
Ndërsa tensionet globale rriten dhe energjia bëhet armë strategjike, Pekini lëviz me kujdes për të forcuar ndikimin e tij pa provokuar një përballje të drejtpërdrejtë me Uashingtonin
Vizitat dhe kontaktet që janë dendësuar gjatë ditëve të fundit në Pekin - takimi midis Pedro Sánchez dhe Xi-t, vizita e Lavrovit, bisedimet me Emiratet dhe telefonata midis Wang Yi dhe kolegut të tij pakistanez - nuk janë episode të izoluara, por sinjale konvergjente të një riorganizimi në zhvillim.
Kriza në Gjirin Persik po riorganizohet rreth Pekinit. Dhe jo sepse atë e kontrollon Kina, por sepse po bëhet gjithnjë e më e vështirë që situata të menaxhohet pa të. Mjaftojnë disa elementë për të kuptuar rolin që Pekini po ndërton në këtë krizë:
Së pari, Kina po pëson një dëm real dhe të menjëhershëm, të cilin duhet ta kufizojë
Bllokada e ngushticës së Hormuzit godet një interes jetik: energjinë dhe tregtinë globale. Një pjesë vendimtare e importeve kineze kalon përmes kësaj rruge dhe një mbyllje e zgjatur do ta vendoste nën presion të madh furnizimin me energji, prodhimin dhe stabilitetin e brendshëm.
Thelbi i vërtetë qëndron te makroekonomia. Kina ka nevojë për një rritje ekonomike prej 4.5-5 për qind në vit për të ruajtur ekuilibrin e saj të brendshëm. Ajo nuk mund ta arrijë këtë vetëm përmes kërkesës së brendshme, prandaj duhet të mbështetet te eksportet.
Nëse tkurret sistemi global, modeli kinez futet në krizë. Eksportet po ngadalësohen dhe papunësia te të rinjtë është shqetësuese. Për Pekinin, destabiliteti i jashtëm shndërrohet shumë shpejt në një brishtësi të brendshme.
Së dyti, mbi dëmin taktik mbivendoset një fitim strategjik
Kriza aktuale e penalizon Kinën ekonomikisht, por e forcon politikisht. SHBA-ja po shfaqet gjithnjë e më shumë si një aktore shantazhuese, ndërsa Kina si një fuqi e përgjegjshme dhe rregullatore.
Kur Xi përmend “ligjin e xhunglës”, ai nuk po përshkruan, por po akuzon. Ai e ripërcakton krizën si një dobësim të rendit ndërkombëtar, duke fituar kështu legjitimitet në sytë e botës.
Së treti, diplomacia kineze është një diplomaci e ekuilibrit, jo e neutralitetit
Pekini duhet të mbajë bashkë dy nevoja të papajtueshme: të mos humbasë Iranin dhe të mos shkëputet nga SHBA-ja, veçanërisht përpara vizitës së planifikuar të Xi-së në Uashington në mes të majit.
Irani është një partner energjetik dhe një nga nyjet kryesore të projektimit të ndikimit të tij euroaziatik. Ndërsa SHBA-ja mbetet bashkëbiseduesi kryesor sistemik. Synimi i heshtur i Pekinit është një ekuilibër konkurrues i qëndrueshëm me Uashingtonin, një lloj G2-je e pashpallur zyrtarisht.
Për këtë arsye, Kina e kritikon bllokadën amerikane të Hormuzit si “të papërgjegjshme”, megjithatë shmang përplasjen ballore me SHBA-në. Sipas traditës strategjike kineze - harmonisë konfuciane dhe ekuilibrit yin-yang - konflikti nuk eliminohet, por mbahet brenda kufijve që pengojnë shpërthimin e tij.
Së katërti, aktivizmi diplomatik ndërton rol qendror, jo zgjidhje të menjëhershme
Kontaktet me Pakistanin, Rusinë dhe vendet e Gjirit nuk tregojnë kontroll mbi krizën, por pozicionim strategjik. Kina nuk i zgjidh problemet; ajo e bën veten të domosdoshme.
Në këtë kuadër, prania e Lavrovit në Pekin është domethënëse. Moska forcon marrëdhëniet me Teheranin dhe levën energjetike, ndërsa Pekini ofron peshën ekonomike dhe legjitimitetin. Është një koordinim funksional që e rrit koston strategjike për Uashingtonin.
Së pesti, Kina po përpiqet ta shndërrojë konfliktin në levë negociuese
Pekini do të kishte preferuar ta shmangte këtë krizë, por tani kërkon ta përdorë atë. Ai ka ndikim mbi Teheranin për të nxitur një kompromis, por negociata e vërtetë zhvillohet me Uashingtonin.
Në këmbim të një roli konstruktiv, Kina mund të kërkojë lëshime në tregti dhe në skenarin më ambicioz, një “paqartësi strategjike” të shtuar të SHBA-së ndaj Tajvanit. Të dyja fuqitë duan të shkojnë pa konflikte të hapura në samitin e majit.
Edhe episodet e vogla kthehen në sinjale. Kalimi i anijes kineze “Rich Starry” përmes Hormuzit po vë në provë besueshmërinë e SHBA-së. Nëse bllokada nuk ka sukses, Amerika humbet fuqinë parandaluese.
Nëse ajo funksionon dhe dëmton rëndë interesat kineze, rritet rreziku i përplasjes. Pekini nuk po e zgjidh krizën, por po përpiqet ta kalojë atë më mirë se të tjerët, duke e shndërruar dëmin në avantazh: më shumë ndikim dhe një Amerikë më të “burgosur” në rajonin e Gjirit, e rrjedhimisht më pak të lirë për t’u fokusuar te Tajvani.
Aktualisht po shohim një fazë tranzicioni. Kina nuk po imponon ende një rend të ri, por çdo lëvizje e saj po e dobëson atë ekzistues. Ky nuk është ende një rend kinez, por po bëhet gjithnjë e më pak një rend amerikan./ Përshtati "Pamfleti" nga "La Stampa"
Lini një Përgjigje