TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 09:09

Ushtria informon Trump për planet e reja të sulmit në Iran, çmimet e naftës rritje rekord brenda 24 orëve

Shkruar nga Pamfleti

Rritja e çmimeve pasoi raportimet se ushtria amerikane po përgatiste një informim për presidentin Donald Trump mbi opsionet për veprim të mundshëm ushtarak, me qëllim zhbllokimin e situatës dhe rihapjen e një rruge kyçe tregtare.

Ushtria informon Trump për planet e reja të sulmit në Iran,
Ushtria informon Trump për planet e reja të sulmit në Iran

Çmimet globale të naftës kanë arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, pas shqetësimeve për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe mundësinë e një ndërhyrjeje të re ushtarake nga SHBA.

Sipas mediave amerikane, presidenti amerikan Donald Trump është informuar mbi opsionet për një seri sulmesh të synuara ndaj infrastrukturës iraniane, me qëllim rritjen e presionit ndaj Teheranit dhe thyerjen e ngërçit në negociata.

Admirali Brad Cooper, kreu i CENTCOM-it, dhe Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, Gjenerali Dan Caine, e informuan Trumpin mbi planet për sulme të mundshme kundër Iranit, në një takim që zgjati 45 minuta. 

Nga ana tjetër tregu u karakterizua nga luhatje të forta në tregjet energjetike, me çmimin e naftës që arriti deri në 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, përpara se të binte në rreth 114 dollarë.

Rritja u nxit nga raportime se SHBA dhe Izraeli po mbeten në gatishmëri të lartë ushtarake, pavarësisht armëpushimit formal në fuqi.

Sipas Axios, ushtria amerikane po shqyrton mundësinë e sulmeve “të shkurtra dhe të fuqishme” ndaj objektivave strategjikë në Iran.

Megjithatë, analistët theksojnë se luhatjet e forta të çmimeve lidhen edhe me faktorë teknikë të tregut, si skadimi i kontratave të ardhshme të muajit qershor më 30 prill, shkruan BBC.

Nga ana tjetër, Donald Trump ka shprehur optimizëm se çmimet e energjisë do të bien ndjeshëm pas përfundimit të konfliktit.

Në planin diplomatik, tensionet mbeten të larta. Uashingtoni raportohet se ka refuzuar një propozim nga Teherani dhe ka sinjalizuar se do të vazhdojë bllokadën detare derisa të arrihet një marrëveshje për programin bërthamor iranian.

Ndërkohë, të dhënat nga SHBA tregojnë rënie të ndjeshme të rezervave të naftës dhe rritje të eksporteve në mbi 6 milionë fuçi në ditë, duke sinjalizuar një shtrëngim të mëtejshëm të furnizimit global.

Ekspertët paralajmërojnë se pasiguria në tregjet energjetike do të ketë pasoja të gjera ekonomike, duke ndikuar në rritjen e kostove të transportit, plehrave kimike dhe produkteve ushqimore, me efekte të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve dhe aktivitetin e bizneseve.

Kërcënimet ushtarake dhe bllokada në ngushticë tronditin tregjet

Udhëheqësi i ri suprem i Iranit deklaroi të enjten se Republika Islamike do të mbrojë “kapacitetet e saj bërthamore dhe raketore” si asete kombëtare, duke sinjalizuar se Teherani nuk ka ndërmend të tërhiqet nga përplasja aktuale që po ndikon në ekonominë globale.

Deklarata, e lexuar në televizionin shtetëror, erdhi në një moment kur tensionet kanë shkaktuar luhatje të forta në tregjet e energjisë. Çmimi i naftës Brent u rrit përkohësisht mbi 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga viti 2022  përpara se të zbriste në rreth 114 dollarë. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi mesatar i benzinës arriti në 4.30 dollarë për gallon, gjithashtu niveli më i lartë në afro katër vite.

Sipas raportit, një nga planet e Komandës Qendrore të SHBA parashikon një valë goditjesh “të shkurtra dhe të fuqishme” për ta detyruar Iranin të rikthehet në tryezën e negociatave.

Nga ana tjetër, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare paralajmëroi reagim të menjëhershëm nëse SHBA rifillon sulmet. “Me goditje të zgjatura dhe të dhimbshme, do t’u përgjigjemi operacioneve të armikut, edhe nëse ato janë të shpejta dhe të shkurtra,” deklaroi Seyed Majid Mousavi në rrjetet sociale, duke shtuar: “Kemi parë fatin e bazave tuaja të brishta në rajon; do të shohim edhe anijet tuaja luftarake”.

Këto zhvillime pasojnë paralajmërimet e Trump, i cili ka deklaruar se Irani “duhet të veprojë me zgjuarsi sa më shpejt”, ndërsa shqyrton opsione për rihapjen e ngushticës përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës globale.

Qarkullimi në këtë rrugë detare është bllokuar praktikisht që prej sulmeve iraniane ndaj anijeve tregtare, pas ofensivës së përbashkët ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në fund të shkurtit. Në përgjigje, Uashingtoni vendosi bllokadë ndaj porteve iraniane, e cila sipas Trump do të vazhdojë derisa Teherani të pranojë një marrëveshje bërthamore.

Kjo qasje duket se përjashton një propozim të ri iranian për përfundimin e konfliktit dhe rihapjen e rrugës tregtare pa zgjidhur çështjen e programit bërthamor. Trump e përshkroi bllokadën si “disi më efektive se bombardimet”.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, ai u shpreh se masa po jep rezultate.

“Fuqia e bllokadës është e jashtëzakonshme. Ata nuk po marrin të ardhura nga nafta dhe shpresojmë që situata të zgjidhet shumë shpejt”.

Ai shtoi se “Irani është i gatshëm të arrijë një marrëveshje”.

Zyrtarë amerikanë konfirmuan se administrata ka shqyrtuar disa skenarë për menaxhimin e situatës, përfshirë zgjatjen e bllokadës për muaj të tërë dhe ndryshime në praninë ushtarake në zonë, si dhe mundësinë e intensifikimit të operacioneve.

Perspektiva e një ndërprerjeje të zgjatur në këtë nyje strategjike ka shtyrë në rritje çmimet e energjisë, pavarësisht armëpushimit formal. Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi në një konferencë në Paris se “Bota po përballet me një sfidë të madhe ekonomike dhe energjetike”.

 

ushtria informon trump mimet globale të naftës

Lini një Përgjigje