
Kur presidenti amerikan Donald Trump u ul muajin e kaluar përballë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, tema kryesore ishte lufta e Rusisë në Ukrainë dhe perspektivat për përfundimin e saj. Por në një moment, Trump e devijoi bisedën drejt politikës së brendshme amerikane.
Zelensky vuri në dukje se në Ukrainë ligji nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së luftës. Trump iu përgjigj me ironi:
“Pra ju thoni se gjatë luftës nuk mund të ketë zgjedhje. Po të them këtë: tre vjet e gjysmë nga tani, do të thotë se nëse ndodh të jemi në luftë me dikë, nuk ka më zgjedhje? Oh, kjo është gjë e mirë.”
Deklarata shkaktoi të qeshura në sallë, por presidenti shtoi me shaka se mezi priste të shihte “çfarë do të bënte fake news me këtë koment”.
Megjithatë, demokratët në SHBA nuk po e marrin me humor. Një numër gjithnjë e më i madh i tyre po paralajmërojnë se Trump mund të ndërmarrë hapa për të anuluar ose manipuluar zgjedhjet, me qëllim ruajtjen e pushtetit. Edhe pse ai nuk e ka thënë qartë një gjë të tillë dhe muajin e kaluar deklaroi se “ndoshta jo” për një mandat të tretë, që gjithsesi ndalohet nga Kushtetuta, Trump ka hedhur herë pas here ide të ngjashme dhe ka kryer veprime të konsideruara anti-demokratike. Lëvizjet e tij për të marrë më shumë kontroll mbi procesin e votimit dhe për të përdorur ushtrinë brenda territorit amerikan kanë ngritur shqetësime serioze.
Një gjyqtar federal madje deklaroi këtë javë se Trump, në praktikë, “po krijon një polici kombëtare me presidentin si shef”.
Guvernatori i Illinois, JB Pritzker, tha të dielën se kërcënimi i Trump për të dërguar trupa në qytete si Çikago është pjesë e këtij plani.
“Qëllimi tjetër është ndalimi i zgjedhjeve të vitit 2026 ose marrja e kontrollit të tyre,” u shpreh Pritzker në emisionin Face the Nation në CBS.
“Ai thjesht do të pretendojë se ka ndonjë problem me zgjedhjet, dhe pastaj ka trupat në terren që mund t’i marrë nën kontroll nëse i lejohet ta bëjë këtë.”
Pritzker, që shihet edhe si një figurë me ambicie për Shtëpinë e Bardhë, e krahasoi situatën me mënyrën se si Adolf Hitleri e shndërroi Gjermaninë në diktaturë brenda 53 ditësh.
“Plani është i njëjtë,” tha ai. “Është bllokimi i medias, krijimi i kaosit që justifikon ndërhyrjen ushtarake. Këto janë skenarë që kanë ndodhur në histori, dhe Donald Trump thjesht po ndjek atë plan.”
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka ngritur një teori të ngjashme. I pyetur për planet e tij për kandidim në vitin 2028, ai hodhi dyshime se zgjedhjet e asaj kohe do të ishin të rregullta, madje nëse do të mbaheshin fare.
Newsom tha se ligji i ri i brendshëm i miratuar nga Trump e ka bërë Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE) agjencinë federale më të financuar në SHBA, duke e kthyer atë në një “polici private” të presidentit. Ai parashikoi që agjentët federalë do të dërgoheshin në qendrat e votimit dhe se Trump do të tentonte të pezullonte zgjedhjet krejtësisht. /CNN
Lini një Përgjigje