TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Prill 2026, 16:25

Ushtarakët pro marrëveshjes, Netanyahu refuzon: pa një ujdi, rikthehet hija e sulmit bërthamor

Shkruar nga Paolo Rossetti
Ushtarakët pro marrëveshjes, Netanyahu refuzon: pa një ujdi,
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu (Ansa)

Një marrëveshje është e mundur vetëm nëse Uashingtoni vepron në mënyrë të pavarur nga presioni izraelit. Ndërkohë, në Izrael po thellohet ndarja mes strukturave të sigurisë dhe lidershipit politik. Dështimi i diplomacisë mund të hapë rrugën për skenarë më ekstremë...

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do t’u rikthehen bisedimeve. Ose të paktën, ekziston mundësia që kjo të ndodhë. Megjithatë, negociatat mund të përfundojnë me sukses vetëm nëse amerikanët vendosin të ndjekin interesat e tyre dhe jo ato izraelite, apo më saktë ato të Benjamin Netanyahut.

Sepse, siç vëren Nima Baheli, analist gjeopolitik dhe i inteligjencës, strukturat ushtarake dhe të inteligjencës izraelite ia kanë bërë prej kohësh të qartë kryeministrit se një marrëveshje me Iranin, edhe për çështjen bërthamore, nuk do të rrezikonte mbijetesën e vendit.

Megjithatë, kryeministri dhe qeveria e tij kanë nevojë për luftën për të qëndruar politikisht në këmbë. Por në mungesë të një negociate që përfundon me sukses, skenarët e luftës mund të marrin përmasa apokaliptike.

Donald Trump ka lënë të kuptohet se nuk përjashton përdorimin e armëve bërthamore, ndërsa Teherani ka sinjalizuar se është i gatshëm të përgjigjet në të njëjtën mënyrë, duke goditur një central bërthamor izraelit.

Në Islamabad, ose sipas disave në Gjenevë, mund të rifillojnë negociatat Iran-SHBA. Atëherë, çfarë pamë të shtunën e kaluar në Pakistan?

Takimi në Islamabad ishte një përpjekje e parë, në të cilën pozicionet maksimaliste iraniane dhe ato amerikane u përballën për të studiuar njëra-tjetrën. Ky ka qenë takimi i nivelit më të lartë në 50 vitet e fundit mes autoriteteve iraniane dhe amerikane.

Nga ana tjetër, gjendja aktuale e konfliktit,  ku SHBA ka arritur disa rezultate dhe iranianët kanë treguar aftësi për rezistencë, e bën këtë moment teorikisht më të favorshëm për një negociatë. Nuk përjashtohet mundësia që këto dy javë armëpushimi të përdoren për të kërkuar një ndërmjetësim mes palëve.

Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance, ka deklaruar se iranianët duhet të dorëzojnë uraniumin e pasuruar dhe të heqin dorë nga arma bërthamore...

Nëse do të synohej realisht arritja e një marrëveshjeje, për Iranin ekzistojnë disa pika të panegociueshme: programi i raketave balistike dhe hipersonike, si dhe mbështetja për aleatët rajonalë si Hezbollahu, milicitë shiite në Irak dhe Houthit.

Megjithatë, Republika Islamike mund të negociojë mbi nivelin e pasurimit të uraniumit dhe një pezullim të përkohshëm të tij për disa vite në këmbim të heqjes së sanksioneve. Ky është një element tjetër thelbësor. Protestat e janarit u nxitën nga kërkesat ekonomike dhe drejtuesit aktualë në Teheran duhet të përpiqen të “normalizojnë” ekonominë e vendit.

Nëse këto janë kushtet e panegociueshme, a mbetet i lartë rreziku që të mos arrihet një marrëveshje?

Kjo varet nga hapësira e veprimit që do të ketë Trump. Nëse do të vendosë në interes të Uashingtonit apo nëse do të marrë parasysh interesat e Tel Avivit. Në rastin e dytë, platforma e tij do të ishte maksimaliste dhe një marrëveshje do të ishte e vështirë të arrihej.

Nëse kërkesat do të përshtateshin vetëm me nevojat e Uashingtonit, do të ishte i arritshëm një version i ri i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur si JCPOA.

Vance ka deklaruar gjithashtu se tani topi është në fushën e iranianëve. Në realitet, a është SHBA-ja ajo që duhet të ndryshojë qëndrim?

Në fakt, përgjegjësia bie më shumë mbi Shtetet e Bashkuara. Ali Khamenei kishte shpallur një fetva që ndalonte prodhimin dhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, duke e bërë atë një çështje jo thelbësore për Iranin. Për pjesën tjetër, elementi i parandalimit që zotëron Irani janë kapacitetet raketore dhe dronët.

Nëse do të hiqte dorë nga këto pa marrë asgjë në këmbim, sidomos përballë një presidenti amerikan me qëndrime të luhatshme, kjo do të përbënte një dorëzim pa kushte dhe disi të paarsyeshëm. Kjo do t’i jepte Shteteve të Bashkuara mundësinë të përcaktonin të ardhmen e Iranit.

Por Teherani ka nevojë për heqjen e sanksioneve. Zhbllokimi i 7 miliardë dollarëve fonde iraniane të bllokuara në Kore dhe Katar nuk do të ishte i mjaftueshëm.

Brezi i ri i drejtuesve në Iran e di se është momenti për të zhbllokuar një situatë shumë konfliktuale sidomos 30 vitet e fundit mes Iranit dhe Amerikës, por edhe Netanyahu është i bindur se nuk ka moment më të mirë për të goditur Iranin, duke parë dobësitë e tij. Si mund detyrohet apo bindet Izraeli të heqë dorë nga ky plan?

Izraelitët janë të vetëdijshëm se në një përballje të drejtpërdrejtë “një kundër një” me Iranin, nuk do të arrinin të triumfonin. Ata kanë nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Nëse Uashingtoni do të deklaronte qartë se nuk dëshiron të përfshihet në këtë luftë, kjo do ta detyronte Tel Avivin të zbusë politikën e tij agresive. Megjithatë, duhet bërë dallimi mes lidershipit politik izraelit dhe strukturave të larta ushtarake dhe të inteligjencës.

Pse?

Sepse këto të fundit kanë theksuar më shumë se një herë se Irani nuk përbën një kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre ishte në favor të marrëveshjes bërthamore të epokës së Obamës.

Nga ana tjetër, kemi një klasë politike të përfaqësuar nga Netanyahu, që ka nevojë për konfliktin për të mbijetuar politikisht. Ata që e njohin më mirë dosjen - pra ushtarakët dhe inteligjenca - janë të mendimit se një negociatë me Teheranin është e realizueshme pa rrezikuar mbijetesën e Izraelit.

Nëse nuk do të kishim asnjë marrëveshje në fund të armëpushimit, çfarë skenari mund të presim?

Nuk është rastësi që Pakistani është ofruar si ndërmjetës për këtë marrëveshje të mundshme. Ai përfaqëson një pikë takimi mes interesave kineze dhe atyre saudite. Ekziston një bashkërendim në zhvillim mes Pakistanit dhe Arabisë Saudite, që reflekton një marrëveshje më të gjerë mes Kinës dhe vendeve arabe të Gjirit, me përjashtim të Emirateve.

Kjo shpjegon edhe qëndrimin e sauditëve kundër bllokadës së Ngushticës së Hormuzit, e cila do të ishte gjithashtu e vështirë për t’u zbatuar në praktikë.

Cilat janë këto vështirësi?

Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e një bllokade detare përballë brigjeve iraniane. Por nëse anijet amerikane do të afroheshin brenda 500 kilometrave nga këto brigje, ato do të rrezikonin të goditeshin. Prandaj, ai ka kërkuar mbështetjen e flotave arabe ose evropiane, për të shërbyer si mburojë. Por mbetet e paqartë nëse kjo do të ishte e pranueshme për opinionin publik në këto vende. Edhe politika e bombardimeve masive mbetet e diskutueshme për nga efektiviteti.

Atëherë çfarë skenari tjetër mund të shohim?

Donald Trump ka lënë të kuptohet, pa e deklaruar drejtpërdrejt, mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore. Në këtë kontekst mund të interpretohen edhe dorëheqjet e fundit në nivelet më të larta ushtarake amerikane, si shenjë e mosgatishmërisë për të ndjekur një qasje të tillë ekstreme.

A mund të arrijnë amerikanët të kërcënojnë realisht me përdorimin e armëve bërthamore?

Teherani e ka marrë në konsideratë këtë mundësi.Disa javë më parë, iranianët goditën me raketa hipersonike zona pranë centralit bërthamor të Dimonës në Izrael. Mesazhi është i qartë: në rastin e një sulmi bërthamor kundër Iranit, ata mund të godasin Dimonën, çka do të përbënte në thelb një sulm bërthamor ndaj Izraelit.

Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të rënda globale, duke rrezikuar të “normalizojë” përdorimin e armëve bërthamore edhe në konflikte të tjera, si në Ukrainë apo Tajvan - një skenar që nuk është në interesin e askujt./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”.

1 Komente

  1. "
    "LUFTA 1967" PO VJEN SHPEJT

    "Qeveria Netanyahu" izraelite ka filluar të vërë në provë durimin e turqve, por ky nuk është një lajm i mirë. Mund të krijojë konflikte të shpejta midis Egjiptit dhe Jordanisë.

    Lini një Përgjigje