Mendoj se janë 3 leksionet kryesore që na sugjerojnë se çfarë mund të ndodhë më tej…
Dy vitet e luftës së përgjakshme në Ukrainë, kanë shkaktuar vdekjen ose plagosjen e më shumë se gjysmë milionë ushtarë nga të dyja palët, më shumë se 6 milionë ukrainas të larguar nga vendi. Ndërkohë linja e frontit ka pësuar shumë pak ndryshme prej më shumë se një viti.
Në javët dhe muajt e ardhshëm do të merren vendime për çdo gjë, nga sistemet e ardhshme të armëve perëndimore që do t'i dërgohen Ukrainës, apo nëse Kievi do të nisë të zbatojë një strategji më mbrojtëse. Megjithatë unë mendoj se janë 3 leksionet kryesore që na sugjerojnëse çfarë mund të ndodhë më tej…
1. Dëgjoni me vëmendje atë që thotë Putin, të dhënat janë gjithmonë aty
Me gjithë gatishmërinë e tij për të gënjyer, Vladimir Putin tenton të na thotë atë që dëshiron. Kur nisi pushtimin, dukej se kishte besuar vërtetë se do të ishte një “shëtitje”. Siç e përsëriti në gjysmën e parë të intervistës së tij surreale për Tucker Carlson në fillim të këtij muaji, në të cilën i mbajti një leksion këtij të fundit mbi historinë ruso-ukrainase që nga shekulli IX, vende për të cilat ai nuk beson në të vërtetë se ato janë dy vende të ndryshme.
Në vend të kësaj, ai supozoi se ukrainasit do të pranonin, pothuajse pa luftë, imponimin e një qeverie të re dhe më të zhdërvjellët, të gatshme për ta mbajtur Ukrainën brenda sferës ruse të ndikimit. Në një farë mase, ky është ende qëllimi i tij. Megjithatë, një nuancë e veçantë po nis të depërtojë në retorikën e tij, së cilës duhet t'i kushtojmë vëmendje.
Ai dëshiron ende ta mbajë Ukrainën jashtë NATO-s, por ka të dhëna nga figura të ndryshme, si zyrtarë por edhe ekspertë, se ai do të ishte i gatshëm ta lejojë atë të anëtarësohet në BE. Nëse Rusia mund të mbajë territoret që ka pushtuar, atëherë shenjat janë se për sa kohë mbetet neutrale, Ukrainës mund t'i lejohet një shkallë pavarësie.
Natyrisht, kjo nuk është e pranueshme as nga ligji ndërkombëtar, dhe as nga ukrainasit. Megjithatë, tregon se edhe kërkesat imperialiste të Putinit do të modifikohen në raport me atë që ai mendon se mund të arrijë. Putin e ka nisur këtë vit në pozita të forta. Forcat e tij e kanë përballuar kundërsulmin ukrainas të vitit të kaluar dhe kanë më shumë municione.
Ai shpreson tek perspektiva e ndryshimit politik në Perëndim, veçanërisht nëse Donald Trump zgjidhet sërish president i SHBA. Por nuk duhet të presim ndonjë vullnet real për të biseduar, e lëre më pastaj për të bërë lëshime. Nëse Ukraina arrin të mbajë linjën aktuale të frontit, dhe i përgatit forcat e saj për operacione të reja sulmuese në vitin 2025, ndërsa po nis të rritet prodhimi i municioneve në Perëndim, atëherë ne duhet të jemi vigjilentë ndaj çdo sinjali mbi luhatjen e Putinit.
Nëse ndodh kjo gjë, mund të jetë një shenjë se negociatat janë të mundshme. Por në një periudhë afatshkurtër, ka të ngjarë që kjo të përshkallëzohet ose të kemi ndonjë manovër të dëshpëruar, teksa ai do të përpiqet të rifitojë iniciativën në fushën e betejës.
2. Burimet njerëzore kanë rëndësinë e tyre, por ato janë një problem për të dyja palët
Pjesa më e madhe e debatit në Perëndim, ka të bëjë me llojin e armëve që duhet t'i dërgohen Ukrainës, dhe akuzat e bëra kohë më parë se ato “të duhurat” nuk janë dërguar në sasitë “e duhura” dhe në kohën “e duhur”. Sigurisht, ritmi, shkalla dhe natyra e ndihmës ushtarake janë të rëndësishme. Por e vërteta është se nuk ka asnjë armë magjike që e vetme mund të ndryshojë peshoren në këtë luftë. Kur nisën të dërgohen HIMARS dhe sisteme të tjera raketore dhe artilerie me rreze të gjatë veprimi, u tha se ato do të garantonin fitoren e luftës.
Sigurisht, pasi nisën të përdoren që nga korriku 2022, ato i dhanë mundësi ukrainasve të godasin postat e komandës ruse dhe depot e municioneve me një saktësi më të madhe. Por me kalimin e kohës, pushtuesit rusë iu përshtatën rrethanave të reja.
Nga tanket moderne perëndimore deri tek avionët F-16, pilotët e të cilëve janë duke u stërvitur, të gjitha këto ofrojnë përmirësime në rritje të aftësive ushtarake të Ukrainës, por nuk janë një formulë magjike që garanton trumfin. Kjo luftë na ka rikujtuar në mënyrën më brutale dhe të përgjakshme se burimet njerëzore mbeten ende një aspekt kyç.
Ekziston një arsye e fortë se përse të dyja palët i mbajnë shumë sekret humbjet e tyre në front. Kievi nuk u tregon as aleatëve të tij se sa humbje në njerëz ka pësuar. Një numër edhe më i madh i ushtarëve të Putinit janë vrarë ose plagosur. Por popullsia e Rusisë është 4 herë më e madhe se ajo e Ukrainës dhe në raport me popullsinë, ukrainasit po pësojnë humbje më të rënda.
Dërgimi i trupave të saj në front, është një burim të cilin Perëndimi nuk do t'ia sigurojë Ukrainës. Ndërsa Operacioni “Interflex” i Britanisë garantoi trajnimin e mbi 30.000 ushtarëve ukrainas, në asnjë vend asnjë parti politike nuk flet për dërgimin e trupave të tyre për të luftuar në Ukrainë, duke rrezikuar kështu një luftë më të gjerë me Rusinë.
Problemi i burimeve njerëzore po bëhet gjithnjë e më akut për të dyja palët. Pretendimet e Moskës se rekruton çdo ditë 1.000-1.500 rusë vullnetarë duken shumë të fryra. Megjithatë përpara zgjedhjeve presidenciale të marsit, Putin nuk dëshiron një përsëritje të mobilizimit masiv anti-popullor që realizoi në muajt shtator-tetor 2022.
Megjithatë, nëse nuk rekruton më shumë njerëz, shanset që trupat e tij të jenë në gjendje të nisin operacione të mëdha dhe të qëndrueshme sulmuese këtë vit janë shumë të kufizuara. Ndaj ky element shihet më vëmendje në vazhdim. Kërkesa e ushtrisë që të mobilizohen 450.000-500.000 ushtarë të tjerë, solli një tension midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe komandantit të tij të përgjithshëm, gjeneralit Valerii Zaluzhny.
Ukraina po shpenzon tashmë më shumë se një të tretën e PBB-së së saj për mbrojtje, dhe çështja është nëse mund të përballojë shpenzimet e këtyre ushtarëve shtesë. Më pas Zelensky e shkarkoi Zaluzhny-n, dhe ligji i ri për rekrutimin është ende në diskutim.
Ekziston frika se ndërsa rekrutimi po bëhet gjithnjë e më detyrues dhe i gjerë, sipas fjalëve të një diplomati evropian me seli në Kiev, ky hap mund të “nisë të dëmtojë moralin e ukrainasve dhe ta bëjë më pak të paimagjinueshme një lloj marrëveshjeje me Putinin”.
3. Tani fitorja dhe humbja kanë një domethënie tjetër
Unë vë re se ka shpesh debate boshe mbi fitoren dhe humbjen në këtë luftë. Në fillim të saj, kur forcat ruse ishin në hyrje të Kievit, ishte relativisht e lehtë që të përkufizoheshin të dyja: në një kërcënim të drejtpërdrejtë ishte vetë mbijetesa e Ukrainës si një komb i pavarur dhe sovran.
Megjithatë, 2 vjet më vonë, falë rezistencës së jashtëzakonshme të popullit ukrainas, është shumë më e vështirë të përkufizohet secila prej tyre. A është një fitore e Ukrainës asgjë më pak sesa dëbimi i çdo ushtari rus nga çdo centimetër i territorit të pushtuar, përfshirë Krimenë?
Kjo do të jetë jo vetëm një detyrë e vështirë, por nuk do t'i jepte fund luftës, por vetëm sa do të zhvendoste vijën e frontit në kufirin kombëtar. Putin do të ishte ende i lirë të rigruponte forcat e tij për një sulm tjetër, ndërkohë që do të vazhdonte të lëshonte dronët dhe raketat e tij në qytetet dhe linjat energjitike të Ukrainës.
A do të nënkuptonte humbja shpërbërjen e plotë të kombit ukrainas? Ky skenar ngjan shumë i pamundur të jetësohet, sepse edhe ushtria ruse ka pësuar humbje shumë të mëdha. Sipas strategëve britanikë dhe ukrainas, në rastin me të keq Rusia mund t'ia dalë të përparojë ndjeshëm drejt lumit Dnipro që përshkon vendin nga veriu në jug, duke arritur të pushtojë të gjithë lindjen.
Sigurisht, një zhvillim i tillë do të ishte i tmerrshëm, sidomos për ukrainasit që do të mbeteshin në territorin e kontrolluar nga Rusia, por nuk do ta shuante kombin ukrainas. Aktualisht, Ukraina është zyrtarisht e përkushtuar ndaj konceptit maksimalist të fitores.
Megjithatë edhe në Kiev ka njerëz që e pranojnë nën zë se shumë shpejt vendi mund të përballet me një dilemë të tmerrshme: ta vazhdojë luftën pafundësisht apo të pranojë humbjen e disa territoreve në emër të të qenit në gjendje për të ecur përpara, sidomos me anëtarësimin në NATO dhe BE.
Sikurse e pranoi edhe një zyrtar ukrainas “aktualisht nuk jemi afër këtij momenti, por një ditë mund të na duhet të vendosim që jetët e ukrainasve kanë më shumë rëndësi se toka”. Gjithsesi, kjo zgjedhje nuk do të ishte aspak e lehtë. Zelensky ka përjashtuar çdo lëshim territorial, që ndër të tjera do të binte ndesh me kushtetutën, edhe pse ka disa mënyra për ta shmangur këtë.
Për shembull, duke mos njohur zyrtarisht asnjë pretendim rus për territoret e pushtuara. Por meqë s'mund të ketë një strategji kuptimplotë pa një kuptim të qartë të një objektivi, është e qartë se teksa po hyjmë në vitin e tretë luftës, ne mund të shohim diskutime të kujdesshme dhe të fshehta që synojnë të zvogëlojnë atë që Kievi dhe partnerët e tij perëndimorë besojnë se është kuptimplotë dhe një sukses i arritshëm./ Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Lini një Përgjigje