TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Janar 2026, 18:20

Rreziku i vërtetë që paraqet Donald Trump!

Shkruar nga Pamfleti
Rreziku i vërtetë që paraqet Donald Trump!
Ilustrim nga Justin Metz/Getty

Kriza e Groenlandës është një paralajmërim për Europën: Aleanca me SHBA-të nuk është më e sigurt

Në Davos, Europa priste një tjetër shpërthim verbal nga Donald Trump, por presidenti amerikan u shfaq më i përmbajtur se zakonisht. Ai kërkoi “të drejtën, titullin dhe pronësinë” e Groenlandës, por nuk kërcënoi më me tarifa, përjashtoi përdorimin e forcës dhe më pas përshëndeti një “kuadër të ri” dhe mundësinë për marrëveshje me Danimarkën.

Aleatët amerikanë ndjenë lehtësim (të përkohshëm). Sepse, siç duket, nuk ishte një tërheqje e sinqertë, por një manovër taktike. Trump e ka lakmuar Groenlandën prej vitesh. Dhe mënyra përçmuese me të cilën foli për NATO-n në të njëjtën fjali duhet të alarmojë çdo kryeqytet europian.

Kriza e Groenlandës sjell disa mësime të rëndësishme për vendet aleate të Amerikës. E para: Trump tërhiqet vetëm kur ndjen presion, por pa braktisur qëllimet afatgjata. E dyta: vizioni i tij i ngushtë dhe pesimist për botën, i shoqëruar me rishkrimin arbitrar të historisë, ka minuar besimin që dikur ishte themeli i aleancave amerikane. Dhe së treti: çdo përplasje me Trump ka potencial të kthehet në një krizë ekzistenciale.

Europa u tregua me fat këtë herë, sepse Groenlanda, në thelb, ka pak vlerë strategjike për SHBA-të në kushtet aktuale. Por Trump ka të drejtë kur thotë se Arktiku do të bëhet zonë gare me shkrirjen e akujve dhe rritjen e lundrimit ndërkombëtar. SHBA ka plane për të vendosur atje sistemin e ardhshëm të mbrojtjes me raketa “Golden Dome”. Nëse Groenlanda do të ishte territor amerikan, as Rusia dhe as Kina nuk do të guxonin të shkelin aty.

Por faktikisht, SHBA ka tashmë një bazë ushtarake në Groenlandë që shërben si pengesë për çdo agresor. Në rast sulmi, Danimarka dhe aleatët europianë do kishin interes të fortë ta mbronin. Me traktatet ekzistuese dhe kuadrin e ri të diskutuar, Amerika mund të arrijë gjithçka që dëshiron pa pasur nevojë ta aneksojë ishullin. Ngjyrosja e hartës, në këtë rast, nuk sjell përfitim të vërtetë.

Kjo logjikë i ndihmoi europianët të bindin se kostoja e një konflikti të tillë do ishte shumë më e madhe për SHBA-të. Kërcënimet e Trump për tarifa u pritën me paralajmërime hakmarrjeje nga disa shtete europiane. Tregjet e ndjenë menjëherë rrezikun e një lufte tregtare të shoqëruar me krizë sigurie. Opinioni publik amerikan nuk e mbështet një blerje të tillë të kushtueshme. Nën presionin e fortë europian, madje edhe Kongresi amerikan tregoi për herë të rrallë gatishmëri për t’i dalë kundër Trump.

Mësimi i madh për Europën është i qartë: për ta detyruar presidentin amerikan të tërhiqet, duhet ta bindësh se do ta paguajë shtrenjtë. Deri tani, shumica e udhëheqësve europianë e kanë trajtuar Trump-in me servilizëm, të ndërthurur me ndonjë vërejtje të zbehtë. Këtë herë ata u treguan më të fortë dhe funksionoi.

Por lajmi i mirë ndalet këtu. Në fjalimin e tij në Davos, Trump foli hapur për “pronësinë” e Groenlandës, që do të thotë se ai mund të rikthejë kërcënimin me tarifa, ose edhe përdorimin e forcës, për të rritur presionin. Edhe nëse nuk e bën, dhe SHBA-Danimarkë arrijnë një marrëveshje të re pa ndryshuar sovranitetin, Europa duhet të dëgjojë me kujdes gjuhën e përdorur nga Trump: ajo tregoi një përçmim të rrezikshëm ndaj Europës dhe aleancës transatlantike.

Trump tha se SHBA ka paguar “100%” të shpenzimeve të NATO-s dhe nuk ka marrë asgjë në këmbim. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, pretendoi se Amerika ka shpenzuar 22 trilionë dollarë më shumë se “freeloaders” europianë për mbrojtje që nga viti 1980. Strategjia e sigurisë e administratës së tij paralajmëron se Europa rrezikon “zhdukje civilizuese” për shkak të imigracionit – dhe mund të mos jetë më një aleat i besueshëm.

Ky është një shtrembërim i rëndë i historisë së NATO-s dhe realitetit të sotëm europian. Po, Europa ka shpenzuar më pak për mbrojtje pas Luftës së Ftohtë. Por gjatë saj, ishte gardhi që ndali zgjerimin sovjetik dhe mbrojti vlerat demokratike. Dhe aktualisht, shumica e vendeve po rrisin ndjeshëm shpenzimet ushtarake, pjesërisht për shkak të retorikës së Trump, por kryesisht për shkak të kërcënimit të drejtpërdrejtë nga Rusia.

NATO ka funksionuar sepse u ndërtua mbi përfitime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta. I vetmi rast kur është thirrur Neni 5 (mbrojtja kolektive) ishte për të ndihmuar SHBA-të pas 11 Shtatorit. Proporcionalisht, Danimarka humbi më shumë trupa në Afganistan se vetë SHBA. Europa i ofron Amerikës baza të rëndësishme ushtarake, si ajo në Ramstein, Gjermani, dhe ndihmon interesat amerikane, përfshirë në Arktik.

Fatkeqësisht, Trump nuk ka gjasa të ndryshojë bindjen se aleatët janë barrë dhe se vlerat e përbashkëta janë për “naivët”. Kjo sigurisht që do çojë në përplasje të tjera, qoftë për Groenlandën, qoftë për diçka tjetër. Prandaj, aleatët e Amerikës, në Europë dhe më gjerë, duhet të përgatiten për një botë ku janë vetëm. Kjo fillon me ruajtjen e asaj që mbetet nga NATO. Sepse ndërtimi i fuqisë reale zgjat me vite, dhe Trump ka ngutje.

Problemi është se Trump beson se Amerika i ka të gjitha kartat në dorë, sepse aleatët europianë dhe aziatikë kanë më shumë për të humbur nga një ndarje se SHBA-të. Dhe nuk është plotësisht gabim. Nëse SHBA do ndalonte furnizimin me armë për Ukrainën apo bllokonte inteligjencën, kjo do rriste rrezikun e humbjes së Ukrainës dhe do ftonte agresionin e ardhshëm rus. Europa dhe Azia varen nga SHBA për mbrojtje, dhe SHBA mbulon 40% të kapaciteteve të NATO-s.

Por Europa ka gjithashtu leva të rëndësishme. Është treg për më shumë se 1 trilion dollarë mallra dhe shërbime amerikane. Ofron teknologji kyçe për prodhimin e çipave, pajisje telekomi, lente, avionë dhe më shumë. Shërbimet sekrete europiane, veçanërisht ato britanike, janë burim i çmuar për SHBA.

Groenlanda është vetëm maja e ajsbergut

Europa duhet të paralajmërojë publikun amerikan për botën armiqësore që Trump po krijon. Nëse aleatët nuk i besojnë më Amerikës, Gjermania, Japonia, Polonia dhe Koreja e Jugut mund të nisin garën për armatim, madje edhe për armë bërthamore. Një përhapje e tillë do dëmtonte fuqinë e SHBA dhe do kufizonte ndikimin e saj diplomatik. Kina dhe Rusia nuk do pranojnë kufijtë e influencës që imagjinon Trump dhe kjo mund të çojë në një luftë ku SHBA nuk do mund të qëndrojë anash.

Europa duhet t’i bëjë të qarta kostot e vërteta të aventurave të Trump, jo vetëm për sigurinë europiane, por edhe për mirëqenien amerikane. Investitorët nuk duan të humbasin para, votuesit nuk duan sakrifica, politikanët nuk duan të rrëzohen.

Aleancat e Amerikës mund të mos i mbijetojnë një presidenti që sheh vetëm interesa afatshkurtra dhe përbuz partneritetin. Europa, ndërkohë, rrezikon të copëtohet nga brenda, teksa çdo vend kërkon marrëveshjen e vet me një Amerikë agresive. Nga jashtë, Putini dhe Xi Jinping do kërkojnë ta minojnë këtë unitet me provokime të vazhdueshme. 

Dekadat e mbrojtjes amerikane i kanë llastuar europianët. Ata u morën më shumë me mirëqenien sesa me fuqinë. Por ato kohë kanë mbaruar. Udhëheqësit europianë duhet të përpiqen të ngadalësojnë erozionin e aleancës transatlantike, por njëkohësisht, të përgatiten për ditën kur NATO nuk do ekzistojë më. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”

trump sh evropa

Lini një Përgjigje