
Konferenca e Sigurisë në Mynih ka rikthyer në fokus marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, në një moment tensionesh dhe diskutimesh mbi të ardhmen e aleancës transatlantike.
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u shpreh se “kontinenti i vjetër duhet të mbetet konsistent në vlerat e veta”, edhe kur përballet me sfida apo kërcënime nga aleati i tij më i madh përtej oqeanit.
Sipas tij, është thelbësore që vendet europiane “të flasin dhe të veprojnë në një mënyrë që përpiqet ta mbajë të bashkuar familjen europiane”.
Megjithatë, ai theksoi se Europa duhet të jetë “shumë e qartë kur disa vlera thelbësore kërcënohen”, duke shtuar se përveç qartësisë në qëndrime, është e rëndësishme edhe “gjetja e një mënyre për të adresuar çdo problem që lind”.
Stoltenberg shtoi se pozicioni i Europës është më i favorshëm krahasuar me disa javë më parë, duke përmendur faktin se SHBA-ja, Danimarka dhe Groenlanda janë përfshirë në një proces diskutimi për çështje të ndjeshme.
Komentet e tij erdhën pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili ofroi një mesazh më qetësues për aleatët europianë. Edhe pse përdori një ton më pak agresiv se ai i Zëvendëspresidentit JD Vance një vit më parë, Rubio u tregua i vendosur në synimin e Uashingtonit për të riformësuar aleancën transatlantike dhe për të shtyrë përpara prioritetet e politikës së administratës së Donald Trump.
Konferenca e Mynihut nxori në pah përpjekjet për ruajtjen e unitetit mes aleatëve, ndërsa në të njëjtën kohë po zhvillohen diskutime për rishikimin e balancave në marrëdhëniet SHBA–Europë.
Reformuar jo riformesuar.. Na bastarduat gjuhen me budallalliqet e Rames..