Irani është përfshirë nga një valë e re protestash masive, tashmë në ditën e shtatë, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës dhe mungesave të thella ekonomike që po prekin shtresat më të varfra të popullsisë. Protestat kanë shpërthyer me intensitet të veçantë në rajonet perëndimore të vendit, ku jeton një përqindje e konsiderueshme e pakicës kurde.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, gjatë përleshjeve në qytetin Malekshahi, është vrarë një anëtar i Gardës Revolucionare, i identifikuar si Latif Karimi. Sipas raportimit, ai “ra duke mbrojtur sigurinë e vendit”. Më herët gjatë ditës, autoritetet kishin konfirmuar vdekjen e një tjetër pjesëtari të forcave të sigurisë, i cili u vra me thikë dhe armë zjarri gjatë përplasjeve me protestuesit.
Malekshahi është një qytezë me rreth 20 mijë banorë, e banuar kryesisht nga kurdë, një komunitet që prej dekadash gjendet nën vëzhgim dhe represion të vazhdueshëm nga regjimi iranian. Sipas agjencisë tjetër shtetërore Fars, protestuesit kanë tentuar të sulmojnë një komisariat policie, duke u përplasur me forcat e armatosura.
Ndërkohë, regjimi i Teheranit vijon t’i cilësojë protestuesit si “elementë të nxitur nga jashtë” dhe “rrëmujaxhinj”, duke justifikuar përdorimin e dhunës me nevojën për ruajtjen e rendit publik. Pamjet që kanë qarkulluar në rrjetet sociale (të censuruara nga mediat shtetërore) tregojnë skena përplasjesh të ashpra, forca të armatosura në rrugë dhe protesta të zgjatura në qendrat urbane, por edhe në zonat rurale të varfra.
Kjo valë protestash vjen pas një sërë krizash të mëparshme që kanë tronditur vendin vitet e fundit — që nga lëvizja e grave për të drejtat dhe liria e veshjes, deri te trazirat pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila u bë simbol ndërkombëtar i shtypjes brutale në Iran.
Sot, shkak është bërë rritja dramatike e çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjisë, ndërkohë që sanksionet ndërkombëtare dhe menaxhimi i dobët ekonomik po përkeqësojnë situatën ditë pas dite. Inflacioni ka arritur nivele alarmante, ndërsa mospërgjegjshmëria e autoriteteve ka nxitur një pakënaqësi të thellë, që për herë të parë po përhapet gjerësisht edhe në strukturat rurale dhe pakicat etnike.
Protestat në Iran po vëzhgohen me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar, por reagimet zyrtare deri tani kanë qenë të vakëta. Teherani është treguar i pamëshirshëm ndaj çdo zëri kritik, duke vazhduar arrestimet, ndalimet pa gjyq dhe censurën e ashpër të informacionit.
Lini një Përgjigje