TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Prill 2026, 10:17

Sllovenia drejt largimit nga NATO? Hijet e Kremlinit prapa kërkesës për referendum

Shkruar nga Pamfleti

 

Sllovenia drejt largimit nga NATO? Hijet e Kremlinit prapa kërkesës
Słoweński M-84. Photo. Andrej S.K

Kryetari i ri i Parlamentit me origjinë serbe, Zoran Stevanoviç, ka njoftuar zyrtarisht mbajtjen e një referendumi për largimin e vendit nga NATO. Kreu i një partie të vogël nacionaliste mban raporte të ngushta me Rusinë dhe pritet të zhvillojë së shpejti një vizitë në Moskë, duke ngritur alarmin për një provokim të koordinuar nga Kremlini...

Zoran Stevanoviç, udhëheqësi i partisë kundër establishmentit Resni.ca (Vërtetësia), u zgjodh Kryetar i Asamblesë Kombëtare Sllovene më 10 prill me votim të fshehtë, me mbështetjen e partisë së tij, Partisë Demokratike Sllovene (SDS) dhe Sllovenisë së Re (NSi).

Fituesi i zgjedhjeve, Lëvizja e Lirisë e Robert Golob, e përshkroi rezultatin si një shembull të “korrupsionit politik”, duke sugjeruar se SDS i ofroi Stevanoviçit postin në këmbim të votave të nevojshme për të formuar qeverinë.

Kjo lëvizje duhet kuptuar kryesisht si një manovër taktike politike. Pas zgjedhjeve parlamentare të 22 marsit, as qendra e majtë dhe as qendra e djathtë nuk siguruan dot shumicën. Partia Lëvizja e Lirisë e Golobit mbeti partia më e madhe, para SDS-së me vetëm një deputet më shumë.

Që qendra e djathtë të formojë qeverinë, i nevojitet mbështetje shtesë parlamentare, duke përfshirë potencialisht votat e deputetëve të partisë Vërtetësia. Ngritja e Stevanoviçit në krye të parlamentit i lejon SDS-së dhe NSi-së që të sigurojnë mbështetje informale nga Vërtetësia pa e përfshirë zyrtarisht atë në koalicionin qeverisës.

Retorika e referendumit përballë realitetit politik

Është e rëndësishme të bëhet dallimi mes deklaratave politike dhe realizueshmërisë së tyre faktike. Thirrjet e Stevanoviçit për referendum shërbejnë kryesisht për funksion komunikues dhe përshtaten brenda një strategjie më të gjerë të mobilizimit të votuesve kundër sistemit.

Ai vetë thekson se veprimet e tij udhëhiqen nga interesi kombëtar i Sllovenisë dhe hedh poshtë etiketimin si pro-rus. Ndaj raportet për një vizitë të mundshme në Moskë mund të shihen si një përpjekje për të forcuar profilin e tij politik, sesa si tregues i ndonjë ndryshimi substancial në drejtimin e politikës së jashtme të Sllovenisë.

Por që nga zgjedhja e tij, Stevanoviç ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme mediatike duke njoftuar planet për një referendum mbi tërheqjen e Sllovenisë nga NATO, me argumentin se partia e tij ia kishte bërë këtë premtim elektoratit të saj.

Është interesant fakti se mediat shtetërore ruse i kanë bërë gjerësisht jehonë këtyre deklaratave, ndërsa Kryetari i Dumës ruse, Vyacheslav Volodin, e përgëzoi publikisht Stevanoviçin për emërimin e tij.

Megjithatë, aritmetika parlamentare e bën një referendum të tillë shumë të vështirë, sepse partia Vërtetësia ka vetëm 5 nga 90 deputetët e parlamentit slloven. Së bashku me Të Majtën - e vetmja parti tjetër sllovene me qëndrim kundër NATO-s - ata kontrollojnë gjithsej rreth 10 vende.

Mbajtja e një referendumi për anëtarësimin në NATO kërkon mbështetjen e të paktën 30 deputetëve, një prag që asnjëra parti, madje as të kombinuara bashkë, nuk mund ta arrijnë realisht. Ndërkohë, të dyja blloqet kryesore politike - qendra e djathtë dhe qendra e majtë - mbeten parimisht pro-NATO-s.

Konsideratat etnike dhe demografike

Përtej dinamikave parlamentare, vlen të analizohet edhe një dimension etnik. Stevanoviç nuk është etnikisht slloven, por një serb i lindur në Slloveni, gjë që mund të formësojë deri diku qëndrimin e tij ndaj NATO-s, Rusisë dhe BE-së, veçanërisht në kontekstin e ndikimit rus në rajon.

Komunitetet me origjinë nga ish-shtetet jugosllave përbëjnë përafërsisht 13 për qind të popullsisë së Sllovenisë, duke përfshirë një numër të konsiderueshëm serbësh. Megjithatë, që nga viti 2002, Sllovenia nuk e ka përfshirë kombësinë në censusin e saj, duke i bërë më të vështira vlerësimet e sakta.

Sidoqoftë, kjo shifër sugjeron një hapësirë potenciale për ndikim që mund të shfrytëzohet nga fushatat e dezinformimit.

Mes retorikës dhe realitetit

Në terma praktikë, çdo qeveri që do të dalë nga negociatat aktuale do të mbetet domosdoshmërisht pro-NATO-s. Ndërsa retorika e Stevanoviçit prodhon tituj lajmesh dhe ofron material të gatshëm për operacionet ruse të informacionit, kufizimet strukturore të parlamentit slloven e bëjnë një referendum për anëtarësimin në NATO praktikisht të pamundur në kushtet aktuale.

Në të njëjtën kohë, nuk duhen anashkaluar faktorët demografikë, pasi ata mund të rrisin ndjeshmërinë e segmenteve të caktuara të shoqërisë ndaj narrativave kundër NATO-s.

Po ashtu, duhet pasur parasysh se çdo tërheqje nga NATO do të ishte një proces afatgjatë dhe me kosto të lartë politike. Në praktikë, asnjë shtet anëtar nuk ka ndjekur rrugën e largimit nga Aleanca, gjë që nënvizon rëndësinë e saj të vazhdueshme për arkitekturën e sigurisë së Perëndimit.

Në rastin e Sllovenisë, një lëvizje e tillë ka të ngjarë të thellonte ndarjet e brendshme politike. Për më tepër, partia e Stevanoviçit mban vetëm një pjesë të vogël të ulëseve në parlament, ndërsa forcat kryesore politike mbeten të palëkundura pro-NATO-s, duke përforcuar orientimin strategjik aktual të vendit.

Në këtë kontekst, situata duhet parë kryesisht si e nxitur nga politika dhe mediat, por edhe në prapaskenë nga Kremlini, sesa si një sfidë e vërtetë për anëtarësimin e Sllovenisë në NATO./Pamfleti nga “Defense 24”



sllovenia nato kremlini referendumi

Lini një Përgjigje