
Trump ka kërcënuar në të shkuarën se do ta nxirrte SHBA-në nga NATO. Madje shkoi aq larg, sa ta “inkurajonte” Rusinë të “bëjë çfarë të dojë” me vendet e NATO-s që nuk paguajnë për aleancën.
Të martën në SHBA është Dita e Zgjedhjeve dhe kandidatët presidencialë, Donald Trump dhe Kamala Harris, janë shumë pranë njeri-tjetrit sipas projeksioneve të sondazheve. Rezultati i këtyre zgjedhjeve, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Amerikës, por edhe për pjesën tjetër të botës, sidomos për Evropën.
Kontinenti i vjetër, ka filluar të mbështetet shumë tek SHBA-ja për garancitë tregtare dhe të mbrojtjes, gjë që e rrit rrezikun për rajonin, që përballet me paqëndrueshmëri ekonomike, forcimin e konkurrencës, rritjen e nacionalizmit të krahut të djathtë dhe rreziqet e shtuara të sigurisë për shkak të pushtimit të Rusisë.
Për shembull, marrim rastin e Donald Trump. Ai nuk i ka fshehur ambiciet e tij për t’i bërë më të kushtueshme eksportet evropiane në SHBA, duke rritur shqetësimet në bursa, se rajoni mund të dalë i humbur nga 5 nëntori. Por edhe Harris mund të ushtrojë një presion të mëtejshëm mbi Evropën për t’u distancuar ekonomikisht nga Kina. “Fortune”, bisedoi me disa ekspertë të njohur mbi ndikimin e mundshëm të zgjedhjeve presidenciale amerikane në Evropë.
1. Tarifa me pasoja shkatërrimtare
SHBA-ja është partnerja më e madhe tregtare e Bashkimit Evropian. Me kalimin e kohës, ato kanë krijuar një marrëdhënie tregtare të përmasave të mëdha, e cila punëson 16 milionë njerëz në të dy anët e Atlantikut, dhe me një volum prej triliona dollarësh në tregti dhe investime.
Dhe jo vetëm kaq, gjysma e prodhimit të Evropës vjen nga tregtia, e cila tani ndihet e rrezikuar. Kandidati republikan, planifikon që të vendosë një shtesë prej 10-20 për qind në tarifat ndërkufitare, duke e bërë më të shtrenjtë tregtinë, dhe ndoshta duke e dobësuar më tej euron. “Tarifat do ta dëmtojnë seriozisht rritjen ekonomike të BE-së", tha për Fortune Zach Meyers, ndihmësdrejtor i Qendrës për Reformën Evropiane. Dhe ky skenar nuk është aq i largët, duke pasur parasysh se gjatë mandatit të tij të parë si president, Trump vendosi tarifa për importet e çelikut dhe aluminit nga Evropa.
Shtimi i tarifave, mund të dëmtojë rëndë ekonomi si ajo e Gjermanisë, e cila ka qenë në vështirësi vitet e fundit, dhe është shumë e varur nga eksportet e SHBA-së, duke pësuar një rënie prej 0.23 për qind të PBB-së. “Perspektiva e masave hakmarrëse në lidhje me 350 miliardë dollarë eksportet e SHBA-së në Evropë, nënkupton se familjet dhe bizneset do të përballen me çmime më të larta, të cilat do ta dëmtojnë fuqinë blerëse të konsumatorit, dhe do të dëmtojnë fitimet e korporatave në Evropë”, shprehet James Knightley, krye-ekonomist ndërkombëtar i ING.
Brukseli po përgatitet që tani për mundësinë e një regjim tarifor më të ashpër. Megjithatë, nëse Evropa përjashtohet disi nga regjimi tarifor i Trump, kjo “mund të rrisë konkurrencën relative të kompanive evropiane në SHBA”, thotë Meyers. Tarifat janë mënyra e të vepruarit e Trump.
Nga ana tjetër, Harris premton një qasje më diplomatike, por që do të rriste presionin ndaj BE-së për të rivlerësuar lidhjet e saj ekonomike me Pekinin. Meyers pret ndërlikimin e marrëdhënies trepalëshe midis SHBA-së, Kinës dhe Evropës. Harris do të inkurajonte kompanitë evropiane që të prodhonin më shumë mallra në SHBA, duke çuar përpara qasjen e paraardhësit të saj, Joe Biden.
Si Trump ashtu edhe Harris, ka të ngjarë të rrisin tarifat ndaj Kinës, duke e detyruar superfuqinë aziatike të dërgojë më shumë eksporte në Evropë (sesa çon aktualisht), duke e rritur rrezikun e një lufte tregtare të plotë, thekson Meyers.
2. Pasiguri e madhe në klimën e biznesit
Ndërsa tarifat janë një mënyrë për ta vendosur “Amerikën në vend të parë”, siç pretendon Trump, zgjedhjet e të martës mund të jenë vetëm fillimi i një ndryshimi të përgjithshëm global në atmosferën e biznesit. “Shumë njerëz janë të shqetësuar se Trump mund të shkaktojë ndryshime të rëndësishme si në mjedisin ekonomik ashtu edhe në atë gjeopolitik. Harris është kandidatja e vazhdimësisë, dhe shihet si më pak kërcënuese”-thotë Knightley.
Konkurrueshmëria e Evropës në teknologji, inovacion dhe mbrojtje është bërë një “sfidë ekzistenciale”, siç theksoi në shtator ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi.
“BE-ja ka nevojë për një rol më të fortë në fushën e Inteligjencës Artificiale, që të shmangë varësi të reja në të ardhmen”, deklaron Meyers.
Në një raport të kohëve të fundit, ai sugjeroi se nga përafrimi i rregulloreve teknologjike, mund të përfitojë si SHBA-ja ashtu edhe BE, duke e përmirësuar produktivitetin dhe tregtinë e shërbimeve teknologjike. Megjithatë, rajoni është ende kryesisht përgjegjës për ndryshimin e fatit të tij. “I takon politikë-bërësve evropianë të krijojnë një mjedis, që mund t’i lejojë ata të rriten për të konkurruar me emrat kryesorë të SHBA. Por unë s’besoj se do të ndodhë”, tha Knightley.
3. Mbrojtja
Gjeopolitika është një tjetër fushë kyçe, ku mund të ndikojnë në Evropë qasjet e ndryshme të dy kandidatëve. Vitet e investimeve të pakta në mbrojtje dhe përshkallëzimi i luftës Rusi-Ukrainë e kanë lënë BE-në në një pozicion delikt, ku ajo ka nevojë për mbështetjen e SHBA-së.
Nën këtë sfond, “efekti i Trump në Evropë dhe BE do të jetë negativ, madje më negativ sesa do të ishte në administratën Harris” thotë Steven Blockmans, studiues në Qendrën për Studime të Politikave Evropiane.
Trump ka kërcënuar në të shkuarën se do ta nxirrte SHBA-në nga NATO. Madje shkoi aq larg, sa ta “inkurajonte” Rusinë të “bëjë çfarë të dojë” me vendet e NATO-s që nuk paguajnë për aleancën. Nëse Trump vendos të ndryshojë kursin për mbështetjen e Ukrainës, vendet evropiane do të rrisin shpejt shpenzimet e mbrojtjes për të forcuar sigurinë e tyre kombëtare.
Ndërkohë Harris ka thënë se nëse zgjidhet presidente, do të qëndrojë pranë NATO dhe Ukrainës. Ajo pritet të ndjekë kryesisht kursin e Biden në politikën e jashtme, me disa ndryshime të caktuara. Një rrezik tjetër i një mandati të dytë të Trump, është se fuqia e tij mund të inkurajojë liderë të tjerë evropianë të ekstremit të djathtë, si ai hungarez Viktor Orbán.
“Në qasjen e Trump, ka tipare shumë të forta autokracie. Këto kohë, Evropa dhe BE gjenden për fat të keq në një situatë varësie më të madhe në marrëdhëniet transatlantike. Ndaj është e rëndësishme të ketë stabilitet, parashikueshmëri dhe mbështetje nga Uashingtoni”, shton Blockmans./Përshtati "Pamfleti" nga “Fortune”.
Lini një Përgjigje