
Edhe pse Kina ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, ajo ka synuar të pozicionohet si ithtare e “bashkëpunimit fitues “, në kontrast me “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” që supozon ndarjen e botës në blloqe konkurruese.
Në dhjetorin e vitit 1949, Mao Ce Duni shkoi në Moskë për të takuar Josif Stalinin. Udhëheqësi i Republikës Popullore të Kinës, e cila ishte krijuar vetëm disa muaj më parë, do t’i bashkohej liderit të proletariatit botëror për të kremtuar si fitoren e komunizmit në Kinë, ashtu edhe ditëlindjen e 71-të të kryeministrit sovjetik.
Por për Stalinin, Mao nuk ishte i barabartë me të. Sa kanë ndryshuar kohët! Sipas mendimit të Stalinit, Mao ishte i dobishëm vetëm sepse do të ndihmonte përhapjen e komunizmit në të gjithë Azinë. Kështu, në shkurtin e vitit 1950, të dy udhëheqësit nënshkruan Traktatin Kinë-Bashkimit Sovjetik të Miqësisë, Aleancës dhe Ndihmës së Ndërsjellë.
Mao donte më shumë - garanci sigurie në raport me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake - por Stalini ishte “i paangazhuar “. Sipas tij, Mao nuk ishte vetëm më poshtë se ai në staturë - lideri i një vendi fqinj nevojtar me iluzionet e madhështisë - por edhe një barrë.
Ai druhej se lidhjet më të ngushta me Partinë Komuniste Kineze, mund të rrezikonin arritjet e Bashkimit Sovjetik në Azi, dhe të çonin në ndërhyrjen e SHBA-së. Sot është presidenti kinez Xi Jinping. ai që e sheh me përbuzje homologun e tij rus, Vladimir Putin.
Në fakt, vizita shtetërore e Putinit në Pekin në fillim të këtij muaji - udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që kur nisi zyrtarisht mandatin e tij të pestë - ishte praktikisht një pasqyrë e takimit Stalin-Mao 75 vjet më parë. Xi e mirëpriti Putinin në sheshin Tiananmen me një ceremoni solemne.
Ndërsa autokolona e Putinit po shkonte drejt Sallës së Madhe të Popullit, u dëgjuan gjëmimet e të shtënave me top. Orkestra e Ushtrisë Çlirimtare Popullore interpretoi jo vetëm himnin rus, por edhe melodinë “Netët e Moskës”, të dashur prej kohësh nga kinezët e moshuar.
Turma brohoriste. Vizita nuk vuante nga simbolikat dhe propaganda. Por përtej festimit të 75-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis 2 vendeve, takimi shërbeu si nisje për “Vitet e kulturës Kinë-Rusi”, gjatë të cilave do të zhvillohen 230 ngjarje “kulturore dhe artistike” në dhjetëra qytete të të dyja vendeve.
Duke promovuar lidhje të tilla midis 2 popujve, Putin deklaroi se rusët dhe kinezët janë “përgjithmonë vëllezër” - një referencë për një këngë që u kompozua enkas për vizitën e Maos në Moskë - teksa shtoi se kjo është një “frazë kyçe” edhe në Rusi.
Por ky pretendimi ishte i tepruar edhe për propagandistët e Kremlinit. Në fakt, kënga është tallur prej kohësh në Rusi, duke pasur parasysh dështimet e përsëritura në marrëdhëniet Kinë-Rusi, që nga ndarja e dikurshme kino-sovjetike. Disa mund të argumentojnë se stërgjyshi im, Nikita Khrushchev, ishte përgjegjës për shkatërrimin e marrëdhënieve dypalëshe, kur denoncoi Stalinin në vitin 1956.
Por Stalini nuk ka qenë asnjëherë një aleat besnik i Kinës. Siç na e kujtonte Nikita në shtëpi, në vitin 1951, kur Lufta Koreane kishte hyrë në një ngërç, diktatori sovjetik e përqeshte Maon si një luftëtar gueril të pa talentuar. Në çdo rast, Putin nuk ishte në Pekin vetëm për sa për t’u dukur.
Që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës 2 vjet më parë - dhe Perëndimi reagoi me sanksione të paprecedenta - Rusia është bërë shumë e ndërvarur nga Kina. Pra, kur Putini zbarkoi në Pekin, dora e tij praktikisht ishte tashmë e shtrirë. Por Xi, ashtu si Stalini 75 vjet më parë, ka rezervat e tij për këtë aleancë.
Është e vërtetë që Rusia ka leverditë e saj. Siç e vuri në dukje Xi në samitin e fundit, ai i sheh marrëdhëniet dypalëshe si një “faktor në ruajtjen e stabilitetit strategjik global dhe demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare”.
Kjo ndihmon në shpjegimin e arsyes pse, siç e theksoi edhe Putin, të dy vendet kanë krijuar një “portofol me peshë” me investime në 80 projekte të mëdha. E megjithatë, ekzistojnë kufizime të qarta mbi atë që Kina është e gatshme të sakrifikojë për Rusinë.
Duke nisur nga ekonomia. Muajt e fundit, Xi është takuar me disa udhëheqës perëndimorë, si kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken. Të gjithë ata i transmetuan të njëjtin mesazh:nëse Kina vazhdon të furnizojë me materiale dhe teknologji “me përdorim të dyfishtë”, që mund të forcojnë fushatën ushtarake të Moskës në Ukrainë, kompanitë kineze do të përballen me sanksione.
Xi u sigurua të tregohej si i palëkundur në qëndrimin e tij. Por ndoshta nuk është rastësi që eksportet kineze në Rusi kanë rënë, 14 për qind vetëm në mars. Për më tepër, që nga fillimi i këtij viti, Kina ka reduktuar në mënyrë të vazhdueshme dërgesat direkte të makinerive, pajisjeve (përfshirë pajisjet elektrike), pjesëve mekanike dhe të këmbimit në Rusi.
Duke qenë se Kina është burimi më i madh i importeve të Rusisë - rreth 45 për qind të totalit vitin e kaluar - ky është ka qenë shkak për shqetësim në Kremlin. Përveç kësaj, Kina ka zvarritur çështjen e ndërtimit të gazsjellësit të ri “Power of Siberia-2”, i cili do të transportojë gazin rus në Kinë.
I vetëdijshëm se është më superior, Xi pret që Rusia të paguajë të gjithë faturën e madhe të këtij projekti, ndërkohë që do të vazhdojë t’i ofrojë Kinës energji me çmim të reduktuar. Këtë vit, Kina pagoi vetëm 300 dollarë për 1000 metër kub gaz të pompuar përmes gazsjellësit “Power of Siberia-1”, ndërsa Evropa dhe Turqia paguan më shumë se 500 dollarë për të njëjtën sasi.
Përparimi me ndërtimin e “Power of Siberia-2” është aq shumë i rëndësishëm për Putinin, saqë ai mori me vete në Pekin edhe zëvendëskryeministrin rus Alexander Novak, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet energjetike. Por gjithçka që Novak mundë të ofronte pas takimit, ishte një garanci e paqartë se një kontratë do të nënshkruhet “së afërmi”.
E dështuar duket edhe përpjekja e Putinit, si dikur e Maos, për një aleancë të plotë ushtarake, duke përfshirë angazhimet për mbrojtjen e ndërsjellë. Edhe pse Kina ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë, ajo ka synuar të pozicionohet si ithtare e “bashkëpunimit fitues “, në kontrast me “mentalitetin e Luftës së Ftohtë” që supozon ndarjen e botës në blloqe konkurruese.
E përse Xi do të rrezikonte pozicionin e tij, si një lloj kanali komunikues midis Rusisë dhe Perëndimit? Xi nuk është i interesuar për përplasje, ose të paktën jo haptazi, ndërsa axhenda e Putinit nuk përfshin asgjë tjetër përveç grindjeve me Perëndimin.
Dhe në kushtet kur interesat e dy udhëheqësve ndryshojnë kaq shumë, shumëkush pyet veten nëse marrëdhënia kinezo-ruse është e destinuar që të shpërbëhet sërish. Kina dhe Rusia mund të jenë vërtet “vëllezër përgjithmonë”./Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”
Lini një Përgjigje