Autoritetet ukrainase ndaluan një ish-ministër të Energjisë teksa po përpiqej të largohej nga vendi. Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit njoftoi se detektivët e saj e ndaluan ish-zyrtarin në momentin kur po kalonte kufirin shtetëror, në kuadër të hetimit të njohur si çështja “Midas”.
Institucioni nuk e përmendi emrin në deklaratë, por media të njohura në Ukrainë raportuan se bëhet fjalë për German Galushchenkon. Sipas raportimeve, ai u ndalua ndërsa ndodhej në një tren që po largohej nga Ukraina. Autoritetet nuk sqaruan destinacionin e tij.
Hetimi lidhet me një skemë të dyshuar për përvetësimin e rreth 100 milionë dollarëve në sektorin energjetik. Organet antikorrupsion akuzojnë disa persona për organizimin e një mekanizmi për mbledhjen e ryshfeteve nga kontraktorët e operatorit shtetëror bërthamor Energoatom, në vlera nga 10 deri në 15 për qind të kontratave. Sipas hetuesve, një pjesë e fondeve u pastrua dhe u transferua jashtë vendit, përfshirë Rusinë. Autoritetet publikuan edhe fotografi të shumave të konsiderueshme parash të sekuestruara.
Galushchenko drejtoi Ministrinë e Energjisë për tre vite dhe mbajti për një periudhë të shkurtër edhe postin e ministrit të Drejtësisë. Ai dha dorëheqjen në nëntor, pasi emri i tij u përfshi në skandal. Pasardhësja e tij në Energji, Svitlana Hrynchuk, gjithashtu u largua nga detyra pas përfshirjes në çështje.
Radio Evropa e Lirë raportoi se autoritetet po e transportonin ish-ministrin drejt Kievit për marrje në pyetje. Rojet kufitare kishin marrë udhëzim të njoftonin strukturat përkatëse në rast të një tentative për largim nga territori.
Skandali preku disa figura të tjera publike. Ish-zëvendëskryeministri Oleksiy Chernyshov u arrestua në nëntor me dyshimin për pasurim të paligjshëm. Emri i biznesmenit Timur Mindich u raportua si i dyshuar, ndërsa mediat njoftuan se ai ishte larguar nga vendi.
Çështja rriti presionin politik ndaj administratës së presidentit Volodymyr Zelensky. Shefi i shtabit të tij, Andriy Yermak, dha dorëheqjen pasi autoritetet kontrolluan banesën e tij. As Zelensky dhe as Yermak nuk përballen me akuza.
Hetimi i gjerë, i përmbyllur pas 15 muajsh punë nga Nabu dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar Kundër Korrupsionit, zhvillohet në një kohë kur Ukraina përballet me sulme të vazhdueshme ndaj infrastrukturës energjetike. Lufta kundër korrupsionit mbetet një nga kushtet kyçe për avancimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Lini një Përgjigje