Donald Trump ka reaguar lidhur me situatën e luftës, duke u ndalur edhe te pasojat ekonomike dhe çmimet e energjisë.
Në një intervistë për Fox News, ai iu referua ndikimit ekonomik të konfliktit me Iranin, duke theksuar se ekonomia amerikane do të përballet me një goditje, por kjo do të jetë e përkohshme.
“Do të ketë një goditje, por do të rikuperohet”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se tregjet do të kthehen në normalitet pas periudhës së pasigurisë që shkakton lufta.
“Iranianët donin të kontrollonin Lindjen e Mesme, por unë e ndalova. Irani pësoi goditje shumë të dhimbshme dhe të ashpra”, tha ai, ndërsa u shfaq optimist për ecurinë e çmimeve të energjisë, duke vlerësuar se çmimi i benzinës do të bjerë ndjeshëm në periudhën në vijim.
Sipas tij, çmimet e karburanteve “do të ulen shumë shpejt dhe në masë të madhe”, duke shprehur bindjen se ato do të jenë “shumë më të ulëta” përpara zgjedhjeve të ardhshme të ndërmjetme në SHBA.
Duke komentuar negociatat me Teheranin, ai theksoi se lufta “është pranë fundit”, por sqaroi se nuk do të ketë “marrëveshje” nëse Irani refuzon të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore.
“Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, përsëriti ai. “Është e mundur të arrihet një marrëveshje me Iranin deri në fund të prillit”, shtoi më tej.
Sa i përket zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit, Trump theksoi se Kina nuk ka shprehur kundërshtime ndaj bllokadës që Uashingtoni ka vendosur ndaj porteve iraniane, duke shtuar se kjo rrugë detare “do të hapet së shpejti”.
Presidenti amerikan foli gjithashtu për marrëdhëniet me Kinën, duke zbuluar se i ka dërguar një letër presidentit Xi Jinping, duke i kërkuar të mos dërgojë armë drejt Iranit. Sipas tij, kishte marrë informacione nga burime të ndryshme se Pekini po shqyrtonte mundësinë e mbështetjes ushtarake për Teheranin. “I shkrova një letër duke i kërkuar të mos e bëjë. Dhe ai më dërgoi një letër duke thënë në thelb se nuk po e bën”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se ruan një marrëdhënie të mirë personale me presidentin kinez, duke theksuar se Xi Jinping është “dikush me të cilin shkoj shumë mirë”.
Në fund, Trump iu referua edhe marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit të vitit 2015, të cilën e cilësoi si “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”, duke argumentuar se i dha Teheranit një “rrugë afatshkurtër” drejt sigurimit të armëve bërthamore.
Në të njëjtin kontekst, ai theksoi se nëse SHBA nuk do të kishte bombarduar instalimet bërthamore të Iranit vitin e kaluar, vendi do të kishte përdorur armë bërthamore kundër Izraelit, fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme dhe kundër vetë Shteteve të Bashkuara.
Lini një Përgjigje