TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 08:30

Regresi në drejtësi, korrupsioni dhe Kosova, BE pezullon fondet për Serbinë

Shkruar nga Pamfleti

Serbia do të humbasë deri në 1.5 miliardë euro financim nga Bashkimi Evropian, për shkak të disa faktorëve kryesorë që janë problemet me demokracinë, nivelin e korrupsionit dhe çështjes së pazgjidhur me Kosovën.

Regresi në drejtësi, korrupsioni dhe Kosova, BE pezullon fondet
Komisionerja Evropiane për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos dhe presidenti Vuçiç

Bashkimi Evropian ka pezulluar ndihmën financiare për Serbinë për shkak të shqetësimeve mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe ecurinë e reformave demokratike në vend.

Sipas mediave në Beograd, këtë e deklaroi Komisionerja Evropiane për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Marta Kos, gjatë një konference.

Ajo theksoi se vendimi lidhet me zhvillimet e fundit në drejtësi.

“Ne kemi pezulluar të gjitha pagesat, sepse po shohim sërish regres në sistemin e drejtësisë. Derisa kjo të korrigjohet, vendi nuk do të mund të përfitojë mbështetje financiare,” u shpreh ajo.

Serbia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por që prej nisjes së negociatave për anëtarësim në vitin 2014, ajo përfiton fonde dhe grante që synojnë mbështetjen e reformave ligjore. Pezullimi i pagesave pritet të vështirësojë më tej procesin e zgjerimit të BE-së në rajon.

Serbia mori statusin e vendit kandidat në vitin 2012, ndërsa negociatat për anëtarësim kanë nisur zyrtarisht në vitin 2014. Megjithatë, BE ka kritikuar vazhdimisht Beogradin për probleme që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e medias dhe standardet demokratike.

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet një nga kushtet kryesore për përparim në procesin e integrimit evropian.

Një tjetër pikë shqetësimi për Brukselin është fakti që Serbia nuk është harmonizuar plotësisht me politikën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, duke ngritur pikëpyetje mbi orientimin e saj gjeopolitik.

Edhe pse Serbia vazhdon formalisht rrugën drejt anëtarësimit në BE, procesi mbetet i ngadalësuar për shkak të disa faktorëve kryesorë: problemeve me demokracinë, nivelit të korrupsionit dhe çështjes së pazgjidhur me Kosovën.

Problemet e BE me Serbinë

Serbia, edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, ka përfituar rreth 7 miliardë euro ndihmë nga BE në më shumë se një dekadë, që prej nisjes së negociatave për anëtarësim në janar të vitit 2014.

Kjo e bën BE-në burimin kryesor të mbështetjes financiare për Beogradin.

Megjithatë, Brukseli ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi për mënyrën se si janë përdorur këto fonde, veçanërisht gjatë presidencës së Aleksandar Vuçiç që prej vitit 2017. Fondet synonin zbatimin e reformave të nevojshme për anëtarësim në BE, por progresi konsiderohet i kufizuar.

Në raportin e Komisionit Evropian për zgjerimin në nëntor 2025, Serbia u krahasua me Turqinë dhe Gjeorgjinë, dy vende ku procesi i afrimit me BE-në ka mbetur në vendnumëro. Ky vlerësim u përsërit edhe nga Komisionerja Marta Kos, e cila deklaroi se “Serbia renditet e fundit për sa i përket ritmit të zbatimit të reformave, duke përmbushur vetëm 30 për qind”.

Një nga shqetësimet kryesore të BE-së lidhet me reformën në drejtësi, të miratuar nga Parlamenti serb në janar të këtij viti. Paketa ligjore synon ristrukturimin e gjykatave dhe ndryshimin e procedurave për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, në Bruksel dhe nga opozita serbe ekziston bindja se qëllimi real është forcimi i kontrollit të qeverisë mbi sistemin gjyqësor, duke cenuar pavarësinë e tij.

Kos e ka cilësuar më herët këtë reformë si “një hap serioz pas” për rrugën evropiane të Serbisë. Ajo theksoi se BE do të vazhdojë ta mbështesë vendin në procesin e integrimit, por pret që qeveria të harmonizojë plotësisht ligjet me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Një tjetër çështje shqetësuese është trajtimi i protestave kundër qeverisë. Pas shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024, një ngjarje që u pa si simbol i korrupsionit dhe mungesës së transparencës, protestat kundër qeverisë u intensifikuan dhe u shndërruan në një lëvizje të gjerë, e udhëhequr kryesisht nga studentët.

Sipas raportimeve, policia serbe ka përdorur në disa raste forcë të tepruar ndaj demonstruesve, veçanërisht gjatë verës së vitit 2025, duke shkaktuar qindra të plagosur. Kos përmendi edhe rastet më të fundit të ndërhyrjeve gjatë protestave të marsit të këtij viti, të organizuara kundër rezultateve të zgjedhjeve lokale, legjitimiteti i të cilave është vënë në pikëpyetje nga vëzhgues ndërkombëtarë.

Mosbesimi në rritje i Brukselit ndaj Beogradit lidhet edhe me politikën e jashtme të Serbisë dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë. Për arsye kryesisht ekonomike, pasi Serbia mbulon mbi 80 për qind të nevojave për gaz nga Rusia dhe Vuçiç ka ndjekur një kurs të ndryshëm nga ai i BE-së pas pushtimit të Ukrainës.

Ai ka refuzuar vazhdimisht të vendosë sanksione ndaj Moskës, pavarësisht thirrjeve të Parlamentit Evropian.

“Si vend kandidat, presim që Serbia të qëndrojë në krahun tonë në politikën e jashtme dhe të afrohet më shumë me qëndrimet tona,” ka deklaruar më herët Marta Kos për Politico. Megjithatë, deri tani nuk ka shenja për ndryshim të këtij kursi.

Ndërkohë që Serbia përballet me kritika, disa vende të tjera kandidate kanë bërë përparim të dukshëm. Mali i Zi ka mbyllur 14 kapituj negociatash, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt brenda një viti, ndërsa Ukraina ka arritur një normë zbatimi reformash prej 87 për qind dhe Moldavia 93 për qind.

Këto të dhëna e bëjnë gjithnjë e më pak të mundur idenë për anëtarësimin e njëkohshëm të të gjitha vendeve kandidate, siç është sugjeruar më parë nga presidenti serb.

 

regresi në drejtësi dhe kosova be pezullon fondet për serbinë

Lini një Përgjigje