TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Qershor 2023, 16:47

Tensionet në Veri/ BE e gatshme të organizojë një takim Kurti -Vuçiç

Shkruar nga Pamfleti

Tensionet në Veri/ BE e gatshme të organizojë një takim

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se BE është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç kur ata të bien dakord.

Stano shprehu se hapi më i rëndësishëm që duhet marrë për momentin, është qetësimi i situatës në Veri të Kosovës.

Në një konferencë për shtyp sot në Bruksel, zëdhënësi i KE tha se Lajçak dhe Escobar do t’i përcjellin mesazhe Serbisë dhe Kosovës për domosdoshmërinë e qetësimit të situatës, në mënyrë që më pas të ndërmerren hapa drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.

“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t'i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë”, deklaroi Stano.

Ai përsëriti se Lajçak është sot në Prishtinë ku pritet të takojë politikanët vendas, ndërsa nesër do të vizitojë Beogradin. Ai u shpreh se pas takimeve, Lajçak do t’i raportojë Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borell. Më pas çështja do të diskutohet mes vendeve anëtare që do të vendosin për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren.

be takim kurti vucic

Lini një Përgjigje