TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Shkurt 2026, 17:12

Teherani sfidon Uashingtonin: Irani nuk heq dorë nga pasurimi i uraniumit!

Shkruar nga Pamfleti
Teherani sfidon Uashingtonin: Irani nuk heq dorë nga pasurimi i uraniumit!
Abbas Araghchi

Irani ka riafirmuar qëndrimin e tij të pandryshuar për programin bërthamor, vetëm dy ditë pas bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi deklaroi se Teherani nuk do të tërhiqet nga pasurimi i uraniumit, pavarësisht presioneve apo kërcënimeve ushtarake.

Teksa ka folur në një forum në Teheran, Araghchi theksoi se Irani ka paguar kosto të rënda për programin e tij bërthamor. “Irani ka paguar një çmim shumë të lartë për programin e tij bërthamor paqësor dhe për pasurimin e uraniumit”, deklaroi ai.

Ministri sqaroi arsyen e refuzimit për të hequr dorë nga pasurimi, edhe në skenarin e një përplasjeje të armatosur.

Pse këmbëngulim në pasurimin (e uraniumit) dhe refuzojmë ta braktisim atë edhe nëse na imponohet lufta? Sepse askush nuk ka të drejtë të diktojë veprimet tona”, tha Araghchi.

Deklaratat vijnë pas kontakteve të zhvilluara të premten në Oman mes Araghchi-t dhe të dërguarit të SHBA-së, Steve Witkoff, në kuadër të diskutimeve për programin bërthamor iranian.

Shefi i diplomacisë iraniane minimizoi gjithashtu praninë ushtarake amerikane në rajon.

“Vendosja e tyre ushtarake në rajon nuk na tremb”, u shpreh ai, një ditë pasi i dërguari i Donald Trump për Lindjen e Mesme vizitoi aeroplanmbajtësen amerikane Abraham Lincoln në Gjirin Persik.

Araghchi u përpoq të balancojë mes retorikës së fortë dhe mesazhit diplomatik.

“Ne jemi popull i diplomacisë, jemi gjithashtu popull i luftës, por kjo nuk do të thotë që kërkojmë luftë”, deklaroi ai.

Qëndrimi i Teheranit sinjalizon se përplasja mbi pasurimin e uraniumit mbetet nyja kryesore e konfliktit me Uashingtonin, me diplomacinë ende aktive, por me vijat e kuqe të shpallura hapur nga Irani.

 

Lini një Përgjigje