Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd lidhur me situatën e tensionuar ditën e djeshme në veri të Kosovës ka nisur.
Në seancë po marrin pjesë presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, kryeministrja Ana Brnabiç, ministri i Jashtëm dhe sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Ivica Daçiç, Ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç, Ministri i Brendshëm Bratislav Gashiç, drejtori i BIA-s Aleksandar Vulin, shefi i Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe Milan Mojsiloviç, Ministrja e Drejtësisë Maja Popoviç, Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, prokurorja Zagorka Dolovaç, shefi i policisë së Beogradit Veselin Miliç, kryetari i Kuvendit Popullor Vladimir Orliç.
Mbledhja u paralajmërua mbrëmë nga presidenti Vuçiç pasi hyrja në zyra e kryetarëve të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit u shoqërua me përleshje mes policisë së Kosovës dhe banorëve të shumicës serbe në këto komuna.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa ata qëllonin policinë me gurë e sende të tjera. Sakaq, të paktën 5 policë u plagosën dhe disa makina u dëmtuan.
Kosova fajëson Serbinë ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiç, urdhëroi dje ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.
Presidenti serb gjatë mitingut të djeshëm ka kritikuar edhe shtetet e QUINT-it, duke thënë se nëse do të kishin ndërhyrë situata nuk do të kishte shkuar deri në këtë gjendje që është tani. Vuçiç theksoi se asnjëherë nuk ka pasur krizë më të madhe dhe më të rëndë se ajo në veri të Kosovës.
“Sikur me dashje prisnin që njerëzit nga veriu i Kosovës të vinin në Beograd. U sulmuan ndërtesat komunale, dhe përfaqësuesit e QUINT-it heshtën për të gjitha këto, dhe tani po e dënojnë, kur shqiptarët kanë mbaruar punë. Nuk kemi pasur krizë më të madhe dhe më të rëndë. Sapo të përfundojë ky tubim do të kemi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të biseduar për atë që do të ndodhë në Kosovë dhe kam frikë që do të ndodhin shumë gjëra të këqija sepse e dimë me kë kemi të bëjmë”, tha Vuçiç.
Ai madje, deklaroi se “nuk do të dorëzohen për Kosovën”.
Lini një Përgjigje