Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë e ndodhur në Maldive, ku pesë zhytës italianë humbën jetën gjatë një zhytjeje në shpellën Thinwana Kandu, e njohur ndryshe si “Shpella e Peshkaqenëve”.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zhytësit janë tërhequr nga rryma të forta nënujore dhe më pas kanë mbetur pa oksigjen gjatë përpjekjeve për t’u kthyer në dalje.
Ndërkohë, një ekip i specializuar zhytësish ka bërë të mundur nxjerrjen e trupave të pesë viktimave që kishin mbetur të bllokuar në shpellë. Viktima e parë e gjetur ishte instruktori me përvojë i zhytjes, Gianluca Benedetti, i cili ishte gjithashtu kapiten i anijes që kishte transportuar grupin.
Më pas u nxorën edhe trupat e Monica Montefalcone, vajzës së saj Giorgia Sommacal, si dhe të zhytësve Muriel Oddenino dhe Federico Gualtieri.
Sipas raportimeve, të pesë viktimat ishin zhytës me eksperiencë, çka ka ngritur më shumë pikëpyetje mbi rrethanat e tragjedisë. Megjithatë, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e bllokimit në shpellë pas tërheqjes nga rrymat e forta dhe pamundësisë për të dalë në kohë.
Zhytësit finlandezë që realizuan operacionin e nxjerrjes së trupave kanë dorëzuar tek autoritetet edhe kamerat GoPro të viktimave, të cilat mund të përmbajnë pamje të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.
Një nga hipotezat kryesore të hetimit lidhet me të ashtuquajturin “efekti Venturi”. Presidenti i Shoqatës Italiane të Mjekësisë Nënujore dhe Hiperbarike, Alfonso Bolognini, deklaroi për mediat italiane se forma e ngushtë e hyrjes së shpellës mund të ketë krijuar rryma jashtëzakonisht të forta.
Sipas tij, “efekti Venturi” ndodh kur rrjedha e ujit kalon në një hapësirë të ngushtë, duke rritur shpejtësinë dhe ulur presionin, çka krijon një efekt të fortë thithës.
Bolognini tha se ky vlerësim bazohet në informacionet e marra nga specialistë të DAN Europe, të cilët fillimisht tentuan të fusnin në shpellë një mjet telekomandë (ROV), por nuk ia dolën për shkak të forcës së rrymave.
“Bazuar në diagramin e shpellës, mund të jetë krijuar një efekt shumë i fortë Venturi. Pas thithjes mund të kenë ndodhur dy skenarë: ose janë tërhequr të gjithë menjëherë, ose njëri është tërhequr dhe të tjerët kanë tentuar ta ndjekin për ta shpëtuar,” u shpreh ai.
Sipas ekspertit, gjatë përpjekjeve për të gjetur një rrugëdalje në kushte ekstreme, zhytësve mund t’u ketë mbaruar oksigjeni, duke sjellë tragjedinë fatale.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi shkaqet e ngjarjes dhe për të analizuar materialet e sekuestruara nga autoritetet.
Lini një Përgjigje