TAGS-AT E JAVËS

Kosova 6 Qershor 2023, 08:30

Tre kërkesat për Kosovën, Kurti pajtohet me kushtet e SHBA-BE: T’i jepet fund sulmeve në veri nga grupet kriminale

Shkruar nga Pamfleti

 

Tre kërkesat për Kosovën, Kurti pajtohet me kushtet e SHBA-BE:
Emisari i BE për dialogun Kosovë-Serbi bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar takuan dje kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë

Të hënën në mbrëmje, Miroslav Lajçak, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi bashkë me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, takuan kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Pas takimit 2-orësh, me Escobar dhe Lajçak, Kurti ka shprehur angazhimin për të zgjidhur situatën në veri.

Ai u shpreh se për të vijuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme duhet t’i jepet fund sulmeve nga grupet kriminale kundër forcave speciale.

“Në takimin me Escobar dhe Lajçak shpreha angazhimin tim të parezervë për de-përshkallëzimin. Hapat thelbësorë përpara janë një fund i menjëhershëm i sulmeve ndaj forcave të sigurisë nga ekstremistët e dhunshëm dhe grupet kriminale dhe roli për të siguruar fushatë dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.”- ka shkruar Kurti në një reagim në Twiter.

Mësohet se Lajçak dhe Escobar kanë paraqitur tri kërkesa për Kurtin.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog, ishin kërkesët e tyre për kryeministrin e Kosovës.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira”, tha Lajçaku, pas takimit trepalësh mbrëmjen e 5 qershorit.

Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave “legjitimë” dhe që përfaqësojnë qytetarët.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim, si mik i Kosovës dhe tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”, tha Escobar.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe më 6 qershor.

Që nga 26 maji në tri komuna në veri të Kosovës ka pasur protesta nga serbët lokalë.

Në Leposaviç, Zubin-Potok e Zveçan është kundërshtuar hyrja e kryetarëve të rinj të komunave në objektet komunale. Pati protesta të dhunshme e pësuan dhjetëra policë e ushtarë të KFOR-it.

Serbët patën bojkotuar zgjedhjet e fund të prillit. Në ato zgjedhje dolën më pak se 3 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Për herë të parë, katër komuna në veri udhëhiqen nga shqiptarët.

Kosova është kritikuar për dërgimin e forcave policore për t’ua mundësuar kryetarëve ushtrimin e detyrës nga objektet komunale. SHBA-ja ka nisur me sanksionim e nga BE-ja janë publikuar tri kërkesa të qarta për Kosovën e Serbinë: Zgjedhje të parakohshme menjëherë, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe./ Pamfleti

miroslav lajçak gabriel escobar kurti 3 kushtet për kosovën

Lini një Përgjigje