TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Qershor 2023, 20:20

Parlamenti britanik debaton për Kosovën, Alicia Kearns kritike: Dhunën e organizoi milicia serbe, SHBA-BE gabuan

Shkruar nga Pamfleti

Parlamenti britanik debaton për Kosovën, Alicia Kearns kritike:

Tensionet në veri të Kosovës janë bërë objekt debati sot në Parlamentin Britanik. Kryetarja e Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë, Alicia Kearns, ka qenë më kritike nga të gjithë, sa i takon reagimit që erdhi ndaj Prishtinës.

Ajo tha se ishte vetë Perëndimi që njohu zgjedhjet në veri të Kosovës dhe tani po Perëndimi kërkon zgjedhje të reja. Sipas saj, dhuna u bë nga persona të paguar nga Beogradi.

Dua të vendos në kontekst se Kosova nuk është Serbi, por më herët këtë vit, Beogradi ka orkestruar bojkot të zgjedhjeve demokratike të mbajtura në komunat veriore të Kosovës. Rezultatin e atyre zgjedhjeve e kemi njohur në Perëndim e tani po kërkojmë sërish zgjedhje, dolën vetëm 3 për qind. Por ishte faji i ndërhyrjes nga jashtë, dhe duket se shpesh nuk përmendet kjo. Javën e kaluar, kryetarët e komunave, jo me dhunë, tentuan të futen në zyra, por dhuna u orkestrua. Po të ndaloheshin kryetarët tanë të punonin nga zyrat e të detyroheshin të punonin në shtëpi, do të thoshim është goditje e rëndë ndaj demokracisë. Pati dhunë të orkestruar në veri nga milicia e financiar nga Beogradi, dhunë kundër KFOR-it, Policisë, hodhën koktej molotovi, gjuajtën me armë, dogjën vetura”, tha Kearns.

Ajo pyeti se pse kishte një reagim aq disproporcional nga aleatët. Sipas saj, SHBA dhe BE gabuan me sulmet ndaj Albin Kurtit. “Është e gabuar që SHBA-ja e BE-ja vendosën të kritikonin Kosovën, e nuk pati kritika ndaj milicisë së armatosur”, ka thënë Kearns. Ajo tha se po dështon marrja e masave ndaj Beogradit, ndërsa ka treguar se si qytetarët në veri kërcënohen nga grupet kriminale.

Mbi qëndrimin e saj pati një reagim nga ministri i Jashtëm i Britanisë, Andrew Mitchell. Ai tha se vetë Londra ka vënë kontakt me Prishtinë, teksa ka treguar se u kërkua që të mos ketë futje me dhunë në komuna.

Më 18 maj së bashku me SHBA-në, Francën, Gjermaninë, Italinë e BE-në, ne kërkuam që për punën e komunave në veri të gjendet një zgjidhje afatgjate. Paralajmëruam kundër përdorimit të forcës apo veprimeve që mund të rrisin tensionet. Më 26 maj shprehëm shqetësimin për vendosjen me forcë të kryetarëve në objektet e komunave, si dhe veprimit të Serbisë për të rritur gatishmërinë e forcave ushtarake rreth kufirit të Kosovës. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të largojë Njësitet Speciale të Policisë nga komunat, e kryetarët të ushtrojnë detyrat nga lokacione alternative. Emisari Sir. Stuart Peach ka vizituar Kosovën më 30 maj, është takuar me krerët e institucioneve atje dhe po ashtu me komandantin e KFOR-it”, tha Mitchell.

Më tej ai sqaroi se më 1 qershor pati një takim mes kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku i diskutua mbi tensionet në veri. Po ashtu ai tha se mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

 

britani kosova debate

Lini një Përgjigje