardi i qartë i opozitës. Në zgjedhjet e ardhshme, partia e tij do të paraqesë një alternativë të qartë për votuesit që duan të heqin qafe Orbán. Mbështetja ndaj tij nuk kufizohet vetëm tek votuesit e opozitës së vjetër. Ai ka tërhequr rreth vetes edhe votuesit e zhgënjyer të Fidesz.

Partia e tij doli shumë mirë në bastionet e Fidesz-it, dhe akoma më mirë në zonat ku mbështetja për Fidesz ra në mënyrë më dramatike. Pra toka nën këmbët e Orbán ka filluar të lëkundet. Një pjesë e madhe e joshjes ndaj tij mbështetet tek karizma personale, e cila rrjedh nga një kombinim i rinisë, zgjuarsisë dhe imazhit të mashkullit të fortë që dominon në Evropës Lindore.

Magyar nuk impresionohet nga sulmet e mediave shtetërore dhe e di se si të kundërpërgjigjet. Në shumë aspekte, ai i ngjan Orbánit kur ishte i ri. Magyar shkëlqen gjatë fjalimeve, dhe ka si pikë të fortë argumentet që parashtron. Ndërkohë plaku Orbán flet me formula të lodhura dhe e shmang debatin, tamam si një mace që e shmang ujin.
Ashtu si Orbán i ri dikur, Magyar merr energji nga turmat.

Ndërsa Orbán i vjetër ka frikë nga turmat, duke u shfaqur para tyre vetëm në rrethana të kontrolluara. Megjithatë, Magyar ka mësuar disa gjëra nga Orbán i moshuar rreth komunikimit masiv. Ai ka qenë i shkëlqyer në ri-përvetësimin e simboleve kombëtare të Hungarisë - diçka që opozita liberale nuk mund ta bënte kurrë - në një mënyrë që godet në zemër imazhin e Orbán.

Dhe të paktën në një aspekt, Magyar e ka tejkaluar me mjeshtëri. Në dallim nga Orbán, vlerësimi i të cilit për arritjet kulturore hungareze duket se përfundon me Ferenc Puskás dhe Botërorin 1954-ës, Péter Magyar e do poezinë. Dhe poezia, shumë më tepër se futbolli, luan një rol të rëndësishëm në identitetin kombëtar hungarez.

Gjuha që flasin hungarezët nuk është me origjinë indo-evropiane, gjë që e ndan atë nga çdo gjuhë tjetër evropiane, përveç finlandishtes dhe estonishtes. Të kultivosh identitetin hungarez do të thotë të kultivosh gjuhën hungareze, dhe poetët janë kultivuesit më të mirë nga të gjithë.

Poetët e mëdhenj të Hungarisë janë ikona kombëtare. Kur Magyar hyri për herë të parë në politikë, ai formoi një organizatë të quajtur sipas një vargu nga një poezi e Sándor Petőfi, i cili vdiq në betejë duke luftuar për lirinë e hungarezëve në Revolucionin e 1848-ës. Magyar më vonë e lidhi organizatën e tij me partinë politike me një shkurtesë të saj TISZA.

Tisza është gjithashtu emri i një lumi kryesor në Hungarinë lindore, për të cilin Petőfi shkroi një poezi tjetër. Lumi rrjedh ngadalë përgjatë një bregu të ulët, duke e bërë atë të prirur ndaj përmbytjeve. Në penën e Petőfi, Tisza u bë një metaforë për popullin hungarez, i cili mund të keqkuptohet si i përkulshëm dhe pasiv.

Populli hungarez, sugjeron Petőfi, është si lumi Tisza, i heshtur dhe shumë i përvuajtur, derisa, i keqtrajtuar mjaftueshëm, ngrihet si i tërbuar si një lumë që vërshon. Fakti që Magyar mendoi ta lidhte partinë e tij me poemën e Petőfit, ishte një gjetje mjeshtërore në aspektin e komunikimit. Ajo përmbledh në mënyrë të përkryer gjendjen aktuale në Hungari.

Suksesi i Magyar duhet t'i atribuohet edhe energjisë së madhe që zotëron. Në dy muajt para zgjedhjeve, ai vizitoi çdo qark në Hungari dhe qindra qytete dhe qyteza. Madje shfaqej edhe në fshatra të vegjël, duke u përballur me banorët që mund të mos kishin parë kurrë nga afër një politikan kombëtar, përpara se të hipte në pjesën e pasme të një kamioni për t’iu drejtuar turmës.

Asnjëherë si ky stil amerikan i fushatës nuk është parë ndonjëherë në Hungari. Duke e çuar mesazhin e tij drejtpërdrejt tek njerëzit në të gjithë vendin, Magyar arriti të kundërshtojë makinerinë propagandistike të Orbanit, në një mënyrë që nuk ka mundur ta bëjë asnjë figurë tjetër e opozitës.

Pasi ka krijuar një parti të madhe politike nga hiçi brenda 2 muajsh, Magyar duhet ta shoqërojë këtë sukses me forcimin e organizimit dhe infrastrukturën. Zgjedhjet kombëtare janë vetëm 2 vite larg. Në këtë proces, Magyar duhet të vendosë nëse do të afrojë anëtarë të opozitës së vjetër.

Nëse Magyar bashkon forcat me ta, ka të ngjarë të dëmtojë imazhin e tij, që ka të bëjë me lindjen e një epoke të re në politikën hungareze. Por nëse e përjashton opozitën ekzistuese, detyra e tij do të bëhet shumë më e vështirë.
Nëse Orbán nuk do të mundet ta çarmatosë politikisht Magyar, ai ka të ngjarë të modifikojë kushtetutën ose të ndryshojë ligjet zgjedhore, një taktikë që e ka përdorur në të kaluarën pa u ndëshkuar. Megjithatë, pa një kolaps të bazës dhe një përçarje të hapur në partinë e tij, është e vështirë të imagjinohet se ai Orbán do të heqë dorë vullnetarisht nga pushteti./Përshtati "Pamfleti" nga “The Bulwark”

Lini një Përgjigje