TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Qershor 2023, 22:56

Përfundon takimi, Lajçak dhe Escobar i vendosin 3 kërkesa në tryezë Albin Kurtit

Shkruar nga Pamfleti

Përfundon takimi, Lajçak dhe Escobar i vendosin 3 kërkesa

Përfundon takimi i të dërguarve të SHBA-BE me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçka nisën sot një tur takimesh në Kosovë dhe Serbi, për të gjetur konsensusin sa i takon konfliktit në veri. Për gati dy orë ata qëndruan në zyrën e Albin Kurtit, ku është folur mbi mënyrat që duhet të ndiqen që t’i jepet fund krizë.

I dërguari i Bashkimit Evropian Mirosllav Lajçak, tha se ai dhe i dërguari amerikan kanë dalë me tre kërkesa gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, të cilat janë: qetësimi i situatës në terren në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në tryezën e dialogut.

"Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira", tha Lajçaku, teksa shtoi se ky është vetëm fillimi.

Ndërkohë, Escobar tha se ai erdhi në këtë takim si mik i Kosovës dhe se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.

"Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi", tha Escobar.

Të pyetur nëse i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në "fillim të misionit të tyre", mision që do të zgjasë dy ditë.

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd edhe gjatë ditës së nesërme.

Takimi i sotëm nisi me 30 minuta me vonesë, pasi kryeministri Kurti ishte në stadium duke ndjekur finalen e Kupës së Kosovës, ku Prishtina fitoi përballë Gjilanit. Pra Kurti la në pritje të dërguarit e SHBA-BE për shkak të ndeshjes së futbollit.

 

lajcak escobar

Lini një Përgjigje