Konflikti nuk ka të bëjë me luftën dhe paqen, por me atë se kush e kontrollon fuqinë amerikane, si justifikohet ajo dhe interesave të kujt u shërben në fund të fundit...
Kaosi aktual global, i karakterizuar nga lufta në Ukrainë, shkatërrimi në Gaza, vala e re e destabilitetit në gjithë Lindjen e Mesme, rivaliteti në rritje midis fuqive të mëdha dhe tani veprimet e njëanshme të SHBA-së në Venezuelë, së bashku me presionin strategjik ndaj Grenlandës, nuk mund të shpjegohet vetëm nga dinamikat rajonale apo ambiciet e shteteve rivale.
Këto kriza, janë rezultat edhe i një beteje më të thellë dhe të gjatë brenda Shteteve të Bashkuara mbi drejtimin e politikës së saj të jashtme dhe natyrën e udhëheqjes së saj globale. Në qendër të kësaj beteje është përballja midis Donald Trump dhe një aleance
të fuqishme institucionesh të pazgjedhura, interesash të rrënjosura dhe rrjetesh ideologjike që zakonisht përshkruhen si shteti i thellë amerikan (Deep State).
Ky konflikt nuk ka të bëjë me paqen përkundrejt luftës, por me atë se kush e kontrollon pushtetin amerikan, si justifikohet ai dhe interesave të kujt i shërben në fund të fundit.
Historikisht, politika e jashtme e SHBA-së, nuk ka qenë gjithmonë e strukturuar rreth angazhimit të përhershëm global.
Përpara Luftës së Dytë Botërore, strategjia amerikane u formësua nga përmbajtja dhe përfshirja selektive. Paralajmërimi i George Washington kundër aleancave të përhershme, pasqyronte frikën se ndërhyrjet e huaja do të minonin qeverisjen republikane.
Doktrina Monroe e vitit 1823, e institucionalizoi këtë logjikë duke pohuar dominimin e SHBA-së në Hemisferën Perëndimore, ndërkohë që shmangte përfshirjen në luftërat
për pushtet në Evropë. Pushteti amerikan ishte real, por i kufizuar gjeografikisht dhe strategjikisht i kujdesshëm.
Lufta e Dytë Botërore dhe ngritja e Bashkimit Sovjetik, imponuan një ndryshim themelor. Shtetet e Bashkuara e përqafuan lidershipin global përmes institucioneve të tilla si NATO dhe politikave si Plani Marshall. Por strategjia e hershme e Luftës së Ftohtë, mbeti e bazuar tek realizmi.
Presidenti Dwight Eisenhower ishte kundër kompleksit ushtarako-industrial, duke pranuar se mobilizimi i përhershëm mund të shtrembëronte kontrollin demokratik. Edhe presidenti Ronald Reagan, pavarësisht retorikës ideologjike, kombinoi presionin me negociatat dhe në fund ndoqi qetësimin.
Pushteti u ushtrua me objektiva më të qarta dhe kufij të përcaktuar. Fundi i Luftës së Ftohtë, zhduku shumë nga këto kufizime. Pa konkurrentë të barabartë, internacionalizmi liberal e transformoi fuqinë amerikane në një projekt moral.
Ndërhyrja u normalizua përmes gjuhës së demokracisë, të drejtave të njeriut dhe një
rendi të bazuar në rregulla. Iraku, Afganistani, Libia dhe Siria, zbuluan një model të qëndrueshëm: forcë dërrmuese e ndjekur nga paqëndrueshmëri e zgjatur, vonesa në
mision dhe mungesë koherence strategjike.
Lufta pushoi së qeni thjesht një instrument i politikës dhe u bë një kusht i qeverisjes. Nga ky mjedis doli edhe Deep State amerikan, jo si një konspiracion, por si një ekosistem funksional.
Kontraktorët e mbrojtjes, agjencitë e inteligjencës, institucionet burokratike, grupet e ekspertëve, organizatat mediatike dhe elitat akademike, formuan një strukturë vetë-përforcuese, legjitimiteti i së cilës varej nga krizat e vazhdueshme.
Zgjedhjet ndryshuan udhëheqësit, por drejtimi i politikave mbeti jashtëzakonisht i qëndrueshëm. Dështimi u riformulua ndërsa domosdoshmëria dhe llogaridhënia u shpërndanë nëpër institucione. Rikthimi i administratës Biden te internacionalizmi agresiv liberal, nxori në pah lodhjen e këtij sistemi.
Në Ukrainë, SHBA inkurajoi përballjen me Rusinë nëpërmjet zgjerimit të NATO-s dhe sinjalizimit strategjik, ndërkohë që refuzuan të ndiqnin një dalje diplomatike të besueshme. Ajo që u formulua si një mbrojtje morale e sovranitetit, evoluoi në një luftë të zgjatur me ndërmjetës që e shkatërroi Ukrainën, vendosi në vështirësi të mëdha ekonomitë evropiane, e rrënjosi militarizimin rus dhe e thelloi polarizimin global.
Në Gaza, paqëndrueshmëria dhe morali selektiv amerikan i inkurajuan aktorët jo-shtetërorë, ndërkohë që prodhuan shumë vuajtje tek civilët. Shtetet e Bashkuara nuk u dukën as të përmbajtura dhe as vendimtare, por reaktive e të bllokuara midis retorikës dhe realitetit.
Ardhja e Trumpit në krye, përfaqësoi një shkëputje nga kjo ortodoksi pas Luftës së Ftohtë. Doktrina “Amerika e Para” i hodhi poshtë luftërat e përhershme, vuri në pikëpyetje strukturat e aleancave që nxirrnin burimet e SHBA-së pa angazhime reciproke, dhe e trajtoi diplomacinë si një levë dhe jo si mbështetje morale.
Trump shmangu përshkallëzimin me Iranin, i rezistoi përballjes së drejtpërdrejtë me Rusinë, pakësoi praninë amerikane në Siri dhe Afganistan dhe ndoqi dialogun me kundërshtarët që prej kohësh konsideroheshin të paprekshëm.
Presidenca e tij përkoi me mungesën e luftërave të reja të mëdha - një anomali që kërcënoi drejtpërdrejt një sistem të varur nga angazhimi i vazhdueshëm. Megjithatë, Trump nuk ka qenë kurrë kundër vetë dominimit amerikan. Në këtë kuadër duhet të kuptohen Venezuela dhe Grenlanda.
Gatishmëria e Trump për të përdorur forcën ose presionin, nuk bie ndesh me konfliktin e tij me Deep State. Përkundrazi, ai nuk kundërshton përdorimin e pushtetit, por kapjen e tij institucionale. Sepse ai preferon veprime të shkurtra, transaksionale dhe të nxitura nga interesat, të kontrolluara nga ekzekutivi, në vend të ndërhyrjeve të zgjatura të menaxhuara nga rrjete të pazgjedhura.
Operacioni amerikan në Venezuelë, pasqyron këtë logjikë. Ndërsa i shitet publikut me termat e stabilitetit dhe zbatimit të ligjit, ai përputhet me shqetësimet tradicionale të dominimit të hemisferës dhe sigurisë energjetike. Nafta dhe ndikimi rajonal i Venezuelës, evokojnë një logjikë të zgjeruar të Doktrinës Monroe.
Kjo qasje mund të jetë shtrënguese dhe imperialiste, por ndryshon thelbësisht nga preferenca e Deep State për regjime të zgjatura sanksionesh, narrativa humanitare dhe paqëndrueshmëri të menaxhuar që mbështesin rëndësinë burokratike por pa zgjidhur krizat.
Qasja e Trump ndaj Grenlandës ndjek të njëjtin model. Duke ushtruar presion të hapur ndaj Danimarkës dhe folur direkt për vlerën strategjike të ishullit në aspektin e mineraleve, pozicionimit në Arktik dhe infrastrukturës së sigurisë, Trump hoqi dorë nga gjuha morale që shpesh fsheh ambicien gjeopolitike.
Në vend që të nguliste konkurrencën brenda komiteteve të NATO-s dhe konsensusin institucional, ai nxori në pah llogaritjet e papërpunuara të pushtetit. Kjo transparencë, destabilizon një sistem që varet nga abstraksioni moral dhe legjitimiteti procedural.
Rezistenca e Deep State ndaj Trumpit, buron nga kjo ekspozim. Autoriteti i tij mbështetet në paraqitjen e fuqisë amerikane si altruiste, të pashmangshme dhe të bazuar në rregulla. Trumpi e prish këtë duke centralizuar vendimmarrjen, duke hedhur poshtë vazhdimësinë burokratike dhe duke rivendosur autoritetin e të zgjedhurit mbi politikën e jashtme.
Rrjedhjet e informacioneve të inteligjencës, rezistenca ligjore, përafrimi me median dhe reagimi diplomatik, pasqyrojnë jo vetëm kundërshtimin ndaj personalitetit të Trump, por edhe sfidën e tij ndaj supremacisë institucionale.
Prandaj përballja e Trump me shtetin e thellë në SHBA, nuk është një luftë midis paqes dhe militarizmit, por midis dy modeleve të perandorisë. Njëri është teknokratik, i moralizuar dhe i përhershëm. Tjetri është nacionalist, transaksional dhe i hapur.
Sigurisht, që të dyja mbartin rreziqe. Modeli Trump kërcënon normat e aleancës, sovranitetin dhe stabilitetin global. Ai i Deep State, ka prodhuar tashmë luftëra të pafundme, hipokrizi morale dhe lodhje sistematike.
Kontradikta mbetet e pazgjidhur, sepse pasqyron një krizë më të thellë brenda vetë lidershipit amerikan. Trump e pozicionon veten si sfidues të një sistemi që e ka dobësuar shumë kontrollin demokratik mbi politikën e jashtme, edhe pse metodat e tij vënë në provë kufijtë e strategjisë së vetëpërmbajtjes.
Nëse vizioni i tij përfaqëson ripërtëritje apo thjesht një formë tjetër dominimi, kjo mbetet e pasigurt. E qartë është se lufta midis Trump dhe Deep State në SHBA, nuk është një grindje personale, por një betejë strukturore mbi të ardhmen e pushtetit amerikan dhe rendit global që ai mbështet./ Përshtati "Pamfleti", nga “Asia Times”
There is no such thing as the, "Deep State" in America. That's just a right-wing trope made up by America's neo-Nazis.