
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky u shpreh se Vladimir Purin ka pritur me qëllimisht përkeqësimin e kushteve atmosferike për të nisur një sulm të madh ndaj sistemit energjetik.
Sipas Zelenskyt, moti ka ulur me 20-30% efektivitetin e mbrojtjes ajrore ukrainase.
“Sulmi kryesor u përqendrua në katër rajone. Besoj se kushtet atmosferike ndikuan negativisht në kapacitetin tonë për të zmbrapsur raketat dhe dronët”, tha ai në një deklaratë nga Kievi.
Gjatë natës, raketa dhe dronë rusë goditën infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe të furnizimit me ujë për mijëra familje në kryeqytetin ukrainas. U ndërpre përkohësisht edhe funksionimi i një linje hekurudhore përgjatë lumit Dnieper.
Sipas Ministrisë së Energjisë, rreth 380 mijë shtëpi mbetën pa energji deri në orët e pasdites.
Megjithatë, kompania më e madhe private e shpërndarjes së energjisë në vend, DTEK, raportoi se ka rikthyer energjinë për të paktën 678 mijë konsumatorë në Kiev.
Zelensky e përshkroi sulmin si “i fuqishëm, por jo fatal”, duke shtuar se 203 objekte energjetike në të gjithë vendin kanë nevojë urgjente për mbrojtje ajrore për të shmangur dëme të ngjashme në të ardhmen.
Zelensky deklaroi gjithashtu se forcat ruse kanë tentuar të avancojnë sërish në afërsi të qytetit Dobropillja, në rajonin e Donetskut, por janë tërhequr pas humbjeve.
Lini një Përgjigje