Pas telefonatës mes dy presidentëve Putin-Trump, nënkryetari i Këshillit të fuqishëm të Sigurisë Ruse, Dmitry Medvedev thotë se Rusia nuk do të mposhtet kurrë.
Medvedev deklaroi sot se biseda telefonike mes Vladimir Putin dhe Donald Trump tregon se çdo pritje perëndimore se Rusia do të mposhtet nuk do të realizohet kurrë.
“Nuk ka dhe nuk mund të ketë një vend sovran dhe një udhëheqës suprem të planetit. Ky është një mësim që duhet të mësojnë elitat arrogante amerikane. E kanë të pamundur të na gjunjëzojnë. Dhe sa më shpejt kundërshtarët tanë ta kuptojnë këtë, aq më mirë”, tha Medvedev.
Kujtohjmë se presidenti amerikan Donald Trump ka diskutuar dje, për luftën në Ukrainë në biseda telefonike me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Presidenti Donald Trump tha se si Presidenti rus Vladimir Putin dhe ai ukrainas Volodymyr Zelenskiy shprehën dëshirën për paqe, gjatë telefonatave të veçanta që patën me të dhe se zoti Trump ka urdhëruar zyrtarët më të lartë amerikanë që të nisin bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Komunikimet telefonike u zhvilluan pasi, më herët, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi se Ukraina do të duhej të hiqte dorë nga objektivi për anëtarësim në NATO dhe përpjekja që të kthehet në kufijtë e vitit 2014. Ai i bëri komentet në Bruksel ku po merr pjesë në takimin e parë të tij në NATO.
Pasi bisedoi me zotin Putin për më shumë se sa një orë, zoti Trump tha se udhëheqësi rus, i cili nisi sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në 2022, mbështet dhënien fund të luftës dhe se ata kishin diskutuar për “arritjen e një armëpushimi në një të ardhme jo shumë të largët”.
“Ai do që lufta të marrë fund. Ai nuk do që lufta të ndërpritet dhe luftimet të rikthehen sërish pas 6 muajsh”, u tha zoti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj se jemi në rrugën drejt arritjes së paqes. Mendoj se Presidenti Putin do paqe, Presidenti Zelenskiy do paqe, unë dua paqe. Thjesht dua që të mos shoh më njerëz të vriten”, shtoi Presidenti amerikan.
Zoti Trump ka deklaruar prej kohësh se synon që t’i japë fund luftës në Ukrainë, por pa dhënë hollësi se si mund ta arrijë këtë.
Më herët Kremlini tha se zoti Putin dhe zoti Trump kishin rënë dakord të takoheshin dhe se udhëheqësi rus e kishte ftuar presidentin amerikan që të vizitonte Moskën. Zoti Trump tha se takimi i tyre i parë “ndoshta mund” të ndodhë së shpejti në Arabinë Saudite.
Në një postim në platformën e tij sociale, zoti Trump tha se Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, shefi i CIA-s John Ratcliffe, këshilltari për siguri kombëtare Michael Waltz dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, do të udhëhiqnin negociat për t’i dhënë fund luftës.
Lini një Përgjigje