
Sfida e vërtetë për Bashkimin Evropian vjen nga Uashingtoni, ku Donald Trump do të rikthehet në pushtet më 20 janar.
Zakonisht, besohet se Bashkimi Evropian përparon më shumë në kohë krize. Nëse kjo është e vërtetë, 2025-a do të ishte padyshim një vit i mrekullueshëm për Evropën. Mjerisht, ky mentalitet është veçanërisht i përhapur brenda flluskës së Brukselit, ku njerëzit bazohen më shumë tek mendimet e dëshiruara sesa tek realiteti politik.
Në fakt, pjesa më e madhe e “progresit” që bën unioni gjatë “krizave”, ka të bëjë me shmangien e përballjes me problemet apo me gjetjen e një zgjidhjeje që çon në mënyrë të pashmangshme në një situatë tjetër kritike. Dhe ky qëndrim, do të çojë pothuajse me sigurinë një tjetër “krizë” këtë vit, ose të paktën në një sfidë të rëndësishme për Evropën.
Në fund të vitit 2024, qeveritë e Francës dhe Gjermanisë, të cilat formojnë të ashtuquajturin “motor i integrimit evropian”, e kanë humbur shumicën parlamentare dhe po ecin përpara me shumë vështirësi. Gjermania do të mbajë muajin e ardhshëm zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Por ndërsa sondazhet tregojnë një fitues të qartë - Unionin Kristiandemokrat konservator CDU/CSU - formimi i një koalicioni do të jetë i vështirë duke pasur parasysh fuqinë e Alternativa për Gjermaninë (Afd), një nga partitë e pakta të ekstremit të djathtë, ndaj të cilave forcat e tjera kanë zbatuar ende politikën e “kordonit sanitar”.
Në të kundërt, presidenti francez Emmanuel Macron vazhdon të favorizojë me kokëfortësi qeveritë e koalicionit, që nuk kanë një shumicë të vlefshme parlamentare.
Dhe siç ndodh shpesh kur përballet me mungesën e progresit të brendshëm, presidenti francez e kthen vëmendjen te politika e jashtme, veçanërisht ajo evropiane.
Duke e anashkaluar Gjermaninë, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë, ai po kërkon gjithnjë e më shumë mbështetje në Evropën Qendrore dhe Lindore, sidomos në Poloni, i mbështetur me entuziazëm nga Përfaqësuesja e re e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, estonezja Kaja Kallas, e konsideruar si tejet anti-ruse.
Por pavarësisht entuziazmit për mbajtjen e një qëndrimi të ashpër ndaj Moskës dhe mbështetjes së fortë për Ukrainën nga disa udhëheqës në rajon, kundërshtimi më i fortë ndaj kësaj linje, vjen nga lindja e kontinentit (sidomos nga Hungaria dhe Sllovakia).
Sigurisht, sfida e vërtetë për Bashkimin Evropian vjen nga Uashingtoni, ku Donald Trump do të rikthehet në pushtet më 20 janar. Pavarësisht se nuk ka vizion për një rend botëror alternativ, presidenti i zgjedhur i SHBA-së po rrezikon pjesën më të madhe të imazhit të tij politik me “arritjen e paqes” në Ukrainë, dhe sigurimin që Shtetet e Bashkuara të mos i japin më Kievit ndihma financiare dhe ushtarake.
Sa i përket Evropës, Trump është anti-Biden, një atlantist i epokës së Luftës së Ftohtë, në kundërshtim me shumë anëtarë të partisë së tij dhe me një pjesë të elektoratit të tij. Për Trump, BE është së pari një konkurrente dhe pastaj aleate. Po kështu, ai e sheh NATO-n më shumë si një vend ku ofrohet mbrojtje në këmbim të parave, sesa si një aleancë të sigurisë kolektive.
Sigurisht, rikthimi i tij në krye të SHBA-së do ta ndryshojë Evropën, por mbetet të shihet nëse kjo do të jetë në drejtim të përparimit. Së pari, ai do të fuqizojë këshilltarët e Trump” të ekstremit të djathtë, si Viktor Orbán në Hungari dhe Giorgia Meloni në Itali.
Më pas, do të sjellë normalizimin e plotë të ideve dhe linjës së tij politike. Kjo jo vetëm që do ta shtyjë BE-në akoma më në të djathtë për çështje si kriza klimatike dhe migracioni - siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme evropiane - por ka të ngjarë të dobësojë edhe mbështetjen për Ukrainën.
Por më e rëndësishmja, zëvendësimi i Biden me Trump do të rëndojë vetë gjendjen e Bashkimin Evropian. Edhe nëse Trump nuk e saboton atë në mënyrë aktive duke vënë qeveritë e tij kundër njëra-tjetrës apo bojkotuar politikën e saj të jashtme duke mbështetur forcat politike që e kundërshtojnë atë, tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Evropa do të lërë një boshllëk politik të madh, që do të duhet të mbushet nga vetë BE dhe vendet e tij anëtare.
Edhe nëse për të flitet rrallë, Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar ndjeshëm në formimin dhe suksesin e Evropës, duke ushtruar presion mbi veprimet dhe vendimet e BE si gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë. Po tani blloku po e humbet njëkohësisht mbështetësin dhe mbrojtësin e tij më të fortë, teksa është më i përçarë se kurrë më parë dhe kur “motorit” të tij tradicional po i mbaron karburanti.
Krizat nuk është e pamundur të kapërcehen, gjë që Evropa e ka bërë në shumicën e kohës, sidomos kur ka pasur mundësi të fshihej pas shpinës së një superfuqie. Por tani ajo duhet të gjejë jo vetëm politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë, por edhe mjetet financiare dhe ushtarake për t’i garantuar ato.
Dhe kjo në një kohë kur e djathta ekstreme po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shumicën e vendeve të BE-së, dhe në të gjitha institucionet kryesore të tij, dhe kur ka një bashkëbisedues dashamirës në Shtëpinë e Bardhë.
Aspekti më befasues i kësaj situate, është se ajo ishte shumë e dukshme për gati një dekadë. Ju mund ta fajësoni Trumpin për shumë gjëra, por jo që ai ka qenë i paqartë mbi atë që dëshiron ose jo. Në mandatin e tij të parë, ai tregoi se e mban atë që premton, dhe se maksimumi “të rriturit në dhomë” mund të kufizojnë vetëm dëmin.
Por me një sjellje tipike evropiane, BE e la mënjanë këtë çështje, duke e harruar shpejt atë pasi Joe Biden i riktheu marrëdhëniet transatlantike në ditët e arta të shekullit XX. Të dëmtuar nga ndasitë e brendshme - si në nivel evropian ashtu edhe kombëtar - politikanët evropianë zgjodhën ta shpërfillnin “elefantin në dhomë”, edhe pse ai po i shikonte në fytyrë, duke buzëqeshur.
Dhe ndërsa debatet mbi “autonominë strategjike”, po e dominojnë sërish flluskën e Brukselit, dhe qindra artikuj dhe editoriale argumentojnë rëndësinë e saj, Bashkimi Evropian ka mbetur sërish prapa. Pa një vizion, dhe nga brenda i përçarë dhe e dobësuar, do të detyrohet të luajë një rol shumë më të madh në konfliktet kryesore në botë, nga Gaza në Siri, në Rusi dhe Ukrainë, dhe do të duhet të veprojë kryesisht vetëm dhe në emergjencë, i pa mbuluar nga Shtetet e Bashkuara, ose për këtë duhet të presë disa vjet.
Një vizion vërtet i zymtë. Sigurisht, përveçse për ata që jetojnë në flluskën e Brukselit dhe besojnë se Evropa lulëzon pikërisht në kohë krize./ Përshtati "Pamfleti" nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje