Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin shumë pranë nisjes së një sulmi të ri ndaj Iranit, duke theksuar se vendimi u pezullua në momentet e fundit gjatë negociatave në zhvillim.
Gjatë një deklarate për mediat në Uashington, ku foli edhe për projektin e sallës së re ceremoniale në Shtëpinë e Bardhë, Trump u ndal te tensionet me Iranin dhe programi bërthamor iranian.
“Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Ata po luten për një marrëveshje, por mund të na duhet t’u japim një tjetër goditje të madhe. Nuk jam ende i sigurt, do ta dimë shumë shpejt”, deklaroi ai.
I pyetur se sa pranë ishte SHBA-ja një ditë më parë për të goditur Iranin, Trump u përgjigj: “Isha një orë larg. Sulmi do të kishte ndodhur tani”.
Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu demokratët se kanë penguar përpjekjet e tij negociuese me Teheranin, ndërsa theksoi se administrata e tij po bashkëpunon ngushtë me vendet e Gjirit gjatë procesit diplomatik.
Trump argumentoi se kërcënimi bërthamor iranian ishte serioz përpara ndërhyrjes amerikane, duke pretenduar se ekzistonte rreziku që tensionet të çonin në pasoja globale. Në një moment, ai tha se kishte shqetësime edhe për sigurinë e qyteteve amerikane si Los Anxhelesi.
Megjithatë, kritikët e tij dhe ish-zyrtarë amerikanë argumentojnë se administratat e mëparshme kanë arritur ta frenojnë Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore përmes diplomacisë dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Në të njëjtën dalje publike, Trump foli edhe për sallën e re të ceremonive në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar atë si “dhuratën e tij për Shtetet e Bashkuara”. Ai tha se projekti nuk po realizohet për përdorim personal, pasi mandati i tij përfundon shpejt pas përfundimit të ndërtesës, por “për presidentët e ardhshëm dhe për dekadat që vijnë”.
Lini një Përgjigje