Autori i ngjarjes që ka tronditur Turqinë ditën e djeshme, ku mbetën të vrarë gjashtë persona dhe tetë të plagosur është gjetur i vetëvrarë në një zonë pyjore pranë Tarsusit, mes qyteteve Mersin dhe Adana, pas disa orësh kërkimesh intensive nga policia.
Sipas agjencisë turke të lajmeve IHA, autori ishte arratisur menjëherë pas sulmeve dhe ishte fshehur në një zonë të pyllëzuar. Forcat e policisë nisën një operacion të gjerë kërkimi dhe arrestimi, ku u përfshinë edhe helikopterë dhe njësi speciale. Mediat turke raportojnë se 37-vjeçari refuzoi të dorëzohej dhe kreu vetëvrasje sapo u rrethua nga autoritetet.
Agjencia Anadolu bën me dije se para se të niste masakrën, autori vrau ish-bashkëshorten e tij. Pas kësaj, ai u drejtua drejt një restoranti, ku hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty, duke vrarë pronarin dhe një punonjës të lokalit.
Masakra vijoi edhe në zona të tjera. Sipas mediave DHA dhe IHA, 37-vjeçari vrau më pas një bari dhe një shofer kamioni në një pikë karburanti, ndërsa gjatë lëvizjes së tij në disa zona të ndryshme plagosi edhe tetë persona të tjerë.
Një nga të plagosurit, Mehmet Han Topal, punonjës në restorantin ku nisën të shtënat, tregoi momentet dramatike të përjetuara gjatë sulmit.
“Ai hyri pa thënë asnjë fjalë. Mendova se po nxirrte telefonin, por nxori një armë. Arrita të gjunjëzohesha dhe ai më qëlloi”, rrëfeu ai nga spitali ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas autoriteteve lokale në Mersin, autori kishte histori të problemeve me shëndetin mendor dhe varësi nga substancat narkotike. Ai kishte pasur disa shtrime në spital dhe ishte diagnostikuar më herët me çrregullime të ndryshme psikiatrike.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik turk, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj masakre të përgjakshme.
Lini një Përgjigje