Nëse Europa nuk ndryshon kurs, "ritualet e turpit" do të shtohen dhe “xhungla” do të fillojë të depërtojë në vetë “arkipelagun e kopshteve”
Analisti britanik Philip Pilkington, në një shkrim të botuar në The American Conservative, argumenton se deklaratat e Donald Trump për Groenlandën nuk janë aq të rëndësishme për vetë ishullin, sa për atë çka zbulojnë për marrëdhënien gjithnjë e më të sëmurë mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës. Sipas tij, qasja agresive e Trump për të “blerë” Groenlandën nuk është një kapriço personale, por një akt simbolik që shpërfaq dobësinë, hipokrizinë dhe narcizmin e elitave europiane, sidomos në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Pilkington thekson se reagimi i liderëve europianë ndaj deklaratave për Groenlandën ishte histerik, ndërkohë që të njëjtët liderë, vetëm pak ditë më parë, kishin mbështetur “operacione policore” jashtë çdo kuadri ligjor ndërkombëtar, si ndërhyrja në Venezuelë. Kjo, sipas tij, është një hipokrizi e qartë, të tronditesh nga sjellja e Trump ndaj një territori që nuk i përket Amerikës, ndërsa përkrah ndërhyrjet agresive në vende të tjera, vetëm sepse nuk prekin “kopshtin” europian.
Ai risjell në vëmendje deklaratat tallëse të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili e quajti Trump “babai” i aleancës, duke ekspozuar – sipas tij – marrëdhënien poshtëruese mes SHBA dhe aleatëve të saj europianë. Në këtë kuadër, ideja e “kopshtit” europian dhe e “xhunglës” që e rrethon, siç e përshkroi Josep Borrell në vitin 2022, përdoret si metaforë kolonialiste për të justifikuar standardet e dyfishta dhe ndërhyrjet e shpeshta në shtetet jashtë Perëndimit.
Sipas Pilkington, kjo nuk është thjesht një shprehje e racizmit neokolonial europian, por edhe një provë se elitat e Brukselit nuk kanë as ndjeshmëri ndaj vetë popujve të tyre. Ai kujton se nuk pati asnjë reagim serioz kur administrata Obama bombardoi Libinë, duke gjeneruar një krizë migratore që shpërbëri shoqëritë europiane; apo kur shpërthimi i gazsjellësit Nord Stream hapi rrugën për de-industrializimin e kontinentit – ngjarje që shumë liderë europianë i pritën me entuziazëm në vend të zemërimit.
Çështja e Groenlandës, sipas tij, është reflektim i një Europe që jeton me iluzionin se është ende në qendër të botës, ndërsa në realitet është një objekt talljeje në kryeqytetet e planetit. Elitat europiane vazhdojnë t’i ngushëllojnë veten me mitin e “kopshtit” të civilizuar dhe demokratik, ndërsa realiteti politik, ekonomik dhe gjeopolitik i ka zbritur në një terren shumë më të rrezikshëm dhe të brishtë. Trump, me deklaratën për Groenlandën, sipas autorit, thjesht ua ka këputur maskën dhe i ka ekspozuar si pjesë të vetë “xhunglës” që pretendojnë se e kontrollojnë.
Autori shpreh dyshimin se kjo qasje nuk është spontane, por pjesë e një strategjie të mirëpërcaktuar për të sabotuar marrëdhënien toksike mes SHBA-së dhe Europës, veçanërisht që prej nisjes së luftës në Ukrainë. Administrata Trump, sipas Pilkington, nuk e fsheh më qartë: Lufta duhet të mbarojë, Europa duhet të mësojë të bashkëjetojë me Rusinë dhe të ndërtojë një arkitekturë të re sigurie. Por europianët, të kapur pas fantazisë së një shpëtimtari demokrat më 2029, vazhdojnë të minojnë çdo përpjekje për paqe.
Pilkington e cilëson këtë pozicion jo vetëm të pamoralshëm, ku jetët e ukrainasve sakrifikohen për interesa të elitave liberale, por edhe krejtësisht të pakuptimtë në planin politik. Partia Demokratike amerikane nuk ka më interes real në Ukrainë, pasi ajo nuk arriti ta mposhtte Rusinë. Interesi qëndronte vetëm në humbjen e saj, si pjesë e narrativës post-Russiagate; tani që kjo s’ndodhi, lufta është lënë në harresë.
Për autorin, çështja nuk është nëse kërcënimet e Trump për Groenlandën janë serioze apo morale. Ajo që është me të vërtetë e rrezikshme dhe amorale është indiferenca europiane ndaj një lufte që ndodh para portës së saj, për të cilën nuk pranon as ndihmë, as negociata – por as përgjegjësi reale. Derisa të pranojnë se lufta është humbur dhe të mësojnë të jetojnë me fqinjësinë ruse, europianët do të përballen me më shumë poshtërim dhe më shumë destabilizim.
Në fund, Pilkington paralajmëron: nëse Europa nuk ndryshon kurs, "ritualet e turpit" do të shtohen dhe “xhungla” do të fillojë të depërtojë në vetë “arkipelagun e kopshteve” ku është mbyllur elita europiane, duke sjellë rrëzim të rendit social dhe shpërthime të reja krizash brenda vetë kontinentit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje