Fotot e publikuara nga rrjeti BBC tregojnë fëmijën duke mbajtur një çantë shpine, me një polic që e shoqëron për dore...
Një ngjarje e rëndë dhe thellësisht shqetësuese ka tronditur opinionin publik në Shtetet e Bashkuara: një djalë 5-vjeçar, Liam Conejo Ramos, u ndalua të martën në qytetin Minneapolis, gjatë një operacioni të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE), që kishte në shënjestër të ashtuquajturit “të huaj të paligjshëm”.
Ngjarja ndodhi jashtë shtëpisë së familjes, pak pasi babai i tij, Adrian Alexander Conejo Arias, kishte marrë fëmijën nga kopshti. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, agjentët e ICE i afrohen babait për arrest në momentin kur ai po hynte në banesë me djalin.
Fotot e publikuara nga rrjeti BBC tregojnë fëmijën duke mbajtur një çantë shpine, me një polic që e shoqëron për dore, një imazh që ka shkaktuar zemërim dhe ka ngritur pikëpyetje për etikën dhe njerëzoren në veprimet e ICE.
“Pse arrestoni një 5-vjeçar?” pyeti me revoltë Zena Stenvik, drejtoreshë e Distriktit Shkollor të Columbia Heights. “Mos më thoni që ky fëmijë përbën kërcënim si kriminel i dhunshëm. Kjo është çmenduri.”
Nga ana tjetër, Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ka mohuar që fëmija ishte objektiv i operacionit: “ICE nuk po kërkonte të arrestonte një fëmijë. Arrestimi kishte në shënjestër babanë e tij, i cili ishte emigrant i parregullt dhe e la fëmijën vetëm kur u përball me oficerët.”
McLaughlin shtoi se një nga agjentët qëndroi me fëmijën për arsye sigurie, derisa babai u ndalua. Ajo nënvizoi se prindërit e ndaluar nga ICE pyeten nëse duan të deportohen së bashku me fëmijët e tyre, apo t’i lënë në kujdes të një personi të zgjedhur prej tyre.
Avokati i familjes, Mark Prokos, deklaroi se si babai ashtu edhe 5-vjeçari janë transportuar në një qendër ndalimi në Teksas, ndonëse babai kishte aplikuar për azil dhe nuk kishte një urdhër deportimi aktiv.
Lini një Përgjigje