Pas 16 vitesh në tryezën e Këshillit, largimi i liderit hungarez nuk garanton fundin e bllokimeve në Bashkimin Europian
Viktor Orban është larguar dhe “kurora” e tij si penguesi kryesor i Bashkimit Europian mbetet tashmë e hapur për t’u marrë nga të tjerë. Ky tranzicion vjen në një moment të ndjeshëm, kur blloku mbështetet te uniteti për të miratuar sanksione, buxhete dhe vendime të tjera që ende kërkojnë unanimitet. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, reagoi menjëherë këtë javë pas humbjes së Orbán duke sugjeruar ndryshime në rregullat e votimit për të shmangur bllokime të ardhshme.
Për vite me radhë, kryeministri hungarez ka përdorur veton për të penguar iniciativa kyçe, veçanërisht për mbështetjen e BE-së ndaj Ukrainës. Pas humbjes së thellë në zgjedhjet e së dielës, ai pritet të zëvendësohet nga Péter Magyar, një figurë e qendrës së djathtë që ka sinjalizuar gatishmëri për bashkëpunim më të afërt me Brukselin.
Disa shpresojnë se fitorja e Magyar do ta bëjë më të lehtë arritjen e konsensusit. “Përshtypja ime është se modeli politik i të qenit një pengues sistemik dhe strukturor u rrëzua me humbjen e rëndë të Fidesz-it,” tha një diplomat i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti.
Megjithatë, largimi i Orbán nuk do të thotë se von der Leyen apo Kievi, mund të ndihen të qetë. Këshilli Europian, ku mblidhen të 27 liderët për të marrë vendime, përfshin ende disa aleatë të tij dhe disa figura të tjera që mund të bëhen pengues të rinj.
Më poshtë janë pesë liderët që mund të marrin këtë rol:
Aleati i afërt: Kryeministri sllovak Robert Fico
Kryeministri i Sllovakisë ka qenë shpesh partneri kryesor i Orbán në përdorimin e vetos, duke bllokuar sanksionet ndaj Moskës dhe duke kërkuar përjashtime nga kredia prej 90 miliardë eurosh e BE-së për Ukrainën. Me largimin e Orbán, Fico mbetet aleati më i afërt i Kremlinit në BE.
“Jam i interesuar të jem një aktor konstruktiv në Bashkimin Europian, por jo në kurriz të Republikës së Sllovakisë,” deklaroi ai verën e kaluar.
Fico paralajmëroi muajin e kaluar se mund të vendosë veto ndaj fondeve për Ukrainën nëse Orbán humbte zgjedhjet. Budapesti ka bllokuar për muaj të tërë shpërndarjen e këtyre fondeve për shkak të një mosmarrëveshjeje me Kievin mbi një tubacion nafte. Ndërkohë, Magyar ka sinjalizuar se nuk do të pengojë BE-në.
Mbetet për t’u parë nëse Fico do ta zbatojë kërcënimin apo do të rreshtohet me qëndrimin e BE-së, pasi më parë ai është tërhequr dhe ka mbështetur vendimet e përbashkëta.
Populisti miliarder: Kryeministri çek Andrej Babiç
Kryeministri i Çekisë, një miliarder 71-vjeçar i quajtur shpesh “Trumpi çek”, ka shfaqur prirje të ngjashme me Orbán. Ai ishte ndër liderët që kërkuan përjashtime nga fondet për Ukrainën dhe ka kërkuar reduktimin e mbështetjes për Kievin.
Babiç gjithashtu ka kritikuar politikat klimatike të BE-së, duke argumentuar se sistemi i kuotave të karbonit dëmton industrinë çeke.
Sipas një diplomati të BE-së, liderët e djathtë pritet të jenë “të vështirë në disa çështje”, por jo domosdoshmërisht bllokues të plotë.
Balancuesja: Kryeministrja italiane Giorgia Meloni
Liderja italiane ka ndjekur një linjë pragmatike ndaj Brukselit, duke balancuar politikën nacionaliste me një qëndrim pro-BE në çështjet ndërkombëtare. Ajo ka bashkëpunuar me liderë të tjerë për të forcuar politikat e migracionit përmes konsensusit.
Një diplomat e përshkroi si “krejtësisht ndryshe” nga Orbán, ndërsa një tjetër theksoi lidhjet ideologjike mes tyre. Në një samit të fundit, Meloni ishte e vetmja që shprehu mirëkuptim për pozicionin e Orbán mbi fondet për Ukrainën.
Populisti në rikthim: Janez Jansa i Sllovenisë
Ish-kryeministri slloven, një figurë e djathtë populiste dhe mbështetës i Donald Trump, mund të rikthehet në pushtet pas zgjedhjeve të fundit. Ende nuk është e qartë nëse ai apo kryeministri aktual Robert Golob do të formojë qeverinë.
Ndryshe nga Orbán dhe Fico, Jansa mbështet anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe ka vizituar Kievin në fillim të pushtimit rus për të treguar mbështetje.
Faktori i paparashikueshëm: Rumen Radev i Bullgarisë
Ish-presidenti bullgar ka krijuar një parti të re dhe pritet të fitojë zgjedhjet parlamentare. Ai ka shprehur qëndrime skeptike ndaj ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke argumentuar se ajo nuk është zgjidhje.
Në vitin 2025, Radev deklaroi se Ukraina është “e dënuar” në luftën kundër Rusisë dhe fajësoi liderët europianë për përshkallëzimin e konfliktit. Qëndrimet e tij kanë shkaktuar reagime të forta, përfshirë një përplasje publike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në vitin 2023.
Sipas analizës së Politico, largimi i Orbán mund të ndryshojë dinamikat brenda BE-së, por nuk eliminon rrezikun e bllokimeve në vendimmarrje, pasi disa liderë të tjerë mund të marrin rol më sfidues në të ardhmen. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje