Kina ka riafirmuar mbështetjen e saj ndaj Iranit përmes një deklarate të fortë të ambasadorit të saj në Teheran, Zhong Peiwu, vetëm pak ditë pas takimit mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping në Pekin.
Sipas agjencisë shtetërore iraniane ISNA, diplomati kinez theksoi se mbështetja e Pekinit për Iranin është “e qartë dhe e padiskutueshme”, duke nënvizuar se në periudha të vështira dallohen aleatët e vërtetë.
“Në këto rrethana është e vështirë të kuptohet se cilat vende janë miqtë e vërtetë. Ne jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë në rindërtimin e Iranit, jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në arenën ndërkombëtare dhe në mbrojtjen e drejtësisë”, deklaroi Zhong Peiwu.
Deklarata vjen më pak se një javë pas vizitës dyditore të Donald Trump në Pekin, ku zhvilloi bisedime me presidentin Xi Jinping. Megjithatë, sipas mediave ndërkombëtare, pati dallime të dukshme mes mënyrës se si SHBA-ja dhe Kina e trajtuan çështjen e Iranit dhe Lindjes së Mesme në deklaratat publike pas takimit.
Ndërsa pala amerikane i kushtoi më shumë rëndësi tensioneve dhe konflikteve në rajon, Pekini e përmendi Iranin dhe Lindjen e Mesme vetëm shkurtimisht, duke shmangur tone konfrontuese.
Qëndrimi i fundit i Kinës shihet si një sinjal i qartë se Pekini synon të ruajë dhe forcojë lidhjet strategjike me Teheranin, pavarësisht presionit dhe rivalitetit në rritje me Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje