
Një protestë në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të zhvillohet më 26 maj në Tiranë, e organizuar nga studentë shqiptarë.
Organizatorët kanë njoftuar se grumbullimi do të mbahet fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytet.
Protesta vjen pas zhvillimeve të fundit në Shkup që lidhen me çështjen e gjuhës shqipe, si edhe pas incidentit të ndodhur dy ditë më parë, kur një grup studentësh nga Tirana nuk u lejuan të kalonin kufirin dhe u devijuan drejt Kumanovës.
Me sloganin “Shqiptaria është me Shkupin”, të rinjtë synojnë të përcjellin një mesazh mbështetjeje dhe uniteti për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Në thirrjen publike, organizatorët u bëjnë apel studentëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës për të treguar solidaritet dhe sipas tyre, për të dhënë një mesazh të qartë bashkimi.

Lini një Përgjigje