Në skenën serioze të Davosit, ku flitet për të ardhmen e botës, luftën në Ukrainë dhe madje edhe për statusin e ardhshëm të Groenlandës, nuk munguan as momentet e ironisë dhe spektaklit. Donald Trump, gjatë një prej fjalimeve më të gjata që ka mbajtur në forum, e gjeti kohën për të komentuar dukjen e presidentit francez Emmanuel Macron, duke shkaktuar buzëqeshje, por edhe reagime.
“E dëgjova dje Macron-in duke folur me ato syze dielli të bukura. Çfarë ka ndodhur me të? E pashë që po përpiqej të luante të fortin”, tha Trump me një ton thumbues, referuar pamjes së re të presidentit francez që prej disa ditësh shfaqet në publik me syze të errëta.
Në fakt, Macron është duke përdorur syzet për shkak të një hemorragjie nënkonjuktivale, një problem i lehtë shëndetësor, pa pasoja serioze, por ky detaj nuk i ka shpëtuar vëmendjes mediatike dhe... të biznesit.
Syzet në fjalë janë modeli “Pacific S01”, me çmim 659 euro, të prodhuara nga kompania franceze Henry Jullien, me bazë në Lons-le-Saunier (Jura), e cila në vitin 2023 u ble nga sipërmarrësi italian Stefano Fulchir, themelues i iVision Tech, kompani që tashmë është në ngritje të lirë në bursë falë “efektit Macron”.
“Zakonisht prodhojmë rreth 100 palë në vit nga ky model, por tani me këtë publicitet, ka shumë gjasa që të na kërkohen mbi 1.000”, deklaroi Fulchir për radion franceze RTL, duke theksuar se kjo ekspozim ndërkombëtar po kthehet në një sukses të papritur për markën luksoze franceze.
Lini një Përgjigje