Valë dhune dhe zjarrvënieje kanë tronditur disa zona të Meksikës, ndërsa banorët dhe turistët në Puerto Vallarta përshkruajnë skena që i krahasojnë me një “zonë lufte”.
“U zgjuam në një realitet tjetër”, tha një banor lokal, duke përshkruar momentet kur qyteti u përfshi nga tymi dhe flakët.
Jerry Jones, një shtetas amerikan që jeton prej katër vitesh në Puerto Vallarta, tregoi për BBC News se gjithçka nisi me pamje të shpërndara në rrjetet sociale.
“Shenja e parë ishte një video e një autobusi që po digjej. Pak minuta më vonë, tymi shihej në të gjithë qytetin”, tha ai.
Sipas Jones, automjete u vendosën në mes të rrugëve dhe më pas u dogjën qëllimisht, ndërsa në një qendër tregtare mbi 30 makina u shkatërruan nga flakët. Ai shtoi se për disa orë nuk pati informacion të qartë nga autoritetet dhe forcat e sigurisë u panë më vonë gjatë ditës.
Marc-André, një krijues përmbajtjeje nga Kanadaja që jeton në qytet, deklaroi në kanalin e tij në YouTube se situata ishte e paprecedentë.
“Kishte zjarre kudo. Qindra makina po digjeshin në të njëjtën kohë. Më pas rrugët u zbrazën plotësisht dhe atmosfera ishte e pazakontë”, u shpreh ai.
Edhe turistë të tjerë raportuan përvoja të ngjashme. Adryan Moorefield nga Dallas tha për CNN se situata ishte “një tronditje e plotë”, ndërsa fluturimi i tij i kthimit u anulua. Ndërsa Tim Spencer nga Toronto deklaroi për CBC News se nga çatia e hotelit ku po qëndronte pa makina dhe dyqane në flakë.
Autoritetet u bënë thirrje banorëve dhe turistëve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura, ndërsa shumë biznese dhe shkolla u mbyllën për arsye sigurie. Për disa orë, sipas dëshmitarëve, qyteti mbeti në një gjendje pasigurie dhe paniku, me rrugë të boshatisura dhe prani të shtuar të forcave të sigurisë më vonë gjatë ditës.
Lini një Përgjigje