Ndeshja e fazës së grupeve të Kupës së Botës mes Skocisë dhe Brazilit, e planifikuar të zhvillohet në Miami, mund të përballet me vonesa ose ndërprerje për shkak të një stuhie të fortë të parashikuar në zonë.
Sfida është parashikuar të nisë në orën 00:00, njëkohësisht me periudhën kur meteorologët presin përkeqësim të kushteve atmosferike. Nëse në afërsi të “Hard Rock Stadium” regjistrohen vetëtima, organizatorët do të detyrohen të zbatojnë protokollet e sigurisë.
Sipas rregullave në fuqi, çdo vetëtimë e konstatuar brenda një rrezeje prej rreth 13 kilometrash nga stadiumi sjell pezullimin e menjëhershëm të ndeshjes. Loja mund të rifillojë vetëm pasi të kenë kaluar të paktën 15 minuta nga vetëtima e fundit, çka mund të shkaktojë vonesa të konsiderueshme dhe të detyrojë skuadrat të kryejnë sërish nxehjen.
Një precedent i ngjashëm u regjistrua pak ditë më parë në ndeshjen Francë–Irak në Filadelfia, e cila u ndërpre për afro dy orë për shkak të kushteve të rënda atmosferike. Gjatë asaj periudhe, tifozët u evakuuan drejt zonave të sigurta, ndërsa lojtarët u kthyen në dhomat e zhveshjes deri në përmirësimin e situatës.
Trajneri i Skocisë, Stiv Klark, deklaroi se skuadra e tij është e përgatitur për çdo skenar. Ai theksoi se ekipi ka hartuar një plan për të menaxhuar vonesat e mundshme, duke pranuar se zbatimi i masave të sigurisë mund të zgjasë ndjeshëm kohën e pritjes.
Për sa i përket aspektit sportiv, Skocia ka nevojë për të paktën një pikë për të siguruar kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Edhe në rast humbjeje, shanset për avancim mbeten të hapura, pasi skuadra mund të kualifikohet si një nga ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë të grupeve.
Lini një Përgjigje