TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Janar 2026, 17:02

Trump dërgon ‘carin e kufijve’ në Minnesota!

Shkruar nga Pamfleti
Trump dërgon ‘carin e kufijve’ në Minnesota!
Tom Homan

Dërgimi i Tom Homan në Minnesota shihet si sinjal se Trump po kërkon ta shtrëngojë edhe më fort kontrollin federal dhe të japë një mesazh politik: administrata nuk ka ndërmend të tërhiqet nga operacionet e emigracionit...

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se po dërgon në Minnesota “carin e kufijve” të administratës së tij, Tom Homan, një nga figurat më të forta dhe më të debatueshme të linjës së ashpër kundër emigracionit. Lajmi u dha nga vetë Trump mëngjesin e së hënës përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, në një moment kur Minneapolis dhe zona përreth janë përfshirë nga protesta dhe tensione pas ndërhyrjeve të agjentëve federalë të emigracionit.

“Po e dërgoj Tom Homan në Minnesota sonte. Ai nuk ka qenë i përfshirë në atë zonë, por njeh dhe i pëlqen shumë nga njerëzit atje. Tom është i fortë, por i drejtë, dhe do të raportojë direkt te unë”, shkroi Trump, duke sinjalizuar një rritje të kontrollit politik nga Shtëpia e Bardhë mbi operacionet federale në shtet.

Në të njëjtin postim, Trump pretendoi pa dhënë prova konkrete se në Minnesota po zhvillohet një “hetim i madh” lidhur me një mashtrim masiv me ndihmat sociale, që sipas tij kap shifrën “mbi 20 miliardë dollarë”, dhe e lidhi këtë direkt me protestat e dhunshme në rrugë. Ky interpretim i Trump është parë si përpjekje për të zhvendosur fokusin nga zemërimi publik për mënyrën si po operon ICE dhe agjencitë e tjera federale në terren.

Përplasja në Minnesota ka marrë përmasa kombëtare pas raportimeve për vrasjen e një qytetari amerikan gjatë një ndërhyrjeje të agjentëve federalë, ngjarje që ka nxitur protesta, kundërshtime nga autoritetet lokale dhe lëvizje ligjore për të kufizuar praninë e forcave federale në shtet. Mediat amerikane raportojnë se është rritur ndjeshëm numri i agjentëve të vendosur në terren, duke e kthyer Minneapolis-in në një nga pikat më të nxehta të konfrontimit politik mes Uashingtonit dhe shteteve.

Një tjetër element që ndezi edhe më shumë debatin ishte sulmi publik i Trump ndaj ligjvënëses demokrate Ilhan Omar, të cilën ai e përmendi me tone denigruese në postimin e tij, duke pretenduar se “Departamenti i Drejtësisë dhe Kongresi po e hetojnë” dhe duke hedhur akuza se ajo, pasi “u largua nga Somalia pa asgjë”, sot “raportohet të vlejë më shumë se 44 milionë dollarë”.

Nga ana tjetër, Omar i ka kundërshtuar publikisht këto pretendime, duke theksuar se nuk është milionere dhe duke i cilësuar raportimet për pasurinë e saj si pjesë e një “fushate të koordinuar dezinformimi të së djathtës ekstreme”.

Dërgimi i Tom Homan në Minnesota shihet si sinjal se Trump po kërkon ta shtrëngojë edhe më fort kontrollin federal dhe të japë një mesazh politik: administrata nuk ka ndërmend të tërhiqet nga operacionet e emigracionit, edhe nëse ato prodhojnë përplasje masive me komunitetet lokale dhe autoritetet e shtetit.

Në terma praktikë, prania e Homan pritet të rrisë presionin dhe intensitetin e operacioneve në terren, sepse ai njihet si një zyrtar që mbështet masa agresive, arrestime të shpeshta dhe një politikë “zero tolerance” ndaj emigracionit të paligjshëm. Por në planin politik, ky veprim rrezikon të thellojë krizën mes Uashingtonit dhe Minnesota-s, duke e kthyer situatën në një betejë të hapur për kompetenca, sovranitet shtetëror dhe kufijtë e përdorimit të forcës nga agjencitë federale. /Pamfleti

tom homan protesta

1 Komente

  1. O
    Opionisti

    Per mua te hetohete tomas homes dhe e dyta kerkoni zgjedhje parakoshme

    Lini një Përgjigje